Kanë vijuar edhe gjatë ditës së sotme diskutimet në Komisionin e Ekonomisë për projektligjin e ri që i hap rrugën nisjes së negociatave për kontratën e ndërtimit të Aeroportit të Vlorës.
Ministri i Financave Arben Ahmetaj tha se numri i pasagjerëve do të jetë 600 mijë pasagjerë në vit për 2-3 vitet e para. Rritja e pasagjerëve pritet që të jetë 7% në vit.
Ahmetaj tha se metodologjia që do të ndiqet për mbulimin e kostos së pasagjerëve do të jetë e njëjtë me atë të Aeroportit të Zagrebit. Sipas tij, parashikohet që kosto minimale e buxhetit për të subvencionuar trafikun e munguar do të jetë 2.5 milionë dollarë në vit, ndërsa nuk përmendi një shifër maksimale. Pjesën tjetër të riskut e merr përsipër vetë kompania.
Rritja e konkurrencës nga vënia në funksion e aeroportt të ri, pas heqjes së monopolit të Rinasit pritet që të ndikojë pozitivisht dhe në uljen e tarifave të biletave.
Ndërsa Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri ka përsëritur se qeveria po ndërmerr një risk minimal për projektin.
Skeptike për projektin ka qenë deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku.
Ajo ka pyetur dy ministrat se pse ky projekt nuk i nënshtrohet ky projekt ligjit të koncesioneve? Lidhur me garancinë sovrane për trafikun e munguar ajo shtoi se sipas rregullores së BE po thyhen rregullat se çdo ndikim financiar që vjen nga buxheti i shtetit që është në distancë më të vogël se 100 metra.
Një tjetër shqetësim i saj ishte mungesa e përvojës së kompanisë turke. “Duhet që të ketë të paktën 5 vjet eksperiencë në operim, nuk e plotëson kjo kompani këtë kriter, tha Tabaku, duke shtuar se nuk është e qartë se cila është baza ligjore në Kushtetutë që referohet për këtë marrëveshje.
Gjiknuri u përgjigj se u vendos që këtij investimi strategjik t’i jepet status i veçantë për të pasur transparencë më të madhe. Ky vendim tha ai bazohet në kushtetutë. Lidhur me përvojën, Gjiknuri shtoi se konsorciumi ka ndërtuar disa aeroporte në Turqi, Stamboll, aeroportin e Prishtinës etj.
Projektligji përcakton procedurën e veçantë për negociimin dhe lidhjen e kontratës, ndërmjet shtetit shqiptar dhe shoqërive “Cengiz Construction & Kalyon & Kolin Construction”, me objekt projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e aeroportit të qytetit të Vlorës.
Vlera e ndërtimit të tij do të jetë 100 milionë euro dhe pritet të hapë 1,000 vende pune, ka pohuar Gjiknuri.
Procedura e negociimit për lidhjen e kontratës do të ndiqet nga komisioni i negociimit të kontratës, i ngritur me urdhër të Kryeministrit, i cili kryesohet nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe në përbërje të tij ka anëtarë, përfaqësues nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Avokatura e Shtetit, Autoriteti i Aviacionit Civil dhe përfaqësues nga institucione të tjera që gjykohen të nevojshme, i cili fillon negociatat brenda 45 ditëve nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Komisioni i negocimit të kontratës negocion me shoqëritë “Cengiz Construction & Kalyon & Kolin Construction” propozimin e paraqitur prej tyre dhe përpilon projektkontratën finale, shoqëruar me relacionin përmbyllës të negociatave.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.