Bujqit prodhues kanë tre shqetësime madhore për vitin 2019: çmimet e larta të naftës, çmimet e larta të inputeve bujqësore dhe mungesën e tregut
Sektori i bujqësisë nuk parashikohet të ketë zgjerim gjatë vitit 2019, për shkak të çmimeve më të larta të naftës dhe kostove të plehrave kimike, pohojnë fermerët.
Brenda këtij sektori, zhvillimet pozitive priten në sektorin e agroturizmit, i cili do të vijojë rritjen edhe në 2019-n, prej rritjes së numrit të turistëve dhe një pakete lehtësuese që qeveria ka miratuar për sektorin, e cila hyn në fuqi më 1 janar 2019. Bujqit prodhues kanë tre shqetësime madhore për vitin 2019: çmimet e larta të naftës, çmimet e larta të inputeve bujqësore dhe mungesën e tregut.
Stavri Gjini, i cili drejton Federatën e Fermerëve në Gradishtë të Lushnjës, pohon se prodhimet bujqësore do të jenë në të njëjtat kuota si këtë vit. Fitimet e fermave – sipas tij – janë në rënie prej çmimeve të larta të naftës dhe kostove të rënduara në inputet bujqësore. Për të punuar një dynym tokë, harxhimet shkojnë në 5 mijë lekë të reja.
Z. Gjini shton se sektori i prodhimit në bujqësi vuan nga mungesa e orientimit dhe gjetja e tregjeve. “Një dynym serë me plastmasë kushton 280 mijë lekë, kurse fitimet në optimalen e tyre, në 350 mijë lekë. Në kosto nuk kam përfshirë hakun e punës sime dhe të familjes”, – pohon Stavri, i cili tashmë është i lodhur, por pa një zgjidhje tjetër për të siguruar jetesën.
Viti 2019 – sipas tij – do të jetë edhe më i vështirë për shkak të mungesës së fuqisë punëtore. Fermat në zonat prodhuese të vendit në Fier dhe në Lushnjë po vuajnë nga mungesa e fuqisë punëtore për shkak të emigracionit të lartë dhe se të rinjtë nuk duan të punojnë në bujqësi. “Sektori kërkon mund, ndërsa fitimet janë të ulëta”, tha Gjini.
Fitimet e bujqve janë përkeqësuar në vitet e fundit. Situata do të vijojë edhe për vitin 2019, për shkak se mungojnë totalisht subvencionet dhe, nga ana tjetër, kostot janë rritur – thekson z. Gjini.
Të njëjtin shqetësim ka edhe fermeri Rustem Xhoraj nga fshati Ruzhdie i Fierit. Ai tha se, shqetësimi kryesor për momentin është çmimi i lartë i naftës, pasi për bujqit ajo është lënda kryesore si për punimin e tokës, edhe për transportin e prodhimeve.
Xhoraj, i cili zotëron një fermë me pemëtore me vreshta dhe ullinj, thotë se fitimet janë ulur së fundmi nga kostot e larta të inputeve edhe pse prodhimi më 2018 ka qenë i mbarë. Ai pohon se problemet e bujqësisë janë të shumta dhe komplekse, por më kryesorja është mungesa e orientimit dhe rregullimit të zinxhirit të tregut. Fermerët mbjellin me intuitë dhe shpesh kjo zhgënjen, se tregu dhe moti sjellin surpriza.
Vitin e kaluar, të gjithë fermerët që kultivuan domate, pësuan humbje të mëdha, ndërsa këtë verë nuk mbollën, nisur nga përvoja e vjetshme. Kjo ka trefishuar çmimin. Në pikat e pakicës në Tiranë, një kilogram domate fushe kushton 130 lekë nga 30 lekë që ishte një vit më parë në këtë kohë. Mungesa e prodhimit dhe avancimi i vrugut dhe krimbit kanë ulur ofertën për zarzavaten që konsumohet më shumë në treg në këtë periudhë.
Agroindustria, rritja do të vijojë edhe në vitin 2019
Ndryshe nga bujqit prodhues, sektori i agroindustrisë pritet të rritet në vitin 2019, nga rritja e kërkesës për shërbimin e njësive të agroturizmit për shkak të fluksit të turistëve të huaj dhe politikave lehtësuese fiskale që do të hyjnë në fuqi në vitin 2019. Altin Prenga nga “Mrizi i Zanave”, modeli më përfaqësues i sektorit, tha se qeveria ka ndërmarrë përpjekje serioze për të siguruar zhvillimin e qëndrueshëm të argoturizmit.
Lehtësimi i TVSH-së nga 20 në 6% dhe masa të tjera për marketimin e produkteve vendase do të sigurojnë rritjen edhe për vitin në vijim, si në drejtim të fitimeve, edhe punësimit, shton z. Prenga. Reduktimi i TVSH-së në 6% dhe certifikata e argoturizmit janë zhvillime pozitive në aspektin e politikave që janë ndërmarrë për sektorin.
Prenga tha se, kërkesa për prodhime vendi është më e lartë se vetë prodhimi, dhe shtoi se duhen më shumë përpjekje për stimulimin dhe përmirësimin e imazhit të prodhimeve vendase. Turistët nga vendet perëndimore janë të prirë të kërkojnë prodhime vendase dhe ndërkohë që numri i tyre rritet, prodhimi duhet të rritet njësoj.
Sipas tij, duhet të nxitet një politikë që Ministria e Bujqësisë pati ndërmarrë në lidhje me certifikimin e zahireve dhe nxitjen e prodhimit të tyre. Në këtë aspekt, ai tha se inspektimet e AKU nuk mund të bazohen në të njëjtat kritere higjieno-sanitare apo fiskale për një zonjë që bën gliko në Përmet me një industri konservash me 200 punëtorë.
AKU momentalisht zbaton të njëjtat kritere, dhomë zhveshje për stafin, tualet, laborator analizash, teknolog, si për prodhuesit artizanal si për fabrikat. Prenga tha se nuk ka ekonomi pa prodhim, duke vënë theksin se rritja prodhimit bujqësor duhet të vijojë me ritmet e rritjes së turizmit.
Me gjithë vështirësitë që ka agropërpunimi shqiptar, nuk është më problem tregu, por kostoja e lartë e prodhimit. Ai tha se zhvillimi i sektorit të bujqësisë dhe agroturizmit do të jetë i kushtëzuar nga çështja e pazgjidhur e pronësisë, copëzimi i lartë i tokës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.