Këshilla nga Mark Cuban për të gjetur pasionin tuaj, si të silleni me njerëzit, si ta nisni ditën dhe investimi më i mirë që mund të bëni.
Mark Cuban është një biznesmen, producent filmash, investitor, filantrop, personalitet televiziv dhe shkrimtar amerikan. Shumë njerëz e pyesin atë për këshilla dhe Cuban është i lumtur t’i ndajë me të tjerët.
Si të gjeni pasionin
Pyet 10 persona nëse e duan atë që bëjnë, dhe nëntë ndoshta do të thonë jo.
Sipas Cuban, ky nuk është problem. Ai mendon se shprehja “ndiq pasionet e tua” është “një nga gënjeshtrat e mëdha të jetës” dhe është “këshilla më e keqe, që mund të japësh ose të marrësh ndonjëherë”.
Për të, pasioni nuk është shkëndijë. Siç thotë Kuban, përpjekja është shkëndijë.
“Shumë njerëz flasin për pasionin, por në të vërtetë nuk duhet të përqendroheni te pasioni. Kur shikon se ku shpenzon kohën tënde, ku i drejton përpjekjet, këto priren të jenë gjërat në të cilat je i mirë. Dhe nëse i kushtoni mjaftueshëm kohë, prireni të bëheni vërtet të mirë në të.
Askush nuk heq dorë nga asgjë të cilën e bën mirë, sepse është kënaqësi të jesh i mirë. Është kënaqësi të jesh një nga më të mirët. Por, për të qenë një nga më të mirët, duhet të përpiqeni. Pra, mos ndiqni pasionet. Ndiqni përpjekjet tuaja.”
Ndërsa është e lehtë të supozohet, se pasioni i sipërmarrjes drejton përpjekjet sipërmarrëse, studimet tregojnë se e kundërta është gjithashtu e vërtetë: pasioni sipërmarrës rritet me përpjekje.
Sa më shumë punë që bëjnë sipërmarrësit në startup-et e tyre, aq më shumë entuziastë bëhen për bizneset e tyre.
Por, përpjekja gjithashtu mund të ndezë pasion, i cili nga ana e tij ndez përpjekje më të mëdha dhe pasion më të madh, derisa një ditë të zgjoheni dhe të kuptoni se po bëni atë që doni, edhe nëse nuk filloi kështu.
Të qenët i sjellshëm
Një nga aftësitë më të nënvlerësuara në biznes, tani për tani, është të jesh i sjellshëm dhe i mirë.
Edhe pse të qenët i mirë nuk duhet të jetë një strategji, gjithsesi do t’ju bëjë më efektiv. Jini të mirë dhe njerëzit e tjerë do falin më shumë gabimet tuaja; do të jenë më tolerantë ndaj mungesës së përvojës ose aftësive; do të jenë më të gatshëm për të punuar, ndihmuar dhe nxitur.
Dhe nëse jeni drejtues, ka më shumë mundësi që stafi t’ju ndjekë.
Investimi më i mirë që mund të bëni
Investimi në startup është një nga punët e Kubanit. Por, kur u pyet për të përmendur disa nga investimet e tij më të mira, ja çfarë tha ai:
“Disa nga investimet më të mira, që kam bërë ndonjëherë, ishte investimi në veten time, para së gjithash.
Kur filloni për herë të parë, mund të keni ose jo një punë. Ju nuk keni para. Jeni në një pasiguri të plotë për karrierën tuaj. Ajo që mësova herët është se nëse bëj përpjekje, mund të mësoj pothuajse çdo gjë. Mund të më marrë shumë kohë, por ky investim në veten time, më ka dhënë dividentë për pjesën tjetër të jetës.
Të mësuarit me të vërtetë është aftësi; duke vazhduar të mësoj edhe sot e kësaj dite, unë mund të konkurroj dhe të kaloj përpara shumicës së njerëzve, sepse e vërteta është se shumica e njerëzve nuk e gjejnë kohën për të mësuar. Kjo është gjithmonë më jepte një avantazh konkurrues.”
Ju mund të mos keni talent, aftësi apo përvojë. Por, ajo që të gjithë kemi është koha: koha për të investuar në veten tonë. Koha për të përmirësuar aftësitë dhe lidhjet tona profesionale.
Investimi në veten tuaj do të sjellë rezultate më të mira afatgjata, se çdo investim tjetër që mund të bëni, sepse nëse bëni përpjekje, gjithmonë merrni një kthim.
Aftësitë e shitjes
Një tjetër investim që do të paguajë përgjithmonë? Fitimi i aftësive të shitjes. Kur u pyet, se çfarë do të bënte nëse do t’i duhej të fillonte nga e para, ja çfarë tha Cuban:
“Do të gjeja një punë si barist natën dhe një punë shitës ditën, dhe do të filloja të punoja. A do të mund të bëhesha përsëri multimilioner? Unë nuk kam asnjë dyshim se po.”
Pse aftësitë e shitjes kanë kaq shumë rëndësi? Nëse jeni një drejtues, duhet të jeni në gjendje të shpjegoni logjikën dhe përfitimet e një vendimi.
Duhet të jeni në gjendje të bindni njerëzit e tjerë, që idetë tuaja kanë kuptim. Ju duhet t’i ndihmoni njerëzit, të kuptojnë përfitimet e një mënyre, perspektive ose këndvështrimi, si dhe të jeni në gjendje të motivoni, nxisni dhe frymëzoni.
Të gjitha këto kërkojnë aftësi shitjeje, pasi në fund të fundit aftësitë e shitjes janë “vetëm” aftësi komunikimi. Dhe aftësitë e komunikimit janë vendimtare në të gjitha aspektet e jetës.
Përparësia e detyrave
“Gjëja e parë që bëj, kur jam shtrirë në shtrat, është të marr telefonin dhe të filloj të shikoj postën time elektronike. Cilatdo qofshin gjërat stresuese, përpiqem t’i bëj ato në mëngjes.”
Pavarësisht se sa e vështirë mund të duket kjo, shkenca pajtohet me mënyrën e tij. Sipas një studimi të botuar në Psychology, fillimi i ditës me detyra të lehta, që kanë afate të gjata, e bën më të mundshme që të vazhdoni të shtyni detyra më të vështira, edhe nëse ato detyra të vështira janë shumë më të rëndësishme.
Sigurisht, është kënaqësi ta nisësh ditën duke bërë shumë gjëra të lehta, por ajo që ka vërtet rëndësi është të bësh gjërat e duhura.
Filloni ditën me diçka që vërtet ka rëndësi — ose që, nëse do të mund të zgjidhnit, do të preferonit ta shmangnit — dhe ka shumë më shumë gjasa të kaloni pjesën tjetër të ditës, të përqendruar në detyra të tjera, që kanë më shumë rëndësi për suksesin afatgjatë. / Inc