Nga prof.dr. Adrian Civici
Kolektivizimi integral i bujqësisë
Me sloganin “Toka i takon atij që e punon”, qeveria e parë komuniste shqiptare në periudhën 1945-1946, ndërmori nëpërmjet disa fazave një reformë agrare radikale për shpronësimin e pronarëve të mëdhenj e të mesëm të tokave, përfshirë këtu dhe tokat në pronësi shtetërore, të kapitalit të huaj apo ato në pronësi të institucioneve fetare, dhe shpërndarjen e tyre në favor të fshatarëve të varfër e pa tokë. Por ende pa mbaruar mirë shpërndarja e tokave, Partia Komuniste Shqiptare shpalli platformën bazë e afatgjatë të saj për bujqësinë, duke theksuar “nevojën e transformimit socialist të bujqësisë bazuar në kollektivizimin e prodhuesve të vegjël dhe krijimin e fermave të mëdha shtetërore”. Kolektivizimi i bujqësisë duhet të shërbente dhe për të aplikuar teorinë e planifikimit të centralizuar në bujqësi, e cila ishte inkopatibël me strukturën e prodhuesve të vegjël privatë e individualë.
E filluar me shpalljen e ngritjes së kooperativës së parë socialiste në vitin 1946, procesi integral i kooperativizimit de facto përfundoi në vitin 1967: kooperativat zinin tashmë 75.8% të tokave bujqësore; fermat shtetërore 20.7% të saj dhe kopshtet individuale vetëm 3.5% të saj. Ndërsa de juro, ky proces përfundoi në vitin 1976 me aprovimin e Kushtetutës së re, e cila sanksiononte eliminimin e pronësisë private mbi tokën dhe transformimin e saj në pronë shtetërore. Sipas Kushtetutës, e gjithë toka bujqësore, organizimi i prodhimit, tregtimi dhe mjetet e prodhimit ishin të gjitha të strukturuara e administruara në kooperativa bujqësore e ferma shtetërore.
Në vitin 1979, në Shqipëri nuk kishte asnjë fermë individuale private. Gjatë kësaj periudhe, bujqësia dhe prodhimi agroushqimor shqiptar arriti disa tregues të vlerësueshëm në fushën e rendimenteve dhe niveleve të prodhimit, nivelit të mekanizimit, kimizimit dhe shkallën e lartë të ujitjes, transportit dhe përpunimit të produkteve agroushqimore, formave të organizimit e drejtimit, futjen e tokave të reja nën kulturë, etj. Por thellimi i politikave centralizuese, degjenerimi i situatës në kooperativat dhe fermat shtetërore, kërkimi i “rrugëve të reja e origjinale”, në emër të mbrojtjes së doktrinës nga ana e drejtuesve të shtetit shqiptar, siç ishin p.sh. krijimi i “kooperativave të tipit të lartë”, i sistemit të tufëzave e arëzave, etj., e çuan drejt kolapsit prodhimin agroushqimor shqiptar dhe vendin drejt një situate të vështirë ushqimore, e konkretizuar me vendosjen e sistemit të tallonëve ushqimorë për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë shqiptare.
Sukseset dhe dështimet në industrializimin e vendit
Komunistët shqiptarë, që do të përcaktonin ecurinë e vendit për një periudhë të ardhshme 45-vjeçare, me të ardhur në pushtet në nëntor 1944, deklaruan si objektiv primar transformimin e Shqipërisë nga “një vend agrar e gjysmëfeudal (1945)” drejt shndërrimit të tij “…në një vend agraro-industrial (1955)”… për të kaluar më vonë drejt një stadi “industrialo-agrar”, i cili pritej të konsolidohej në vitet 1980-‘90. Sipas kësaj skeme të zhvillimit të vendit, të frymëzuar nga strategjitë dhe politikat e BRSS të Stalinit, prioritet do t’i jepej industrisë në raport me bujqësinë, që gjithsesi konsiderohej si “dega bazë e ekonomisë” dhe brenda industrisë, prioritet do të kishte industria e rëndë që përbënte thelbin dhe ambicien kryesore të politikës së “industrializimit socialist” të vendit.
Rezultatet e para të kësaj politike ishin inkurajuese dhe brenda në periudhën 1950-‘60, industria vendase arriti të katërfishojë prodhimin e para Luftës së Dytë Botërore, u zhvillua nxjerrja e naftës dhe mineraleve të tjera, u rikonstruktuan një pjesë e madhe e rrugëve dhe urave, industria tekstile dhe ajo ushqimore, etj.
Në vitin ‘60, industria kontribuonte me më shumë se 50% në PBB e vendit dhe Shqipëria shpallte tashmë “realizimin e ndërtimit të bazës ekonomike të socializmit”.
Ndërkohë, prishja e marrëdhënieve të Shqipërisë me BRSS dhe dalja e saj “de facto” nga kampi socialist pas viteve ‘60, i ridimensionoi së tepërmi ambiciet dhe strategjinë e saj të industrializimit. Në politikat e zhvillimit të vendit hyri gjithnjë e më shumë koncepti dhe praktikat e “mbështetjes vetëm në forcat e brendshme”. “Rritja e nivelit të autonomisë ekonomike, konsolidimi i sistemit socialist, ngritja e nivelit të jetesës dhe zhdukja e dallimeve fshat-qytet etj.”, përbënin thelbin e objektivave të zhvillimit ekonomik në periudhën 1971–1985.
Gjatë kësaj periudhe u ndërtuan dhe veprat më të mëdha të industrisë shqiptare: një kombinat siderurgjik në Elbasan i aftë për të përpunuar mbi 1 milion tonë mineral hekuri dhe për të prodhuar rreth 250,000 tonë hekur e tuba çeliku në vit; disa hidrocentrale kryesisht mbi lumin Drin, me një kapacitet prej 1.8 miliard kWh/vit; një rafineri e madhe nafte, me një kapacitet rafinimi prej 1 milion tonë naftë në vit; zhvillimi i industrisë nxjerrëse e përpunuese të kromit, hekur-nikelit dhe bakrit; uzinave të tjera për prodhimin dhe përpunimin e plehrave kimike, bitumit, çimentos, tullave, etj.; uzina të industrisë së lehtë e përpunuese; etj.
Por vitet ‘80, ashtu si në shumë vende të tjera lindore me ekonomi socialiste, regjistruan dhe fillimin e rënies me shpejtësi të niveleve të rritjes ekonomike. Shqipëria kishte arritur tashmë në fund të mundësive të fazës ekstensive dhe “rrugëve të reja e origjinale të zhvillimit” të eksperimentuara prej saj. E privuar nga kapitalet e huaja, të cilat konsideroheshin si “instrumente skllavërues” dhe ndaloheshin me Kushtetutë, e arritur në limit të rezervave dhe mundësive të saj të brendshme dhe njëkohësisht si pasojë e efekteve të gabimeve të akumuluara në shumë vendime e zgjedhje thelbësore të politikave të saj ekonomike, rritja ekonomike prej 5% e vërejtur në vitet ‘70 nuk ishte më shumë së vetëm 1% në dhjetëvjeçarin vijues.
Kriza totale e sistemit socialist (1980–1990)
Në dekadën e fundit të viteve ‘80-‘90, ekonomia shqiptare shfaqi shenjat e një krize totale, mallrat e konsumit të gjerë filluan të mungonin në masë, duke kaluar në sistemin e tallonëve ushqimorë për popullsinë, eksportet u ulën, ndërkohë që kërkesat për importe të nevojës së parë shtoheshin vazhdimisht, rezervat në devizë u pakësuan dhe në tërësinë e tij, prodhimi vendas e në mënyrë të veçantë ai agroushqimor, po ulej me ritme shqetësuese.
Dizekuilibrat makroekonomikë u thelluan, deficiti buxhetor u rrit së tepërmi, duke arritur në 16.6% të PBB, rritja ekonomike modeste prej 1-2% e verifikuar në periudhën 1980-‘85 u bë negative gjatë ‘85-‘90, në fillim të vitit 1991, borxhi i jashtëm e kaloi masën e 30% të PBB.
Vendi ra në një krizë të thellë ekonomike e financiare dhe sistemi i ekonomisë së centralizuar nuk dispononte më asnjë mjet e mundësi që ta ndalte atë. Në një kuptim të gjerë, me gjithë disa tentativa për modifikimin e politikës ekonomike dhe lejimin e disa elementëve “të ekonomisë kapitaliste”, kjo ishte një krizë e vetë sistemit socialist dhe për pasojë, nuk mund të zgjidhej pa e ndryshuar atë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Absolutisht qe nuk ulet korrupsioni por rritet me shume, pasi mjeket te gjitha vizitat do t’i kalojne ne oraret e leverdisshme per ta. Ku eshte mjeksia falas????!!!!! Ky eshte sherbim mjeksor privat ne institucionet e shtetit. Spitale private kemi pafund. Duhen edhe keto ???!!!
Ky eshte varferim i tejskajshem i popullsise. Nuk me duket logjike shteterore e drejte, por zhvatje e popullates. Kam 35 vjet qe paguaj detyrimet ndaj shtetit dhe rezultati ?! Duhet paguaj te perseri privatisht shendetsine te cilen e kam paguar me dekada. Ky eshte mashtrim dhe vjedhje pa skrupull. Shume turp dhe shume e frikshme njekohesisht.
👍👍👍👍
Info I bukur nice
Interesant! A ka te dhena historike per indikatore te ndryshem ekonomike ( eskporte dhe importe, prodhim, konsum, GDP, etj) per periudhen 1944-1990 dhe qe jane te aksesueshme?
Artikull interesant. Bashkohem ne kerkesen e mesiperme per te dhena zyrtare e te dokumentuara mbi indikatoret ekonomike te periudhes ’44- ’90.
Nice