18.6 mijë biznese kanë dorëzuar bilancin e vitit 2019 online në Qendrën Kombëtare të Biznesit deri më 3 gusht, kur ishte dhe afati i fundit zyrtar. Të dhënat zyrtare bëhen të ditura nga E-Albania, portali nëpërmjet të cilit bëhet i mundur dorëzimi online i bilancit.
Nga këto, 15.2 mijë janë miratuar, rreth 2.3 mijë janë ende në shqyrtim dhe 1.1 mijë janë refuzuar.
Gjithsej janë rreth 20 mijë subjekte që kanë detyrimin për të dorëzuar bilancin.
Si gjithnjë, një pjesë e madhe e subjekteve e lënë dorëzimin për ditët e fundit, gjë që shkaktoi ngarkesë në sistem gjatë javës së fundit. Deri në datën 24 korrik ishin dorëzuar 12.6 mijë bilance dhe në javën e fundit aplikuan rreth 6 mijë biznese.
E-Albania njoftoi se depozitimi i pasqyrave financiare dhe raporteve të fundvitit ishte shërbimi i dytë më i përdorur në E-Albania, me 162 mijë veprime gjithsej.
Shërbimi më i përdorur në muajin korrik ishte marrja e certifikatës familjare me rreth 180 mijë veprime.
Vërtetimi për pagimin e kontributeve për individin ishte një tjetër shërbim mjaft i përdorur, duke u renditur i treti. Muajt e fundit është rritur interesi i individëve për të verifikuar nëse punëdhënësit ua paguajnë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Në korrik janë shënuar rreth 145 mijë veprime për këtë shërbim.
Në vend të katërt janë aplikimet për formularin për lëshim ose rinovim të pasaportës, me 119 mijë veprime.
E-Albania ka qenë mjaft e përdorur edhe për marrjen e një Certifikatë personale (69 mijë); Aplikim për pasaportë dhe kartë identiteti (për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë kufijve).
Në vend të shtatë është Deklarimi dhe pagesa e kontributeve nga punëdhënësit, me rreth 34 mijë veprime.
Karta e Shëndetit; Ekstrakt i thjeshtë/historik (Biznes); Certifikatë e Gjendjes Gjyqësore (dëshmia e penalitetit) janë 3 veprimet e tjera, që mbyllin listën e 10 shërbimeve më të përdorura të E-Albania në korrik.
Portali e-albania publikon statistikat mujore në format PDF, për vizitat, shfletimin e shërbimeve, aplikimet e përfunduara, të cilat janë të aksesueshme dhe të përdorshme nga çdo vizitor apo përdorues i regjistruar i tij.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.