Në kuadër të investimeve të huaja në Shqipëri, si dhe promovimit të biznesit që lufton informalitetin, ministri Ahmetaj ka vizituar një industri të re, që pritet të sjellë zhvillim në ekonominë vendase.
Ministri i MZHETTS Ahmetaj, gjatë vizitës në kompaninë automotive gjermane Forschner, ka bërë publike se kjo kompani ka vetëm pesë muaj që ka filluar, ka rreth 75 punonjës dhe shton çdo jave, duke trajnuar, nga pesë punonjës të rinj.
” Ka shumë vlerë të shtuar për ekonominë, jo vetëm për numrat që do të shtojë në të ardhmen, por mbi të gjitha për kulturën e re të punës dhe të trajnimit të punonjësve për industri të reja dhe i ka të gjitha gjasat të kthehet në një pikë ekselence për tërheqjen e investitorëve të tjerë në fushën e prodhimit të pjesëve të automobilëve.”- ka deklaruar Ahmetaj, duke shtuar se kjo kompani pritet të ketë deri në 350 punonjës në vitin 2016.
” Siç kemi deklaruar dhe siç ka deklarua edhe Banka e Shqipërisë, jemi në shifra rekord të tërheqjes së investimeve të huaja, të cilat gjithsesi, për atë aspiratë dhe ambicie që ka Shqipëria dhe që kemi ne nuk janë mjaft, por është një shenjë shumë e mirë edhe diversifikimi i prodhimit shqiptar që eksportohet në Europë.
Pra, nga një fason modest që ka qenë në të kaluarën, po kalojmë gjithnjë e me shumë drejt cikleve të plota të prodhimit apo në degë të reja prodhimi si kjo që shohim sot këtu.
E falënderoj kompaninë për inisiativën që ka marrë. Kemi diskutuar gjatë përreth një vit e gjysëm, dhe është kënaqësi që më në fund vendosën të stabilizohen dhe të prodhojnë në Shqipëri.
Investime të tilla janë edhe shembuj në luftën kundër informalitetit, për mënyrën sesi i deklarojnë punonjësit, si i trajnojnë dhe si e deklarojnë të gjithë prodhimin e vet”- tha Ahmetaj.
I pyetur nëse qeveria shqiptare parashikon politika fiskale lehtësuese për investitorët e huaj vitin e ardhshëm, Ministri Ahmetaj tha:
“Një nga arsyet pse Forschner Group është këtu janë edhe lehtësitë që ka ofruar dhe politikat fiskale që ka ofruar qeveria. Unë jam i bindur që gjithë kuadri procedurial, administrativ dhe fiskal që në kemi stabilizuar dhe po përmirësojmë, do të bëjë të mundur ardhjen e shumë më shumë kompanive gjermane apo kompanive të huaja, apo zgjerim të sipërmarrjes vendase.”
Administratori i Forschner tregoi arsyet pse kompania e tij zgjodhi Shqipërinë për të investuar.
“Gjatë vitit të kaluar ne analizuam shtatë vende. Vizita ime e parë në Shqipëri ishte në verën e vitit të kaluar kur erdha në Tiranë, takova shumë njerëz të rinj, i pashë të motivuar dhe duke parë moshën mesatare shumë të re menduam se do të ishte vendi i duhur për të nisur aktivitetin në fushën automotive. Një arsye tjetër ishte se vendosëm një marrëdhënie shumë të mirë me Ministrinë e Ekonomisë këtu dhe Ministrin me të cilin u takuam para një viti në Berlin. Jemi të lumtur për eksperiencën tonë këtu dhe për vendimin e mirë që morëm . Unë mendoj që ju i keni mundësitë për të sjellë investitorë të huaj më shpejt në vend. Ne sapo kemi filluar dhe unë kam disa ide të cilat do t’i diskutojmë me Ministrin në ditët në vijim dhe mendoj që nëse do të gjenim partnerët e duhur, do të ishte mirë për ne si kompani që të rritemi në këtë treg, por edhe për kompani të tjera të huaja sidomos ato në fushën automotive”- tha ai.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.