Bullgaria shpreson që një nismë, e cila ofron pushime falas për nxënësit e shkollës, do të nxisë industrinë e turizmit. Por që sektori të rimëkëmbet plotësisht, duhet të rikthehen turistët e huaj.
Turizmi bullgar, sektor mjaft i rëndësishëm i ekonomisë së vendit, përjetoi vështirësi të mëdha në vitin 2020. Si pasojë e drejtpërdrejtë e pandemisë Covid-19, dhe kufizimeve pasuese ndaj udhëtimeve ndërkombëtare, numri i të huajve që vizitojnë vendin ra me 60% në krahasim me vitin 2019. Fotot e plazheve bosh u bënë të zakonshme, po ashtu edhe historitë që tregonin për rrënimin e bizneseve vendase që varen nga turistët për të mbijetuar.
Ministria e Turizmit e Bullgarisë ka premtuar se ky vit do të jetë ndryshe: nuk do të ketë plazhe dhe vendpushime bosh këtë sezon veror. Por në një kohë kur shumë udhëtime ndërkombëtare janë ende të kufizuara – veçanërisht nga Mbretëria e Bashkuar – vizitorët vendas dhe të tjerë nga vendet në zhvillim të Europës, do të jenë të rëndësishëm në rimëkëmbjen e industrisë turistike bullgare.
Vendi, sigurisht që ka nevojë të rigjallërojë sektorin e turizmit, i cili kontribuon në ekonomi me rreth 12% të PBB-së. Me qëllim për t’u hapur ndaj turistëve, Bullgaria në fillim të këtij muaji ishte një nga vendet e para të Bashkimit Europian që nisi të përdorë certifikatën dixhitale të bllokut për Covid-19. Të gjitha vendet e BE-së pritet të përdorin këtë skemë deri më 1 korrik. BE është tregu më i madh për sektorin e turizmit bullgar. Nga Gjermania, Greqia dhe Rumania mbërritën nga 1 milion vizitorë në vitin 2019.
Që nga fillimi i pandemisë, 1.7 milionë rumunë kanë vizituar Bullgarinë dhe përbëjnë shumicën dërrmuese të mbërritjeve ndërkombëtare. Vendpushimet e Detit të Zi në Bullgari, si Sunny Beach, zakonisht më popullore për udhëtarët britanikë dhe gjermanë, tani po mirëpresin kryesisht turistë vendas, rumunë, polakë dhe nga vendet baltike, pasi çmimet në shumë rezorte dhe hotele thuajse janë përgjysmuar që nga viti 2019.
Ryanair ka rinisur fluturimet charter verore në bregdetin bullgar nga Varshava, po ashtu edhe Wizz Air nga Praga dhe Brno. Operatori rus turistik Pegas Touristik, këtë muaj rinisi fluturimet në aeroportet bregdetare të Bullgarisë nga 11 qytete ruse.
Nevojiten vendas
Por në një kohë kur shumë njerëz në botë ende nuk janë gati për të shkuar me pushime jashtë shtetit, udhëtimet brenda vendit do të jenë jetike këtë verë. Së fundmi, Ministria e Arsimit nisi një fushatë për të bindur bullgarët të pushojnë në atdhe. Me sloganin “Sërish së bashku”, fushata do të ofrojë një pushim 6-ditor në një plazh apo vendpushim malor për 30,000 nxënës shkolle.
Ministri i Arsimit i Bullgarisë, Nikolai Denkov, premtoi një “qasje të re ndaj personave më të prekur nga pandemia” në një konferencë muajin e kaluar, duke përmendur shqetësimet për shëndetin mendor si motivimin kryesor për nismën.
“Një nga efektet më të mëdha të pandemisë është zvogëlimi i kontakteve sociale, që ka pasur ndikim të rëndë te nxënësit. Kjo është arsyeja pse duhet të krijojmë mjedise dhe programe kulturore, në mënyrë që fëmijët të fillojnë të plotësojnë boshllëqet e grumbulluara në dy vitet e fundit akademike”, tha Denkov.
Fushata parashikon që 7% e nxënësve të moshës 7 deri në 18 vjeç, do të përfitojnë një pushim veror falas, ku do të përfshihet hoteli, udhëtimi, ushqimi, vizitat në muze dhe kujdesi mjekësor. Përparësi do t’u jepet nxënësve të varfër, si dhe atyre me nota të mira.
Sidoqoftë, megjithëse shumë veta e kanë vlerësuar programin, drejtuesit e shkollës, të cilët janë ngarkuar me përzgjedhjen e nxënësve që mund të përfitojnë, kanë argumentuar se nivelet e larta të shtresimit shoqëror në Bullgari, e bëjnë të vështirë zgjedhjen e nxënësve për programin.
Kur vendi doli nga karantina në prill, shkollave iu dha liria të vendosnin nëse do të vazhdonin mësimin në distancë apo do të ktheheshin në mësimet në klasë. Duke marrë parasysh se një nga qëllimet e programit është adresimi i izolimit dhe shëndetit mendor të nxënësve, përparësi do t’u jepet shkollave që po kryejnë ende mësim në distancë.
Por drejtorët e shkollave, ku shumica e nxënësve jetojnë nën kufirin kombëtar të varfërisë dhe ku shumica e nxënësve nuk flasin bullgarisht në shtëpi, thanë se e kishin më të vështirë të përshtaten me mësimin online dhe ka më shumë të ngjarë të rikthehen përsëri në mësimin në klasë sa më shpejt të jetë e mundur.
Një shqetësim tjetër rreth programit është përhapja e Covid-19. Bullgaria mbetet e vonuar në vaksinim. Shkalla e saj e vaksinimit është më e ulëta në BE dhe megjithëse normat e vaksinimit janë dukshëm më të larta te të rinjtë, ka të ngjarë që vaksinimi i fëmijëve të jetë i vështirë, pasi janë përhapur ngado konspiracionet kundër vaksinave.