Nëse po punoni në këmbim të një page, atëherë paratë që ju merrni janë për kryerjen e punës suaj, jo për numrin e orëve që punoni.
Megjithatë, ka disa ambiente pune ku ditët e zgjatura të punës trajtohen si një simbol nderi, duke sjellë pasoja katastrofike për shëndetin mendor dhe fizik – për të mos përmendur nivelin e produktivitetit.
Nga pikëpamja realiste, si mund ta kuptoni se sa orë duhet të punoni? Në fund të fundit, ka shumë pak gjasa që lista juaj e detyrave do të përfundojë ndonjëherë. Cilat janë shenjat që tregojnë se jeni duke punuar shumë orë?
- Kur filloni të bëni sikur punoni
Nëse jeni një profesionist në ato që njihen si “punët e dijes”, atëherë duhet të jeni të përqendruar në detyrat tuaja për të qenë sa më efektiv.
Nëse për një projekt të caktuar është nevoja që të punoni me ditë të zgjatura pune, atëherë mund të përdorni rezervat tuaja dhe të përpiqeni që ta përfundoni atë. Megjithatë, kur bëni këtë gjë, ju shpesh po shfrytëzoni edhe qëndrueshmërinë tuaj të ditëve pasuese të punës.
Sa herë që keni punuar për shumë orë, do të vini re një rritje të asaj që quhet si “punë e rreme”. Kjo ndodh kur uleni në tryezën e punës dhe bëni gjëra që duken si punë, por që në fakt nuk janë të tilla. Thjesht lëvizni disa letra që keni rreth e rrotull, kontrolloni disa faqe në internet, ose merrni telefonin dhe filloni të përdorni mediat sociale.
Ndonjëherë është normale që të bësh “punë të rreme”, veçanërisht kur po kaloni nga njëra detyrë te tjetra. Por, kur punoni për shumë orë, do të vini re se në një pjesë gjithnjë e më të madhe të kohës suaj do të jeni duke bërë gjëra që nuk janë fare të rëndësishme për punën që supozohet të kryeni. Kjo është një shenjë që duhet të punoni më pak orë.
- Nëse nuk ndiheni krijues
Pjesa më e madhe e punës suaj mund të përfshijë zgjidhjen e problemeve të reja. Është e lehtë të bësh diçka kur zgjidhja e atij problemi dihet tashmë. Por, shpeshherë mund t’ju duhet të gjeni një zgjidhje për të bërë diҫka në një mënyrë që nuk është bërë ndonjëherë më parë. Pra, ju po paguheni për të bërë diçka që është sadopak krijuese.
Kur punoni për shumë orë, ka të ngjarë ta keni të vështirë të mendoni për zgjidhje që janë vërtet krijuese. Teksa lodheni mendërisht, do ta keni më të vështirë të mbani parasysh të gjitha elementet e një problemi.
Mendimet tuaja do të kalojnë sa nga njëra gjë, në tjetrën. Si rezultat i kësaj, ju ose do të ngecni kur të jeni duke zgjidhur një problem, ose do të riktheheni te po e njëjta zgjidhje që është provuar se funksionon. Sido që të jetë, ky është një tjetër tregues që duhet të lini punën dhe të bëni diçka tjetër.
- Nëse nuk kaloni dot testin e leximit
Përqendrimi është i lodhshëm. Edhe nëse jeni duke fjetur mjaftueshëm (megjithëse ka shumë gjasa që kjo të mos ndodhë), puna juaj do t’ju lodhë fizikisht. Ekziston një mënyrë e thjeshtë për të përcaktuar nëse keni nevojë për pushim – dhe kjo zgjat vetëm 10 minuta.
Merrni një libër ose artikull që shpjegon një koncept kompleks, i cili do t’ju shërbente për në punë. (Në përgjithësi, duhet të keni gjithmonë disa materiale të cilat dëshironi t’i mësoni, sepse zgjerimi i diapazonit të njohurive është thelbësor për të menduarit efektiv.) Lexoni për 10 minuta.
Nëse mund të vazhdoni të qëndroni zgjuar dhe të mbani mend atë që lexoni edhe pas 10 minutash, atëherë kjo do të thotë se jeni në rregull. Por, nëse vini re se gati po ju zë gjumi duke lexuar, ose nëse mendja tuaj fillon të endet nëpër mendime të ndryshme vetëm pak minuta pasi keni filluar të lexoni, atëherë është koha të bëni një pushim.
Ulni numrin e orëve që jeni duke punuar, në mënyrë që të mund ta kaloni testin e leximit sa më shpesh kur e kryeni atë. / Fast Company