Vlera e aktiveve jofinanciare të bankave ka rënë në nivelin më të ulët prej vitit 2017, duke sinjalizuar një ulje të fluksit të kolateraleve të riposeduara nga procesi i ekzekutimit të detyrueshëm.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se vlera e aktiveve jofinanciare në fund të shtatorit ra në 40.5 miliardë lekë, niveli më i ulët në tre vjet.
Aktualisht, aktivet jofinanciare përbëjnë rreth 2.5% të totalit të aktiveve të sektorit bankar. Vlera e tyre arriti vlerën maksimale prej rreth 45 miliardë lekësh gjatë vitit 2018, ndërsa prej atëherë ka nisur një rënie graduale.
Rritja e aktiveve jofinanciare të bankave u shpejtua sidomos pas vitit 2012, me rritjen e raportit të kredive me probleme. Bankat shpesh u detyruan të riposedonin prona të pashitura në ankandet e procesit të ekzekutimit të kolateralit. Më problematiket për t’u shitur rezultuan tokat dhe ndërtesat komerciale, sidomos ato jashtë qendrave të rëndësishme urbane.
Rritja e peshës së kolateraleve të riposeduara në bilancet e bankave e detyroi Bankën e Shqipërisë të ndryshonte rregulloren “Për administrimin e rrezikut të kredisë” në vitin 2016, duke parashikuar dispozita të veçanta për këto prona. Mbajtja e një vlere të lartë pronash në bilance i ekspozon bankat ndaj rrezikut të rënies së çmimit të tyre dhe humbjeve të mundshme, ndaj Banka e Shqipërisë vendosi që ky rrezik duhet mbajtur nën kontroll përmes zhvlerësimit gradual të tyre.
Bankat, në rastet kur nuk mund të shesin pasuritë e paluajtshme të përftuara kundrejt shlyerjes së kredive brenda vitit të parë të përfitimit të tyre, duhet të krijojnë fonde rezervë për mbulimin e humbjeve. Rregullorja parashikon që niveli i provigjionimit fillon nga 5% në vitin e parë, deri në 100% në vitin e shtatë të mbajtjes së tyre në bilanc. Kjo nënkupton se, sa më gjatë të mbahen këto prona në bilanc, aq më shumë rritet kosto për bankat. Veç kostos së rrezikut, rritja e numrit të pasurive të paluajtshme të marra në pronësi rriti edhe kostot operacionale për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e tyre.
Ulja e vlerës së pronave të marra në pronësi nga bankat mund të jetë një rrjedhojë e përmirësimeve në cilësinë e portofolit të kredisë së sektorit bankar. Raporti i kredive me probleme këtë vit ka rezultuar i qëndrueshëm pak sipër nivelit të 8%. Sipas Bankës së Shqipërisë, kreditë me kolateral në formën e pasurive të paluajtshme zënë rreth 53% të portofolit të kredisë bankare. Kolaterali që statistikisht duket se e garanton më pak cilësinë e portofolit të kredisë ngelet toka. Kreditë e kolateralizuar me tokë kanë raportin më të lartë të kredive me probleme. Por, në krahasim me një vit më parë, raporti i kredive me probleme për kreditë e kolateralizuara me tokë shënoi rënien më të shpejtë, me rreth 6.6 pikë përqindje në nivelin 11.7%. Ky është niveli më i ulët i raportuar gjatë dhjetë viteve të fundit./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.