Asetet e sektorit bankar të mbajtura jashtë vendit ranë ndjeshëm në vitin 2020. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, aktivet jo rezidente në fund të vitit kishin vlerën e 333.4 miliardë lekëve, në rënie me 5.1%, ose rreth 18 miliardë lekë, krahasuar me fundin e vitit 2019.
Aktualisht, aktivet jorezidente përbëjnë rreth 21% të totalit të aktiveve të sistemit bankar. Krahasuar me një vit më parë, pesha e tyre specifike ka rënë me rreth 3 pikë përqindje. Pesha e aktiveve jorezidente paraqitet në nivelet më të ulëta që prej vitit 2013.
Megjithëse vitin e kaluar, aktivet e sektorit në valutë të huaj janë rritur, shtesa e aktiveve është investuar brenda vendit. Në fund të dhjetorit, totali i aktiveve në valutë arriti në 811 miliardë lekë, 4.8% më shumë krahasuar me një vit më parë. Rritja e aktiveve në valutë është kryesisht rezultat i ecurisë pozitive të depozitave në euro, që kanë vijuar rritjen edhe gjatë vitit 2020, duke krijuar mjete të reja. Por, këto mjete bankat i kanë investuar kryesisht brenda vendit.
Në fillim të muajit prill, Ministria e Financave organizoi një ankand të obligacioneve dyvjeçare në euro në tregun e brendshëm, përmes të cilave siguroi një hua në vlerën e 100 milionë eurove. Ndërsa në muajin qershor u realizua emetimi i Eurobondit me vlerë 650 milionë euro, ku sërish bankat shqiptare besohet se morën pjesë me shuma të mëdha. Në kushtet e normave reale negative të interesit, vendosjet jashtë përgjithësisht nuk sjellin përfitime për bankat. Për të thithur likuiditetin e lirë në valutë të sektorit bankar, në raste të veçanta qeveria shqiptare emeton tituj në valutë të huaj në tregun e brendshëm.
Përmirësimi i kreditimit gjithashtu ka ndikuar në një investim më të madh në ekonominë e brendshme të depozitave në euro. Sipas Bankës së Shqipërisë, vitin e kaluar, kredia për sektorin privat u rrit me 7.7%. Megjithëse më shumë se 60% e kredisë së re u dha në lekë, edhe kredia në euro vlerësohet të ketë pasur një tendencë pozitive.
Historikisht, aktivet jorezidente kanë pasur një peshë të konsiderueshme në strukturën e aktiveve të sistemit bankar shqiptar.
Kjo lidhet më së shumti me nivelin e lartë të euroizimit të ekonomisë dhe sistemit financiar shqiptar. Depozitat në euro përbëjnë 52% të totalit dhe tregu i brendshëm nuk ofron mundësi të mjaftueshme për investimin e tyre, sidomos në dekadën e fundit kur kriza e futi kreditimin në një stanjacion të gjatë. Kreditimi në valutë për klientë me të ardhura në lekë shtron gjithashtu rreziqe të lidhura me luhatjet e kursit të këmbimit, që mund të prekin aftësinë paguese të huamarrësit. Për këtë arsye, bankat po tentojnë të ulin këto ekspozime, duke e orientuar kreditimin në valutë kryesisht tek ato ndërmarrje që kanë të ardhurat po në të njëjtën monedhë.
Aktivet e mbajtura jashtë vendit në pjesën më të madhe konsistojnë sidomos në depozita dhe llogari në banka të huaja dhe në obligacione. Një pjesë më të vogël përbën huaja për subjekte jorezidente në Shqipërisë, sidomos kredi për kompanitë private. /E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.