Mbizotërimi i një klime jostabile politike në vend ka bërë që Kosova t’i humbë 369 milionë euro investime të huaja nga viti 2010 deri më sot. Madje, shteti ynë ka edhe një prej përqindjeve më të ulëta në rajon sa i përket krijimit të vendeve të reja të punës në katër vjetët e fundit
Kosova ka shënuar rënie drastike të investimeve të huaja prej 35 për qind nga viti 2010 deri më tani. Nëse e përkthejmë në euro, Kosova ka humbur jo më pak se 369 milionë euro të investimeve kapitale.
Madje vendi ynë qëndron më së keqi në rajon edhe sa i përket krijimit të vendeve të reja të punës. Nga 400 mijë vende të reja të punës, Kosova në pesë vjetët e fundit ka krijuar rreth 50 mijë vende. E, këto shifra jo të mira për vendin kanë ndodhur pikërisht për shkak të jostabilitetit politik në vend. Kështu thuhet në raportin vjetor të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, të prezantuar në Dubrovnik ditë më parë. Sekretari gjeneral i kësaj organizate, Goran Svilanoviq, i ka thënë gazetës “Zëri” se stabiliteti është i nevojshëm për t’i dhënë hapësirë qeverisë, e cila zgjidhet për të treguar se çfarë mund të bëjnë.
369 milionë euro rënie të investimeve për 7 vjet
Sipas raportit të Këshillit Rajonal për Bashkëpunim (RCC), që u prezantua në Dubrovnik të Kroacisë, nga viti 2010 në Kosovë ka një rënie drastike të investimeve të huaja, edhe atë prej 35 për qind, apo një humbje investimesh prej rreth 369 milionë euro. Korrupsioni dhe krimi i organizuar mbeten sfidat kryesore të shteteve të Ballkanit e që po ndikojnë keq qoftë në krijimin e vendeve të reja të punës apo edhe në investimet e huaja.
Kosova pikërisht në këto dy sfida po qëndron më së keqi në rajon. Goran Svilanoviq, sekretar gjeneral i Këshillit Rajonal për Bashkëpunim (RCC), në një prononcim për gazetën “Zëri” ka thënë se Kosova ka krijuar diçka më shumë se 50 mijë vende të reja të punës në pesë vjetët e fundit. Sipas raportit të RCC-së, që u prezantua në Dubrovnik, përmendet edhe një progres që ka shënuar Kosova nga viti 2015, kur kishte krijuar 9.929 ndërmarrje. Më 2016-n janë krijuar 10.445 ndërmarrje. “Sinqerisht, përgjigja ime e drejtpërdrejtë dhe e sinqertë sa i përket arsyes për rënien e investimeve të huaja në Kosovë është mungesa e stabiliteti politik. Nuk po them se Qeveria është e mirë apo e keqe. Të gjithë mund t’i kemi perceptimet tona rreth Qeverisë suaj apo sonës, mirëpo stabiliteti është i nevojshëm për t’i dhënë hapësirë Qeverisë, e cila zgjidhet për të treguar se çfarë mund të bëjnë. Për këtë atyre u duhet një atmosferë stabile politike që të mundë t’i nxjerrin ligjet e nevojshme dhe t’i performojnë aktivitet e duhura”, ka thënë Svilanoviq për gazetën “Zëri”.
Korrupsioni, problemi numër një në Ballkan
Të gjitha shifrat dhe sondazhet tregojnë se korrupsioni është shqetësimi numër një në shtetet e Ballkanit. Kjo u bë e qartë edhe në raportin e fundit të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal. E korrupsioni mbetet njëra nga shqetësimet më të mëdha të qytetarëve të Kosovës. Mbi 60 për qind e qytetarëve, të cilët janë pyetur në sondazhin e RCC-së në Kosovë, thonë se korrupsioni është shqetësimi i tyre kryesor.
Krahas “Ne kemi barometrin ballkanik, ku i pyesim njerëzit çfarë mendojnë për çështje të ndryshme. Kur i kemi pyetur se cili është problemi i tyre numër një, nuk ka kurrfarë dallimi në Ballkan. Njerëzit thonë se është papunësia. Papunësia është frikë e përbashkët në rajon. E dyta që kemi gjetur në secilin shtet është pakënaqësia me situatën e përgjithshme ekonomike. E treta është korrupsioni. Perceptimi i korrupsionit është rritur me 15 për qind nga viti i kaluar në këtë vit. Në veçanti për Kosovën është 62 për qind, njerëzit thonë se korrupsioni është problemi i tyre numër një”, ka thënë Svilanoviq.
Shqipëria, lidere në shkëmbimin e mallrave
Kosova nuk qëndron mirë sa e i përket edhe përmbushjes së strategjisë për vitin 2020 në punësimin e personave nga 20 deri në 64 vjeç. “Kur është në pyetje punësimi i grupmoshave 20-64 vjeç, ekonomia ka përmbushur vetëm 42 për qind targetin e përcaktuar për vitin 2020”, ka treguar Svilanoviq. Sipas tij, në Shqipëri situata është më e mirë, ku me 68 për qind është përmbushur qëllimi për punësimin e grupmoshave 20-64 vjeç. “Shteti shqiptar është lider në rajon në shkëmbimin e produkteve, me 111 për qind të targetit 2020, duke e kaluar përqindjen e dëshiruar. Sipas raportit të RCC-së, shteti shqiptar ka bërë përparim të madh edhe në shtimin e njerëzve me shkollim profesional në tregun e punës. Targeti i përcaktuar më 2020-ën është përmbushur sipas të njëjtit raport, me 88 për qind”, ka thënë ai. Ndërkohë, sa i përket krijimit të vendeve të reja të punës, Svilanoviq ka treguar se Serbia mbetet lidere në këtë drejtim. Nga 400 mijë vende të reja të punës që janë krijuar në katër vjetët e fundit, ai ka thënë se Serbia ka hapur 300 mijë prej tyre.
Svilanoviq: SEE-ja u mblodh për ta çuar përpara rajonin në rrugën drejt BE-së
Sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Goran Svilanoviq, ka thënë se përkundër sfidave, rajoni ka shpresë për zhvillim të mëtutjeshëm ekonomik. “Edhe pse herë pas here përpjekjet e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal janë penguar nga sfidat rajonale dhe luhatjet në peizazhet politike kombëtare, mund të mbetet shpresëdhënëse për progresin që është arritur në drejtim të thellimit të bashkëpunimit ekonomik dhe një qeverisje dhe stabiliteti të fuqishëm brenda rajonit”, tha sekretari i përgjithshëm i RCC-së, Goran Svilanoviq, duke shtuar se dialogu midis pjesëmarrësve të RCC-së, në formate të ndryshme bashkëpunimi rajonal, ka pasur një rol kyç në këtë drejtim.
“RCC-ja përmendi dhe kanalizoi mbështetjen politike ndaj synimeve të Strategjisë së Evropës Juglindore 2020, ndërsa progresi i prekshëm u bë në avancimin e integrimit të tregtisë dhe të investimeve, hartimin e politikave efektive të punësimit dhe zbatimin e tyre, forcimin e bashkëpunimit në arsim, hulumtim dhe inovacion, përkrahjen e qeverisjes së mirë dhe forcimin e sigurisë”, ka thënë ai.
Sekretari i përgjithshëm shtoi se bashkëpunimi rajonal ka arritur një moment të rëndësishëm, duke theksuar një vëmendje kaq të madhe për reformat që mund ta rrisin atraktivitetin ekonomik të rajonit tonë dhe ta bëjnë atë më elastik.
Ambasadori Mario Horvatic, përfaqësues i kryesimit kroat të SEECP-së në detyrë 2016-2017, e drejtoi takimin në emër të bashkënikoqirit.
“Ne presim me padurim Ministrinë dhe Samitin e SEECP-së, ku do t’i ndërtojmë këto tendenca pozitive dhe do ta rikonfirmojmë vizionin për perspektivën evropiane të Evropës Juglindore. Për më tepër, Forumi i Dubrovnikut më 1 korrik do ta sigurojë një kornizë më të gjerë për dialogun mbi zhvillimin ekonomik, stabilitetin dhe sigurinë në EJL, duke forcuar këto zona edhe në vendet e basenit të Adriatikut dhe të Mesdheut”, ka thënë ai.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.