Grupe të qytetarëve që po kthehen nga vendet e huaja në Kosovë po trajtohen në mënyrë rigoroze nga organet e shtetit të Kosovës. Ata prej hyrjes nëpër pikat kufitare e deri në vendosjen në karantinë janë nën mbikëqyrjen e autoriteteve të sigurisë dhe ekipeve mjekësore. Sot herët në mëngjes i kanë kthyer në atdhe 39 qytetarë të Kosovës, të cilët ishin të ngujuar në vende të jashtme.
Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Lumir Abdixhiku bëri të ditur se sot në mëngjes i kanë kthyer në Kosovë 39 qytetarët të evidentuar nga ambasadat e Kosovës jashtë, ndërsa të gjithë do të vendosen në karantinë për 14 ditë.
Abdixhiku bëri të ditur se kthimi i qytetarëve të evidentuar nga ambasadat tona jashtë, në mënyrë të kujdesshme, të organizuar e pa rrezik për qytetarët do të vazhdojë.
“Sot herët në mëngjes kthyem në atdhe 39 qytetarë të Kosovës, të ngujuar jashtë; fëmijë, të moshuar, gra e burra. Dje kthyem ekipin Kombëtar të Boksit. Të gjithë do të vendosen në karantinë 14 ditore në Qendrën Studentore në Prishtinë. Kthimi i qytetarëve të evidentuar nga ambasadat tona jashtë, në mënyrë të kujdesshme, të organizuar e pa rrezik për qytetarët këtu – do të vazhdojë. Këtë punë do ta bëjmë dhe zhvillimet tjera s’janë brenga e jona tani”.
Ai ka thënë se Ushtria e Kosovës po e ndihmojnë në këtë punë.
“ E falënderoj Ministrin Quni dhe Ushtrinë e Kosovës që menjëherë dhe me profesionalizëm po na ndihmojnë. Qytetarët e ngujuar jashtë, që në urgjencë duan të kthehen në Kosovë, duhet të vazhdojnë të kontaktojnë ambasadat tona. Secili i kthyer do të vendoset në Konvikte për 14 ditë”.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar së gjatë ditës së djeshme nuk është konfirmuar asnjë rast pozitiv me koronavirus.
Sipas IKSHPK-së, në qendrën e thirrjeve deri më tash janë pranuar në total 2.597 thirrje, ndërsa vetëm në 24 orët e fundit janë pranuar 553 thirrje telefonike.
Ndërkohë, deri më tani 20 raste kanë rezultuar pozitiv me koronavirus.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.