Aksioni Antiinformalitet ka prodhuar problematika nga më të ndryshmet që kur nisi në fillim të muajit duke vënë në vështirësi administratën tatimore dhe QKR për të përballuar flukset e regjistrimit.
Por askujt nuk i kishte shkuar mendja se drejtoritë rajonale të tatimeve nuk do të mund të bënin furnizime të rregullta me blloqet e faturave të TVSH-së.
Bizneset në kushtet e konfidencailitetit pohuan se, dje nuk kanë mundur të pajisen me blloqet e faturave të TVSH pranë degëve të tatimeve, në Tiranë. “Blloqet kanë mbaruar, kur të vijnë nga shtypshkronja do t’ju furnizojmë” ka qenë përgjigjja që kanë dhënë zyrat e tatimeve në degët rajonale në Tiranë.
Ditët e fundit kërkesa për blloqe faturash ka qenë më e lartë se rutina e zakonshme duke i gjetur kështu zyrat e tatimeve të përgatitura për të përballuar fluksin e kërkesave. Por kjo neglizhencë ka ngrirë aktivitetin e bizneseve që janë përfshirë në TVSH.
Që në momentin e aktivizimit në TVSH tatimpaguesit duhet të faturojnë TVSH në faturat që do të lëshojnë për shërbimet që kryejnë. Për tu pajisur me fatura tatimore me TVSH (blloqet e faturave me TVSH) ato drejtohen pranë Drejtorive Rajonale Tatimore ku janë të regjistruar.
Të kontaktuar për këtë situatë nga Monitor, burimet zyrtare në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve nuk kanë qenë në dijeni të kësaj anomalie në Drejtoritë Rajonale.
të njëjtat probleme janë konstatuar javët e fundit dhe në QKR, ku u mbaruan NIPT-et dhe në operatorët e autorizuar të kasave fiskale, ku duhet të prisje tre javë për të marrë kasën.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.