Colin Powell, 84 vjeç, sekretari i parë i Shtetit me ngjyrë në SHBA, u largua nga jeta të hënën për shkak të komplikimeve nga Covid – shkroi familja e tij në Facebook.
Gjatë ulje-ngritjeve në jetë, Powell jetoi sipas “13 rregullave” që i ka shkruar në librin e tij të kujtimeve në vitin 2012 “It Worked For Me: In Life and Leadership”.
Lexojini më poshtë këto rregulla për suksesin dhe udhëheqjen
1. Nuk është aq keq sa mendoni. Në mëngjes do t’ju duket më mirë
Ky rregull pasqyron një qëndrim, jo një parashikim. “Jam përpjekur gjithnjë të ruaj besimin dhe optimizmin, pavarësisht se sa e vështirë është situata” – ka shkruar Powell. Gjumi çlodhës gjatë natës zakonisht zvogëlon çdo problem apo konflikt. Powell shkruan se drejtuesit duhet të largohen çdo mbrëmje nga zyra “me një qëndrim fitues”, edhe kur përballen me probleme të rëndësishme, për të përcjellë forcë te skuadra e tyre.
2. Zemërohuni, pastaj lëreni pas krahëve
Të gjithë zemërohen. Por Powell shkruan se “të qëndrosh i zemëruar nuk është i dobishëm”. “Kam punuar shumë gjatë viteve që kur të zemërohem, ta kapërcej shpejt dhe nuk e humb kurrë kontrollin e vetes” – shkruan ai.
3.Shmangeni egon pranë pozicionit tuaj, në mënyrë që kur pozicioni juaj të bjerë, edhe ego të shkojë bashkë me të
Një nga këshillat e Powell për të luftuar egon ishte të nxiste komandantët apo stafin të diskutonin me të. Udhëzimi i tij ishte i thjeshtë: “Mos u pajtoni me mua, bëjeni me ndjenjë, përpiquni të më bindni se keni të drejtë dhe se jam duke marrë rrugën e gabuar”. “Ju më detyroheni për këtë, kjo është arsyeja pse jeni këtu. Zvogëlimi i egos është i rëndësishëm për suksesin – thekson ai, duke shtuar se çfarëdo vendimi që merrni “nuk lidhet me ju dhe egon tuaj; bëhet fjalë për të mbledhur gjithë informacionet, për t’i analizuar dhe për t’u përpjekur për të dhënë përgjigjen e duhur”.
4.Mund të bëhet
Për Powell, suksesi ndonjëherë ishte një profeci vetëpërmbushëse: Nëse besoni se është e mundur – thoshte ai – ka shumë gjasa ta arrini atë. “Mos u rrethoni nga skeptikë të menjëhershëm – shkruante Powell – Në të njëjtën kohë mos i mbani larg njerëzit skeptikë dhe kolegët që ju japin opinione të kundërta solide”. Këshilla e tij është: Dëgjoni atë çfarë do t’ju thonë skeptikët, duke qëndruar në të njëjtën kohë të përqendruar tek objektivi juaj. Ndonjëherë, shqetësimet e tyre mund t’ju ndihmojnë të përballeni me pikat tuaja të dobëta.
5.Bëni kujdes në atë që zgjidhni, mund ta arrini
Për Powell ky rregull mund të përmblidhet në katër fjalë: “Mos u nxitoni në vendime”. Edhe kur do t’ju duhet të merrni vendime të shpejta, ka gjithnjë kohë për të analizuar pikat pro dhe kundër – dhe kur mundeni, duhet ta bëni. “Disa zgjedhje të gabuara mund të korrigjohen – shkruan Powell. – Me disa do të bini në grackë”.
6.Mos i lejoni faktet negative t’ju pengojnë të merrni një vendim të mirë
Çelësi i Powell për një udhëheqje të mirë është shumë i thjeshtë: “instinkt i shkëlqyer”. Me fjalë të tjera: besojini instinktit tuaj. Përballë një vendimi të vështirë, duhet të mblidhni sa më shumë informacione që të mundeni, por në fund – përdorni gjykimin dhe instinktin për të marrë vendimin e drejtë. “Ky është momenti kur shikoni thellë në frikërat, ankthin dhe besimin në vete. Ky është momenti kur fitoni pagën dhe pozicionin tuaj” – shkruan ai.
7.Ju nuk mund të bëni zgjedhjet e dikujt tjetër. Ju nuk duhet të lini askënd të bëjë zgjedhjen tuaj
Ju gjithnjë mund t’u kërkoni njerëzve të tjerë këshilla kur merrni vendime. Mjafton që të mos lini askënd tjetër të marrë kontrollin në procesin tuaj vendimmarrës – këshillon Powell. “Kërkoni këshillën e të tjerëve, por jini të vetëdijshëm se rreth e qark ka gjithnjë njerëz plot me këshilla dhe të sigurt se dinë se si duhet të vendosni” – shkruan ai. “Shpesh, vendimi juaj do t’i prekë edhe ata dhe do t’ju shtyjnë në një drejtim që është më shumë në interesin e tyre se tuajin”.
8.Kontrolloni gjërat e vogla
Si udhëheqës, Powell shkonte shpesh në departamente të tjera dhe endej në zyra për të parë se me çfarë pune po merreshin të tjerët. Kjo sepse për Powell, suksesi ndërtohej mbi detajet e vogla. “Udhëheqësit duhet të kenë një ndjenjë për gjërat e vogla – një ndjenjë se çfarë po ndodh në thellësitë e një organizate ku ndodhen gjërat e vogla” – shkruan ai.
9.Ndani meritat
Kur bëhet siç duhet – shkruan Powell – suksesi duhet të jetë edhe sport ekipi – dhe kur diçka shkon mirë, është e nevojshme të ndani meritën në të gjithë organizatën. “Lërini punonjësit të besojnë se ishin ata që e bënë” – shkruan Powell duke shtuar se njerëzit kanë nevojë t’u njihen meritat dhe për një ndjenjë vlere “po aq shumë saç kanë nevojë për ushqim dhe ujë”
10.Qëndroni të qetë. Jini të sjellshëm
Kur situatat bëhen kaotike – shkruan Powell – qëndroni të qetë dhe të sjellshëm. Në zemër të betejës – qoftë ushtarake apo korporative – si mirësia edhe qetësia ndihmojnë që bashkëpunëtorët të ruajnë besimin e tyre”. Mendoni për llojin e liderit që doni të ndiqni në kohë krize. Dhe pastaj mendoni llojin e udhëheqësit që do të donit të shmangnit. Jini i pari, jo i dyti.
11.Kini një vision. Jini kërkues
Powell thotë se punonjësit kanë nevojë të dinë se ku po i çojnë udhëheqësit e tyre dhe pse.
Me pak fjalë, nëse po udhëhiqni njerëz, duhet të përcaktoni një “ndjenjë qëllimi” dhe ta bëni ekipin tuaj të besojë në të po aq fort sa ju. “Udhëheqësit e mëdhenj frymëzojnë çdo ndjekës në çdo nivel për të identifikuar qëllimin e tyre dhe për të kuptuar se qëllimi i tyre shkon përtej detajeve të thjeshta të punës” – shkruan Powell. Synimi, thekson ai, duhet të jetë përmirësimi i vazhdueshëm.
12.Mos pranoni këshilla nga frikërat tuaja apo nga ata që ju kundërshtojnë
Çdo udhëheqës ka nevojë të mësojë të kuptojë frikërat e veta për të marrë vendime të mira. Nëse nuk e bëni këtë gjë, frikërat do t’ju kontrollojnë në moment të vështira – shkruan ai. “Frika është një emocion i natyrshëm njerëzor, por nuk është në vetvete një vrasës” – shpjegon Powell.
“Ne mund të mësojmë të jemi të vetëdijshëm se kur na kaplon frika dhe mund të stërvitemi për të vepruar, pavarësisht frikës sonë”. Në lidhje me kundërshtarët, Powell shkruan se ata më shpesh gabohen se sa kanë të drejtë. Natyrisht – në disa raste – kanë të drejtë, për këtë arsye ia vlen barra qiranë t’i dëgjoni, por vetëm me doza të vogla. Përdorojini si “një linjë” në procesin vendimmarrës. “Dëgjojini të gjithë ata për të cilët keni nevojë dhe më pas merrni vendim duke dëgjuar instinktin, pa pasur frikë”.
13. Optimizmi i vazhdueshëm është një shumëzues i forcës
Njerëzit rreth jush do të ushqehen me optimizmin tuaj, shkruan Powell, duke shtuar se vetëbesimi është po aq ngjitës: “Nëse ju besoni dhe i keni përgatitur ndjekësit tuaj, ata do t’ju besojnë”. Powell shkruan se “ky ishte një nga mësimet më të mëdha që mësova nga ushtarakët – ku komunikimi efektiv mund të jetë vetëm një avantazh konkurrues”.
/ CNBC