Teksa nuk ka shenja se ekonomia e BE-së do të rigjallërohet së shpejti dhe do të tërheqë me të edhe Ballkanin Perëndimor, rajoni po kërkon për partnerë të ri biznesi, shkruan Dushan Reljiç, shef i Zyrës së Brukselit të Institutit Gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë (SWP). Ky artikull është shfaqur fillimisht në faqen e internetit të Politička misao (Shqyrtimi Shkencor Politik Kroat) në Zagreb.
Bashkimi Europian (BE) duhet të frikësohet vetëm për veten, në vend që të humbasë në fantazitë e gabuara rreth mënyrës se si Rusia po arrin ndikim gjithnjë e më të madh në Europën Juglindore. Vetëm në qoftë se vazhdon të bjerë kredibiliteti dhe tërheqja ekonomike e BE-së në rajon, fuqitë joeuropiane do të mund të arrijnë një rol më të madh në të ashtuquajturin Ballkani Perëndimor. Për t’u integruar – në kuptimin politik, të sigurisë, juridik dhe ekonomik, është një aftësi e lindur vetëm e Bashkimit Europian.
Megjithatë, vendet e tij anëtare mund të humbasin gjithashtu Europën Juglindore përballë grindjeve të Rusisë, Turqisë, Kinës dhe disa shteteve islame që, pa dyshim, do të preferojnë të kenë më shumë ndikim në rajon. Anëtarët kryesorë të BE-së duhet të mbledhin mendjen.
Pas përfundimit të luftërave për vazhdimësinë e Jugosllavisë, BE-ja, me bekimin e SHBA-së, hartoi planin për të arritur stabilitet të përhershëm në kontinent. Ky plan, i njohur gjithashtu si Strategjia Europiane e Sigurisë (2003), parashikoi si instrumentin e saj kryesor në Europën Juglindore anëtarësimin eventual të të gjithë shteteve pasuese të Jugosllavisë dhe Shqipërisë në BE.
Funksionimi i kësaj skeme mund të mos shmanget, madje as teorikisht, nga taktikat e hartuara nga Rusia, Turqia ose ndonjë tjetër faktor ‘i tretë’. Ajo është e rrezikuar vetëm nga shtyrja e pafund e pranimit të shteteve të mbetura të Ballkanit Perëndimor në BE në një të ardhme të pasigurt. Shkaqet kryesore të vonesës janë kontradiktat ekonomike që sa vijnë e rriten në procesin e integrimit europian dhe, në veçanti, dështimi i tranzicionit ekonomik në shumicën e vendeve ish-socialiste.
Këto probleme kritike janë rënduar nga politikat e BE-së në kundërshtim të zgjerimit, prioriteteve të veçanta politike të disa shteteve më të fuqishme anëtare të BE-së dhe oportunizmit të vendeve të BE-së në Europën Juglindore që abuzojnë me procesin e zgjerimit për qëllimet e tyre politike kombëtare.
Integrimi në BE duhet të arrijë në konvergjencë – e cila do të thotë kushte afërsisht të krahasueshme ligjore, ekonomike dhe sociale në shtetet anëtare. Në vend të kësaj, kriza financiare dhe ekonomike që prej vitit 2009 përkeqësoi divergjencat mes tyre. Përgjithësisht, veriu i Europës (Gjermania, Holanda, dhe shtetet nordike) ka vuajtur më pak nga krizat dhe po e përmirëson performancën e saj ekonomike, ndërsa jugu i Europës (Greqi, Itali, Spanjë, Portugali) nuk po e merr ende veten. Tranzicioni i ish-vendeve socialiste të Europës Lindore duhet të kishte udhëhequr drejt konvergjencës me vendet e vjetra anëtare të BE-së. Në fakt, as Gjermania Lindore, e cila u dynd nga 2 trilion eurot e Gjermanisë Perëndimore, nuk mundi të arrijë nivelin e pjesës tjetër të vendit. Europa Lindore duket të jetë dënuar të mbetet për një kohë të gjatë prapa veriperëndimit të kontinentit në aspektin e performancës ekonomike dhe prosperitetit social. Edhe në ish-Jugosllavi, pavarësisht nga Sllovenia dhe Kroacia që tanimë janë anëtarë të BE-së, rezultatet e premtuara nuk u arritën: standardet e jetesës janë kryesisht për faqe të zezë, prodhimi industrial ka rënë në masë të madhe dhe është e kudogjendur në të njëjtën kohë ndjesia e pashpresë te të rinjtë që i nxit ata të migrojnë drejt veriperëndimit, si moshatarët e tyre në Europën Juglindore. Strategjia e zgjerimit të BE-së në të kaluarën e afërt kryesisht nuk i pranoi kontradikta të tilla. Në vend të kësaj, zyrtarët në Bruksel dukeshin kryesisht të etur për të zbutur popullsinë e BE-së, e cila shpreh qëndrime gjithnjë e më të vrazhda kur bëhet fjalë për pranimin e anëtarëve të rinj në klub. Që prej disa kohësh, më pak se 50% e qytetarëve të BE-së janë në favor të zgjerimit të saj. Në Gjermani, kjo përqindje është afër 20% dhe ndër më të ulëtat në BE.
Mesa duket, strategët e Brukselit menduan se duke ushtruar masa shtrënguese ndaj anëtarëve të rinj të mundshëm të BE-së, ata nuk do t’i akordonin më shumë terren ksenofobëve (persona që urrejnë të huajt). Kandidatët për anëtarësim në BE duhet të jenë 110% të gatshëm, tha ish-komisioneri i zgjerimit, Stefan Füle, në mënyrë të përsëritur. Nëse rezultatet e zgjedhjeve të fundit të populistëve të krahut të djathtë në disa shtete të BE-së shërbejnë si tregues të suksesit të kësaj strategjie, atëherë kjo nuk ka dëshmuar të jetë e përshtatshmja.
Duke lidhur procesin e saj të zgjerimit kryesisht me gjendjen e masave të gjera të Europës Perëndimore, BE-ja neglizhoi faktin se kriza e saj financiare dhe ekonomike kishte lënduar keqazi ekonomitë e Ballkanit Perëndimor dhe kishte reduktuar aftësinë e vendeve kandidate për t’iu afruar më pranë Bashkimit. Si një pjesë thelbësore e qëllimit të tyre për t’u lidhur me BE-në edhe më parë anëtarësimit, vendet e rajonit orientuan pothuajse dy të tretat e tregtisë së tyre të jashtme drejt bllokut (pjesën më të madhe drejt Gjermanisë, Italisë dhe në sasi shumë më të vogla drejt vendeve të tjera anëtare). Sistemi bankar i vendeve të Ballkanit Perëndimor i takon në pothuajse 90% të tij disa bankave të vendeve të BE-së (Gjermania, Italia dhe në një përqindje më të vogël edhe Francës, Austrisë dhe Greqisë). Kriza ekonomike në BE shkaktoi tkurrjen e tregtisë me vendet e Ballkanit Perëndimor, tërheqjen e kapitalit nga degët e Ballkanit Perëndimor të bankave të BE-së, dhe në një ndalim pothuajse të plotë të investimeve të BE-së në rajon. Remitancat e punëtorëve migrantë ranë gjithashtu. Teksa nuk ka shenja se ekonomia e BE-së do të rigjallërohet së shpejti dhe do të tërheqë me të edhe Ballkanin Perëndimor, rajoni po kërkon për partnerë të ri biznesi – në Kinë, Rusi, Turqi, shtetet arabe dhe kudo tjetër ku ka rritje ekonomike. Në terma afatgjatë, ky riorientim ofron terrenin e duhur për rritjen e ndikimit politik të aktorëve joeuropianë. Megjithatë, faktorët gjeografikë nga vetë natyra luajnë një rol vendimtar: është qesharake të besosh për shembull në mundësinë që Serbia t’i bashkohet Bashkimit Ekonomik të Euroazisë. Ose: askush në Ballkan, as edhe udhëheqësit e djathtë myslimanë në Bosnjë-Hercegovinë apo nacionalistët e ‘thekur’ shqiptare në Prishtinë, nuk shqetësohen shumë ndaj ftesave turke për t’iu bashkuar përpjekjeve për të hyrë në BE – pikërisht tani kur vetë Turqia po lëviz me shpejtësi në një tjetër drejtim gjeopolitik.
Strategjia e zgjerimit të BE-së i është përgjigjur disi recesionit të thellë ekonomik në Ballkanin Perëndimor që nga 2009: duke përmirësuar qeverisjen ekonomike në vendet kandidate dhe kandidatët potencialë po kthehen në një tjetër prioritet. Mesa duket, rritja e deficiteve në buxhetet shtetërore dhe borxhet e larta të jashtme nxitën frikën se një ‘skenar grek’ ka të ngjatë të jetë duke u shfaqur në Ballkanin Perëndimor. Nëse zonës problematike do t’i shtohet dhe një tjetër grup vendesh, BE-ja ndoshta do të duhet të ofrojë garanci financiare për ta apo edhe të ‘pompojë’ para të reja. Kjo është arsyeja pse Komisioni Europian është i prirur të rrisë mbikëqyrjen e tij mbi qeverisjen ekonomike në rajonin e zgjerimit. Megjithatë, lufta në Ukrainë alarmoi disa vendimmarrës në Europë dhe nxiti qeverinë gjermane që të thërrasë një Konference Biznesi të Ballkanit Perëndimor në gusht të vitit 2014. Aktualisht, nuk është e qartë nëse kjo nismë do të prodhojë një ‘Plan Marshall për Ballkanin Perëndimor’ – dhe një sipërmarrje e kësaj shkalle është e nevojshme për të nxitur rritje më të shpejtë dhe të rrisë punësimin në rajon. Për shumicën e shteteve kryesore të BE-së, prioriteti në të kaluarën e afërt konsistonte në përdorimin e procesit të zgjerimit të BE-së në mënyrë që të gjenin një mënyrë për të dalë nga ngërçi i Kosovës.
Qeveritë në Beograd, Prishtinë, Tiranë dhe Shkup deklarojnë se anëtarësimi në BE është prioriteti i tyre politik në mënyrë që diplomatët në Berlin, Londër dhe gjetkë të përfitojnë nga kjo në përpjekje për të rregulluar ‘çështjen shqiptare’ në rajon. Megjithatë, zgjedhjet parlamentare në Serbi dhe Kosovë këtë pranverë e çuan këtë linjë veprimi drejt ngërçit. Është ende për t’u parë kur dhe me sa dinamizëm do të mund të rifillojnë negociatat. Në këtë kontekst, Rusia padyshim që luan një rol të rëndësishëm. Për sa kohë që Moska (dhe Kina) mund të vënë veton ndaj çdo përpjekje që Priština të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit, Kosova nuk do të jetë një shtet i njohur me të drejta të plota. Megjithatë, Serbia gjithashtu nuk do të jetë në gjendje të hyjë në BE derisa të lidhë një marrëveshje me anëtarët e saj kryesore rreth marrëdhënies së saj me Kosovën.
Megjithatë, në këtë drejtim, lufta në Ukrainë mund të sjellë disa ndryshime. U bë pak kohë që udhëheqësit e qeverisë serbe dhe malazeze janë përpjekur të bindin bashkëbiseduesit e tyre perëndimorë se ata vuajnë nën presionin në rritje të Rusisë kështu që Perëndimi duhet të zbusë kushtëzimin për anëtarësim në BE të vendeve të tyre me qëllim forcimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Për ta shprehur atë në gjuhën e përbashkët të sportit dhe politikës: Do të jetë një shfaqje spektakolare në qoftë se ky mashtrim funksionon vërtet.