Zonat e tregtisë së lirë janë më popullore se kurrë, në mos me ekonomistët, në mesin e politikanëve
Ruanda ka zhvilluar një plan strategjik për to. Myanmar po i ‘përqafon’ ato teksa ai po shkon drejt hapjes. Vendet që kanë qenë për një kohë të gjatë tifozë të tyre, duke filluar që nga Kina e deri tek Emiratet e Bashkuara Arabe, janë dyfishuar. Planet e Indisë në zonë janë ‘revolucionare’ dhe ka të ngjarë të shtojnë 2% të PBB-së së saj, thotë një ministër, shkruan The Economist. Zonat e veçanta ekonomike (SEZs) janë ‘në modë’ në mesin e qeverive që shpresojnë të inkurajojnë shifrat e tregtisë dhe të investimeve të tyre. ‘Parajsa’ të tilla janë shfaqur edhe brenda vetë ‘parajsave’: në Ishujt Cayman gjendet një e re. “Çdo vend që nuk ka pasur një SEZ 10 vite më parë, e ka tani ose është duke e planifikuar një të tillë”, – thotë Thomas Farole i Bankës Botërore.
Studimi i historisë ka të ngjarë t’i fusë në mendime ministrat e etur të tregtisë. ‘SEZs’ – territore në të cilat eksportuesit dhe investitorë të tjerë sigurojnë stimuj tatimorë, tariforë dhe rregullatorë – krijojnë shtrembërime brenda ekonomive. Kosto të tjera përfshijnë investimet e nevojshme të infrastrukturës dhe të ardhurat përpara taksave. Ekziston shpresa që këto t’i kalojë në vlerë rritja e punësimit dhe tregtisë. Në realitet, shumë SEZs dështojnë. Të dhënat e performancës janë të ‘pakapshme’ sepse efektet e zonave është vështirë të veçohen nga forcat e tjera ekonomike.
Por dëshmia anekdotike sugjeron se ato janë pjesë e tri kategorive të gjera: disa raste suksesi, një numër më i madh që ka rezultuar lehtësisht pozitiv në vlerësimet kosto-përfitim, dhe një listë e gjatë e zonave të dështuara që ose nuk janë vënë kurrë në funksion, ose janë drejtuar dobët, ose ku investitorët kanë siguruar me kënaqësi reduktime të taksave pa gjeneruar vende të konsiderueshme punësimi ose fitime të eksportit.
SEZs kanë një origjinë të gjatë: zonat e para të tregtisë së lirë ishin në Phoenicia e lashtë.
Zona e parë moderne u krijua në aeroportin Shannon në Irlandë në 1959, por ideja mori hov në vitet 1980 pasi u ‘përqafuan’ nga Kina. Tani ka më shumë se 4,000 SEZs. Një studim i kryer në vitin 2008 vlerësoi se në to kanë punuar 68 milionë njerëz. Ato ekzistojnë në shumë forma, nga ‘zonat bazike të përpunimit të eksportit’ e deri në ‘qytetet çarter’, zonat urbane që vendosin rregullat e veta mbi të gjitha llojet e fushave që prekin biznesin.
Historinë më të madhe të suksesit e përfaqëson Kina, vendimi i së cilës për të krijuar një zonë në Shenzhen në 1980, e transformoi qytetin në një ‘central’ të fuqishëm eksporti. Që nga ajo periudhë nga i gjithë vendi janë shfaqur me dhjetëra SEZs. Në mars, presidenti Xi Jinping, kërkoi një ritëm më të shpejtë lançimi. Histori të tjera suksesi përfshijnë Emiratet e Bashkuara Arabe, Korenë e Jugut dhe Malajzinë. Filipinet u vlerësuan për zonat e saj ‘PEZA’, të cilat ofrojnë një proces të thjeshtuar licencimi për investitorët e huaj, thotë Shang-Jin Wei i Asian Development Bank.
Shumica e ekonomistëve ranë dakord se SEZs përshpejtuan liberalizimin në Kinë, e cila i përdori ato për të testuar reformat që perceptoheshin si shumë të vështira për t’u aplikuar në mbarë vendin. Në Republikën Dominikane ato ndihmuan në krijimin e një sektori të madh prodhimi në një ekonomi e cila më parë varej nga bujqësia.
Ndikimi i përgjithshëm i SEZs mbi tregtinë nuk është kuptuar qartë. Një studim i botuar në 2014 nga ekonomistët në Universitetin Paris-Dauphine zbuloi se, për një nivel të caktuar të mbrojtjes tarifore,
SEZs rrit eksportet për vendet që gjenden në të dhe për vendet e tjera që ofrojnë mallra apo komponentë të ndërmjetëm. Kjo ndihmon të kuptojmë se pse Organizata Botërore e Tregtisë i toleron përgjithësisht SEZs, edhe pse kështu mund të shkelë rregullat e subvencioneve të saj. Megjithatë, studimi gjithashtu arriti në përfundimin se zonat ndonjëherë u sigurojnë vendeve justifikimin për të mbajtur barriera proteksioniste ndaj pjesës tjetër të ekonomisë.
Gjithashtu shfaqen të tjera probleme të paimagjinueshme.
Burokracia mund të jetë e tepruar dhe burokratët të financuar dobët-ndonjëherë në të njëjtën kohë. Shpesh shpenzohet fare pak në hekurudha, rrugë dhe porte për të lidhur zonën me pjesën tjetër të botës. Shumë SEZs afrikane janë përpjekur për arsye të tilla. Një në Senegal dështoi për shkak të kombinimit të burokracisë së tepruar, kostove të larta të energjisë elektrike dhe distancës së saj nga një port i mirë. Ndërtuesit janë tërhequr në 61 nga 139 SEZs të miratuara në shtetin indian të Maharashtra për shkak të politikëbërjes kapriçioze, një proces i errët monitorimi dhe shqetësimit mbi perspektivat ekonomike. Nga një sondazh u zbulua se firmat ndonjëherë duhet të përballeshin me 15 agjenci të ndryshme për të bërë biznes në një zonë indiane. Protestat e dhunshme të vendasve mbi blerjen e tokës për zonat kanë penguar gjithashtu investitorët.
Për më tepër, qeveritë ndonjëherë përqafojnë SEZs për arsyen e gabuar: për të fituar lëvdata për reformë (dhe vota) pa pasur nevojë të rrezikojnë liberalizimin e plotë. Liberalizimi i pjesshëm mund të jetë gjithashtu një mënyrë për të ruajtur disa prej të ardhurave të fituara diku tjetër, duke mbrojtur bizneset nga konkurrenca.
Disa zyrtarë i perceptojnë zonat si mekanizma për marrje ryshfeti. Në 2005-n, rreth 60% e firmave në SEZs indiane raportuan se ishin të detyruara të kryenin pagesa ‘të parregullta’ për autoritetet e zonës.
Muajin e kaluar, Kryeministri i Ukrainës tha se ai ishte kundër SEZs për shkak të korrupsionit. Agjencia doganore në Nigeri, e cila nuk dëshironte të humbiste influencën e saj, i rezistoi në mënyrë të vendosur SEZs. Një tjetër shqetësim është përdorimi i zonave për të pastruar paratë, duke ‘fryrë’ vlerat e eksportit.
Koncepti SEZ duket të ketë gjithashtu disa kufizime natyrore. Ajo çka funksionon në prodhim nuk mund të funksionojë në sektorë të tjerë.
Zona e Tregtisë së Lirë në Shangai, lancuar në 2013-n dhe fokusuar në sektorin e financës, ka qenë një dështim. Ekonomistët shqetësohen se është e pamundur të operosh brenda zonës me kontrollet e kapitalit të Kinës, për shembull, në mungesë të përhapjes së efekteve mbi pjesën tjetër të ekonomisë. Ndoshta si rezultat i kësaj, autoritetet kanë qenë të kujdesshme: në një sondazh të fundit, tre të katërtat e firmave amerikane në Shangai thanë se zona nuk ofronte përfitime për ta.
Kjo nuk e ka ndaluar Kinën të miratojë plane për më shumë SEZs financiare. Qeveria gjithashtu po promovon zonat jashtë vendit: ajo po ndihmon gjashtë vende afrikane në krijimin e disa zonave. Edhe pse zonat e saj janë shtetërore, një numër gjithmonë e më i madh i SEZs ka të ngjarë të zotërohen dhe operohen privatisht. Filipinet tashmë kanë më shumë se dhjetë herë zona private se publike. Ky ndryshim mund të shkojë më tej, nëse qytetet çarter të drejtuara privatisht dhe nëse zonat e tjera të ashtuquajtura ‘zonat e veçanta të qeverisjes’ fitojnë terren.
Ideja është të krijohen territore që përcaktojnë rregullat e tyre në të gjitha çështjet e biznesit, nga rregulloret e punës deri te kodet antikorrupsion- “t’i referohemi ligjit si shërbime që kërkojnë kompanitë”, thotë Lotta Moberg i Universitetit George Mason. Ndërmarrje të tilla do të sigurojnë konkurrencë më efektive se zonat e fokusuara në stimujt fiskalë, deklaron Shanker Singham, themelues i Enterprise Cities. Z. Singham ka hyrë në bisedime për të zhvilluar zonat në Republikën Dominikane, Kolumbi, Marok, Bosnjë, Indi dhe Oman. Por këto gjenden kryesisht në një fazë të hershme. Projekti më i avancuar i ‘qytetit- çarter’, mbështetur nga një grup i liberalëve amerikanë, është në Honduras. Por ai ende pritet ende të fillojë dhe tashmë ka pasur shumë debate rreth tij: shumë rezidentë të Hondurasit shqetësohen se ajo do të operojë si një shtet brenda një shteti, udhëhequr nga interesat e biznesit.
Në shumicën e vendeve, ndërmarrje të tilla gjysmështetërore ka të ngjarë të përballen me vështirësi politike.
Nevojiten të tjera eksperimente për të kuptuar nëse këto zona të lira do të gjejnë apo jo terren për t’u zhvilluar. Koreja e Jugut dhe Tajlanda po zhvillojnë parqe ekoindustriale. Të tjerët po konsiderojnë SEZs për popullatat e refugjatëve.
Në të mirë apo në të keq, numri i zonave mund të arrijë në 5,000 në një kohë të shkurtër.