Ndryshe nga sa besohet, drejtimi i një biznesi me zemër dhe me një qëllim të caktuar ka shumë vlera.
Sot më shumë se kurrë, provat janë të qarta se bizneset duhet të gjejnë dhe të përcjellin një qëllim përtej fitimit për të siguruar angazhimin e klientëve të tyre dhe për të nxitur rezultate sa më të mira në treg
Gjetja dhe komunikimi i këtij qëllimi është shpesh më i rëndësishëm sesa vetë zgjidhja e ofruar. Për shembull, këpucët Toms frymëzuan ҫdokënd duke nxjerrë në pah dhe duke komunikuar në mënyrë efektive qëllimin e lartë nga themeluesi Blake Mycoskie për të ndihmuar shtresat në nevojë duke dhuruar një palë këpucë për çdo palë që shitej.
Ai zbuloi se kthimi ishte shumë më i madh sesa kostoja e këpucëve të dhuruara dhe ekipi i tij u bë shumë besnik, për shkak të mundësisë për të udhëtuar dhe për të shpërndarë këpucë në vende të tjera.
1. Frymëzohuni nga dëshira për të lënë një trashëgimi të qëndrueshme.
Qëllimi i vërtetë i shumë drejtuesve të bizneseve është krijimi i një trashëgimie personale pozitive, si p.sh. puna kërkimore për të kuruar një sëmundje të vështirë. Por, ata shpesh nuk arrijnë t’ia përcjellin këtë qëllim ekipit të tyre.
Ju duhet ta ndani qëllimin tuaj me të tjerët që në fillim dhe ta theksoni atë në çdo strategji që ndërmerrni. Ndoshta, një trashëgimi më e rëndësishme për ekipin tuaj është mënyra se si i trajtoni ata në biznes. Qëllimi juaj duhet të jetë lënia e një trashëgimie si një lider model.
2. Sfidoni veten tuaj për të ofruar një risi teknike.
Shumë teknologë kanë një pasion për teknologjinë e re, por vetëm pak prej tyre janë në gjendje të komunikojnë vlerën e teknologjisë dhe ndikimin e saj të ardhshëm në shoqëri. Elon Musk, për shembull, ka qenë në gjendje të arrijë suksesin e SpaceX kryesisht duke i lidhur përpjekjet e kompanisë me të ardhmen e njerëzimit për udhëtimet në planetet e tjera.
3. Shfrytëzojeni mundësinë për të udhëtuar dhe për të mësuar ndërkombëtarisht.
Qëllimi juaj mund të jetë thjesht të përmirësoni stilin tuaj të jetesës, por edhe kjo duhet t’i komunikohet ekipit tuaj dhe të theksohet në udhëzimet tuaja strategjike.
Të gjithë duhet të kuptojnë se çfarë ju motivon që të ecni përpara dhe si mund t’ju ndihmojnë për të arritur qëllimin tuaj. Stafi duhet t’ju shohë ju si një njeri.
Për Logan Green nga Lyft, qëllimi i tij për udhëtimet ndërkombëtare e ndihmoi që të frymëzonte krijimin dhe rritjen e një biznesi që ndryshoi të gjithë industrinë.
Duke gjetur perspektiva të reja, ai ishte në gjendje të ripërcaktonte modelet e biznesit dhe të plotësonte nevojat e klientëve në mënyra të reja dhe të menҫura.
4. Synoni të reduktoni vështirësitë dhe vuajtjet personale.
Shumë prej nesh kanë humbur një të dashur ose kanë vuajtur personalisht nga sëmundje të ndryshme të rrezikshme për jetën. Nëse biznesi juaj është i lidhur me teknologjinë shëndetësore, ju mund ta ndani këtë histori personale me ekipin dhe me klientët tuaj, duke kërkuar ndihmën e tyre në vend që të përqendroheni te përfitimet, çmimet dhe proceset.
Gjithashtu, pavarësisht se cila është vështirësia ose vuajtja juaj aktuale, është e rëndësishme që të vazhdoni të besoni se çdo gjë që po kaloni do t’ju ndihmojë të rriteni akoma më shumë, dhe ky është qëllimi i biznesit. Teksa ju rriteni, do të rritet edhe ekipi dhe klientët tuaj.
5. Plotësoni nevojën për përmbushjen e stilit të jetës personale.
Shumë nga organizatat më të suksesshme të modës u krijuan rreth një lideri me qëllimin e përkushtimit personal ndaj një stili jetese më të bukur. Këtë mund ta vëmë re sot në internet.
Njerëzit që dominojnë mediat sociale si “influencers” i orientojnë klientët drejt tendencave dhe brandeve të reja.
6. Pranoni sfidën për të ndarë me të tjerët një aftësi unike.
Ne të gjithë kemi pika të forta unike, të tilla si aftësitë e dizajnit ose krijimi i marrëdhënieve të mira me të tjerët.
Ju mund të vlerësoni pikën tuaj të fortë, dhe të dëgjoni miqtë dhe mentorët për të gjetur dhe për të nxjerrë në pah një qëllim që ndoshta nuk e keni parë te vetja tuaj. Ndarja e këtij qëllimi është shumë më efektive për klientët sesa shitjet dhe marketingu.
Çdo lider në biznes dhe klient mund ta kuptojë menjëherë nëse ju ose dikush në ekipin tuaj nuk ka asnjë qëllim dhe thjesht po bën punën.
Të pasurit e një qëllimi është më e qëndrueshme me kalimin e kohës, frymëzon një shërbim më të mirë, përforcon vlerat e kompanisë dhe rrit performancën. Bëhuni modeli për të gjithë rreth jush duke gjetur qëllimin tuaj dhe duke ia komunikuar atë të tjerëve./ INC