“Albania Oil, Gas e Energy 2015” ishte eventi që mblodhi aktorët më të rëndësishëm të fushës së nxjerrjes dhe prodhimit të naftës, gazit dhe energjisë.
Rama: Albpetrol-i dhe TAP, mundësi rritje në këtë sektor
Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në takim , ripërsëriti se energjia është fokusi i qeverisë shqiptare, sektor i cili do të realizojë rritjen ekonomike të kërkuar.
“Drejtimi ynë për politikat energjitike është ai kah atyre të BE, për të cilat besojmë se janë çelësi i integrimit rajonal dhe për më tepër, i një rajoni që duhet të arrijë të përdorë potencialin e vet natyror energjitik, me kapacitete të plota”,- tha Rama.
Kryeministri, në të njejtën linjë vijoi: “Për sa i përket rajonit tonë, mendoj se fjalët kyçe të planit tonë energjitik janë ndërlidhje energjitike që mundëson lidhje mes vendeve të Europës jug-lindore dhe jugore”.
“ Ne kemi fillur punën tonë këmbëngulëse për të reformuar bazën tonë ligjore, e cila synon në thjeshtëzimin e procedurave për investitorët. Kuvendi ka miratur një projektligj të ri pak ditë më pare, për hidrokarburet dhe me këtë ligj do të nisë procedura e dhënies së blloqeve të lira të naftës”.- tha më tej kryeministri.
“Jemi shumë të vendosur që të krijojmë në vijimësi, favorizimin e zhvillimit të eksplorimit të këtij sektori duke garantuar klauzola lehtësuese për të gjithë investimin”, tha Kryeministri Rama, i cili shtoi edhe se këtë vit do përfundojë privatizimi i shoqërisë shtetërore ‘Albpetrol’, për të cilin po bëhen dokumentat për privatizimin në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.
Sigurisht, kryeministri Rama nuk la pa përmendur edhe projektin TAP, sipas të cilit i jep disa mundësi unike vendit tonë për t’i bërë lider në rajon.
Ndërkaq, i pranishëm në këtë takim, ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri, duke iu referuar potencialeve me resurse që Shqipëria ofron, nuk harroi t’i bënte ftesë të gjithë investitorëve për çfarë ofron vendi ynë.
Ai gjithashtu iu referua 13 blloqeve të lira në det dhe tokë, me naftë, të cilat duhen shfrytëzuar.
“Pak ditë më parë parlamenti miratoi ndryshimet ligjore që të fillojnë të jepen këto zona të lira. Së shpejti do të jepen 3 blloqet e para, sigurisht duke synuar kompanitë me serioze të interesuara dhe që mund të përballojnë investimet në kërkime”- deklaroi ministri.
” Prodhimi i naftës bruto në Shqipëri, për vitin 2014 arriti në 1.4 milion ton nga 1.2 që ishte një vit më parë. Industria përpunuese është parë gjithashtu me përparësi nga qeveria shqiptare. Rivënia në punë e rafinerive të ARMO-s ka ndryshuar në mënyrë drastike panoramën. Nga 60 mijë ton naftë të përpunuar në vitin 2013, viti i kaluar u mbyll me 260 mijë ton duke shënuar një rritje të fortë.
Përmes edhe investimeve të reja në industrinë e rafinimit, parashikohet se përpunimi i naftës për vitin 2015 të arrijë në mbi 700 mijë ton.”- deklaroi ministri, duke shtuar se sot nxirret dyfish i prodhimit të naftës bruto, krahasuar me 40 vite më parë.
Gjithashtu, Gjiknuri deklaroi se qeveria shqiptare është angazhuar tё kryejё sizmiken nё blloqet e lira detare, me qёllim pёrgatitjen e bazёs sё nevojshme tё tё dhёnave, pёr tё organizuar ankandet pёr blloqet e tjera të lira edhe nё det.
“Vendi ynё garanton një kuadër ligjor fleksibël që mundëson zhvillimin e aktivitetit hidrokarbur në mjedis miqësor ndaj investitorëve të huaj. Ekziston klauzola e stabilitetit fiskal e cila mbron investitorët e huaj nga ndikimi negativ ekonomik për shkak të ndryshimeve të mundshme të kuadrit ligjor. “- deklaroi në fund Gjiknuri, si ftesë e drejtëpërdrejtë për investitorët e pranishëm.
Përgatiti: D. Hyka
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.