Intervistë me Dr. Erkan TABAK, Drejtor i Përgjithshëm, ALBtelecom dhe Eagle Mobile
Telefonatat kanë qenë të shumta ditët e fundit për Dr. Erkan TABAK, Drejtor i Përgjithshëm, ALBtelecom dhe Eagle Mobile, pas zërave të përhapura me shpejtësi për një shitje të mundshme te kompanisë që ai drejton tek gjermanët e Deutsche Telecom. Por, Dr.Tabak, pohon në një intervistë të posaçme për Monitor, se nuk ka asgjë të vërtetë në këto zëra, që sipas tij “kanë dalë me qëllim vënien e shkopinjve nën rrota ndaj rritjes së pandalshme të biznesit tonë”. Z.Tabak pohon se Albtelecom është këtu për të qëndruar dhe do investojë 50 milionë euro për 2015-2016.
Ai flet ndër të tjera dhe lidhur me shtyrjen nga AKEP të fillimit të zbatimit të vendimit për rregullimin e mosdiskriminimit të brendshëm, duk e quajtur zhgënjyes këtë sjellje dhe me pasoja negative në tregun e telefonisë së lëvizshme.
Si ka qenë ecuria e kompanisë ALBtelecom dhe Eagle Mobile në vitin 2014?
Ecuria e biznesit tonë bazë ka qenë shumë e mirë në vitin 2014. Në prill lançuam shërbimin IPTV, i cili pati kërkesë të madhe në tregun shqiptar. Kjo na i shtoi edhe më shumë shpresat dhe dëshirën për të investuar më tepër në këtë shërbim dhe për ta shtirë atë në të gjithë vendin. Sa i përket telefonisë celulare, mund të them se vitin e kaluar, biznesi ynë pati një performancë të shkëlqyer në shitjet me pakicë dhe në shërbimin me parapagesë. Pjesa e vetme me të cilën nuk ishim shumë të kënaqur është telefonia fikse, e cila është në fakt një trend në rënie në të gjithë botën. Përveç kësaj, të gjitha aspektet e tjera të biznesit janë zhvilluar mjaft të mirë.
Ne kemi bërë një sërë investimesh në 2014-n. Ndërkohë që kemi planifikuar edhe investime të tjera të mëdha për vitet e ardhshme. Kemi në plan të investojmë mbi 50 milionë euro në vitet 2015 dhe 2016 për shërbimin 4G, fibrat optike backbone dhe dekoderët e IPTV-së, të cilët jepen falas për klientët tanë. Pra, nga ky këndvështrim, unë besoj se 2015-a do të jetë një vit shumë më i mirë se 2014-a, sepse tashmë ne i kemi përfunduar disa investime dhe e kemi nisur vitin mjaft mirë me shërbimet e telefonisë celulare dhe të IPTV-së, çka mendoj se do të sjellë efektin ortek në 2015-n dhe çdo gjë do të shkojë drejt më së mirës.
Në bazë të vendimit të AKEP, nga 1 janari duhet të hynte në fuqi vendimi për barazimin e tarifave të thirrjeve brenda dhe jashtë rrjetit për kompanitë celulare, por që nuk ka filluar ende për shkak të shqyrtimit të ankesave të kompanive. Si e vlerësoni këtë shtyrje? Çfarë efekti prisni të ketë barazimi i tarifave në konkurrencën në treg?
Problemi i vetëm në treg është Rregullimi. Pezullimi i vendimit për rregullimin e mosdiskriminimit të brendshëm për një periudhë kohe është një zhgënjim dhe një shqetësim i madh për ne, pasi jemi duke “luftuar” fort për këtë gjë në tre vitet e fundit. Ky është një rregull që aplikohet në mbarë botën dhe jo vetëm në Shqipëri. Ne nuk jemi duke kërkuar diçka që nuk vlen në vende të tjera. Përkundrazi, kjo gjë aplikohet gjerësisht dhe nxitet nga vetë autoritetet e konkurrencës nëpër botën. Ndoshta e keni dëgjuar lajmin e fundit për operatorët francezë, të cilët u detyruan të paguanin një sasi të madhe gjobe, rreth një miliard euro, për shkeljen e kësaj rregulloreje.
Për dikë që nuk vjen nga kjo industri dhe nuk e njeh dinamikën e saj, kjo gjë mund të tingëllojë shumë çuditshëm … “Ç’është ky rregull? Ç’kuptim ka?” Por në qoftë se do ta shihnit në detaje, do të kuptonit se shkelja e kësaj rregulloreje është absolutisht, pasi shërbimet e telekomunikacionit janë të lidhura ngushtë me konkurrentët.
Më lejoni t’ju jap një shembull për ta bërë më të lehtë për t’u kuptuar: kur blen një makinë apo një shtëpi, e përdor vetëm për qëllime e tua vetjake. Makina jote nuk komunikon me makinën e të afërmit tënd, por në telekomunikacion gjërat funksionojnë ndryshe. Kur përdorim shërbimet e telekomunikacionit, ne ndërveprojnë me operatorë të tjerë. Kjo është arsyeja pse Interkoneksioni është thelbësor dhe duhet të rregullohet njëherë e mirë.
Mosdiskriminimi i brendshëm ka rëndësi jetike për mbijetesën e të gjithë industrisë. Nëse ai nuk aplikohet, kompania me pjesën më të madhe të tregut do ta zgjerojë edhe më shumë pjesën e vet dita-ditës dhe në këtë mënyrë, konkurrenca merr fund, duke i lënë vendin rikthimit të situatës monopol. Kjo gjë është provuar shumë mirë si në Europë dhe në Turqi. E thënë shkoqur, kjo nuk është aspak e drejtë. Mua më vjen vërtet keq që kolegët e mi në kompanitë e tjera të mëdha e kundërshtojnë këtë gjë. Kjo tregon se ata nuk pajtohen me konkurrencën e ndershme, gjë që është e vështirë të kuptohet. Nëse kjo gjë do të ndodhte në një vend europian, ata normalisht do të gjobiteshin, por këtu në Shqipëri, rregullorja kundërshtohet dhe më pas pezullohet. Kjo vërtet më lë pa fjalë.
Ne besojmë se kjo është ajo që ligji dhe rregullorja europiane kërkon dhe në fakt do të donim që të ishte zbatuar edhe më herët. Kjo është një rregullore shumë kritike që duhet të respektohet nga të gjithë operatorët. Kjo do të sjellë konkurrencë të ndershme në treg dhe nuk ka të bëjë me rritjen e çmimeve. Në këtë mënyrë, çmimet në faturat e përdoruesve do të uleshin edhe më tej. Për këtë arsye, theksoj se kjo do të sjellë konkurrencë të ndershme, të cilën shqiptarët meritojnë ta kenë, si çdo popull tjetër në botë.
Kjo duhet të vijë sa më parë dhe ju siguroj se nuk ndërhyn fare në shitjet me pakicë. Është vërtet i rëndësishëm fakti që ky rregullim i bën çmimet e shitjes me pakicë të barabarta dhe të drejta kundrejt të gjitha drejtimeve.
Cilat janë pritshmëritë tuaja për progresin e ALBtelecom dhe Eagle Mobile në vitin 2015? Si ka qenë performanca e shërbimit të ri ALBtv deri tani?
Ne presim që 2015-a të jetë një vit shumë më i mirë për kompaninë tonë, pasi i kemi përfunduar tashmë investimet tona të mëdha në IPTV (ALBtv), ku do të vazhdojmë të investojmë edhe më tej. Shifrat tona për investime janë mjaft të konsiderueshme në krahasim me investimet e përgjithshme në Shqipëri. Ndonjëherë, lexoj në gazeta apo revista që kompanitë ndryshme investojnë shifra si 5 milionë, 8 milionë, 30 milionë euro etj. Investime të tilla janë krejt të zakonshme për ne, pasi i bëjmë çdo vit. Rreth 15-20% e të ardhurave tona zakonisht shkojnë për investime dhe kështu duhet të ndodhë, përndryshe nuk mund të ecësh në një hap me teknologjinë.
Pas privatizimit të ALBtelecom, ne kemi investuar më shumë se 175 milionë euro për industrinë e telekomunikacionit në Shqipëri dhe këtu nuk përfshijmë vetë privatizimin, i cili ishte 120 milionë euro të tjera. Me këto shifra bindëse, ajo që ne kërkojmë është vetëm konkurrenca e drejtë, nga e cila përfiton çdo investitor dhe krijon vlera për abonentët.
Kohët e fundit ka pasur zëra rreth një shitjeje të mundshme të ALBtelecom te kompania gjermane Deutsche Telekom, e cila gjithashtu ka aksione në kompaninë shqiptare celulare AMC. Si qëndron e vërteta rreth kësaj?
Na vjen keq tek dëgjojmë të tilla gjëra. Pas këtyre zërave më kanë telefonuar edhe miq e kolegë për të më pyetur, por ju deklaroj qartësisht se nuk ka asnjë të vërtetë rreth asaj që flitet. ALBtelecom dhe Eagle Mobile nuk po shiten, bashkohen apo po bien dakord për ta bërë diçka të tillë me ndonjë kompani tjetër.
Jemi krejtësisht të vendosur për të qëndruar në Shqipëri. Do të vazhdojmë të investojmë në kompaninë tonë dhe në vijim të asaj çka ju thashë më parë, ne kemi bërë investime në shuma të mëdha në biznesin e telekomunikacioneve, por edhe në biznese të tjera ku Çalik Holding po planifikon të futet në Shqipëri. Në këtë kuptim, këto zëra janë krejt pa bazë, të pavërteta dhe për të qenë i sinqertë, jam i mendimit se kanë dalë me qëllim vënien e shkopinjve nën rrota ndaj rritjes së pandalshme të biznesit tonë.
Po ecim mirë në çdo aspekt të biznesit. Përveç telefonisë fikse, ku siç e përmenda dhe më lart, ka shënuar ulje në të gjithë botën, shërbimi i IPTV-së dhe ai celular po ecin për mrekulli, po ashtu dhe shitjet tona me shumicë. Gjithmonë ofrojmë mundësi të reja për abonentët tanë në shitjet me pakicë dhe shumicë. Për këtë arsye, ndihem i zhgënjyer dhe dyshoj se e gjitha kjo është bërë me qëllim.
Zëra të tillë janë përhapur edhe për operatorët e tjerë në të shkuarën. Mirëpo, asgjë s’ka rezultuar e vërtetë. Pak kohë më parë, për shembull, disa kompani ndërkombëtare përgatitën disa oferta dhe menduan seriozisht për blerjen e një operatori tjetër në Shqipëri, por nuk ndodhi. Në biznes kjo gjë ndodh shpesh.
Pothuajse çdo javë, ne vlerësojmë mundësi potenciale të blerjes së një operatori tjetër në vendet e rajonit, jo vetëm në industrinë e telekomunikacioneve, por gjithashtu për ofruesit e shërbimeve të brendshme (Internal Service Providers) ose fusha të tjera. Gjithmonë vlerësojmë çdo lloj mundësie, dhe sigurisht dhe të tjerët bëjnë të njëjtën gjë. Kjo është ecuria normale e jetës së biznesit. Ti drejton biznesin tënd dhe, në anën tjetër, mendon për zhvillim, blerje, shitje etj.
Biznesi ynë është i shëndetshëm, fitimprurës, në rritje dhe çka është më e rëndësishme, vazhdon të investojë. Dëshiroj të theksoj edhe një herë se ne jemi prezent në Shqipëri dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë për një kohë të gjatë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.