A mund të zgjasë edhe për shumë, ecuria e mirë e ekonomive të Europës Qendrore? Ekonomitë jashtëzakonisht të hapura janë të ndjeshme ndaj goditjeve të jashtme
15 vite pasi ato u bënë pjesë e Bashkimit Europian, katër shtetet e “Visegradit” të Europës Qendrore (V4) janë më krenare për arritjet e tyre ekonomike, sesa për arritjet në drejtim të reformës politike, shkruan The Economist. Republika Çeke, Hungaria, Polonia dhe Sllovakia kanë rritur nivelet e tyre të PBB-së për frymë, duke u përpjekur të arrijnë atë të fqinjit të tyre të fuqishëm, Gjermanisë. Sa i takon PBB-së për frymë, çekët janë më të pasurit, ndjekur nga sllovakët, hungarezët dhe në fund polakët. Katër kanë qenë forcat kryesore të jashtme që kanë nxitur sukseset e jashtëzakonshme të këtyre katër ekonomive jashtëzakonisht të hapura të V4.
-E para, qasja e tyre ndaj subvencioneve bujare nga BE-ja, të cilat përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave të tyre kombëtare.
-E dyta, fluksi i remitancave nga miliona qytetarë të katër shteteve të V4, të cilët tani jetojnë dhe punojnë në BE, veçanërisht në Gjermani, Austri dhe Britani.
-Edhe mjedisi ekonomik i kohëve të fundit ka ndihmuar në këtë drejtim, veçanërisht suksesi i ekonomisë gjermane, deri tani partneri i tyre më i rëndësishëm tregtar dhe investitori më i madh ose i dyti më i madh në secilin prej katër shteteve të Visegradit.
-Së fundi, duke qenë se të katërta e filluan nga një nivel i ulët, ato u vunë shpeshherë në shërbim të ekonomive më të zhvilluara.
Një përfitim i madh i anëtarësimit në BE, është aksesi i V4 në fondet thelbësore “të kohezionit”, të cilat po financojnë përmirësime kolosale të infrastrukturës publike në rajon. Në mënyrë të veçantë, Hungaria ka qenë shteti që ka përfituar më shumë, rreth 3 miliardë euro (3.3 miliardë dollarë amerikanë) në vit, rreth 2.5 % e PBB-së së saj.
Por një “mirësi e këtyre niveleve” nuk do të vazhdojë edhe për gjatë. V4 do të humbasë deri në 25 % të fondeve të tyre në BE në buxhetin e ardhshëm 7-vjeçar, duke filluar nga viti 2021. Ngjarjet e fundit kanë treguar se drejtimi i Bashkimit Europian është marrë në dorë nga populistët dhe rrjedhimisht, edhe fondet do të ridrejtohen larg europianëve qendrore. Për më tepër, BE-ja po humbet një nga kontribuuesit e saj më të mëdhenj neto për shkak të Brexit.
Në përgjithësi, destinacioni më i frekuentuar vitet e fundit, nga emigrantët nga Hungaria, Polonia dhe Republika Çeke, ka qenë Gjermania. Ndërsa për sllovakët, ka qenë Republika Çeke. 11 % e polakëve dhe 9 % e qytetarëve çekë jetojnë jashtë vendeve të origjinës. Por remitancat nga diaspora tani mund të përballen me rënie. Si pasojë e pasigurive të larta mbi tregtinë globale, epokës së artë të Gjermanisë mendohet se do t’i vijë fundi shpejt fundi.
Në tremujorin e dytë të këtij viti, ekonomia e saj u tkurr me 0.1 % dhe parashikohet që as tremujori i tretë nuk do të shënojë përmirësim. Në gusht, Banka e saj Qendrore paralajmëroi se ekonomia gjermane mund të shkojë në recesion (zakonisht përkufizohet si dy tremujorë të njëpasnjëshëm të rritjes negative). Bizneset po humbasin besimin. Instituti Ifo me qendër në Mynih zbuloi se besimi i biznesit shënoi rënie në gusht, duke shënuar nivelin e tij më të ulët që prej nëntorit të 2012.
Problemet ekonomike të Gjermanisë do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë te vendet e V4 dhe njëkohësisht ndikim më të madh në krahasim me vendet e tjera të BE-së. Sllovakia dhe Hungaria janë dy shtetet më shumë të varura nga tregtia gjermane dhe investimet në fabrikat e tyre. Një fabrikë e vetme në veriperëndim të qytetit hungarez të Gyorit, në pronësi të Audit, prodhuesit gjerman të makinave, përfaqëson 9 % të eksporteve hungareze.
Kambanat e alarmit filluan të binin kur Handelsblatt, një e përditshme gjermane, raportoi kohët e fundit se dy prodhues të tjerë të mëdhenj, BMW dhe Daimler, po i shtyjnë për më vonë investimet e tyre në Hungari.
Pak kohë më vonë, BMW konfirmoi se do të vazhdojë ndërtimin e një fabrike të re në Debrecen, në Hungarinë Lindore, por Daimler i ka shtyrë për një moment të dytë planet për të ndërtuar një fabrikë në Kecskemet. Eksportet e mallrave dhe shërbimeve arrijnë në 97 % të PBB-së së Sllovakisë, 86 % të asaj të Hungarisë, 78 % të Republikës Çeke dhe 55 % të Polonisë. Një pjesë e mirë e të gjitha këtyre shkonte në Gjermani. Shtetet e varfra kanë tendencë të rriten më shpejt sesa ato të pasura, kryesisht sepse imitimi është më i lehtë sesa shpikja. Megjithatë, edhe pasi ato arrijnë në një fazë të caktuar të zhvillimit ekonomik, ato kryesisht priren të mbeten “në kurthin famëkeq” të një niveli të mesëm të ardhurash. Ky mund të jetë edhe fati i disa prej ekonomive të V4.
Ato kanë një mungesë të theksuar të ndërmarrjeve novative. Në mënyrë të veçantë, Hungaria dhe Polonia shpenzojnë vetëm 1 % të PBB-së së tyre për Kërkim & Zhvillim, shumë më pak se mesatarja e BE-së. Richard Grieveson në Institutin e Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare (WIIW) është pesimist në lidhje me të ardhmen e ekonomive të V4 për t’i shpëtuar kurthit të të ardhurave të mesme.
Padyshim, që kjo është një sfidë e vështirë për t’u arritur. Sipas Bankës Botërore, midis 101 ekonomive me të ardhura të mesme në vitin 1960, vetëm 13 prej tyre u shndërruan në ekonomi me të ardhura të larta në vitin 2008. Por ndoshta shqetësimi më i madh i shteteve të V4 për rikuperimin e ekonomive të tyre është mungesa e fuqisë punëtore. Situata, nga njëra anë, është pozitive sepse ndikon në rritjen e nivelit të pagave, gjë që shoqërohet edhe me rritje të konsumit. Nga ana tjetër, situata mund të bëjë që investitorët e huaj t’i drejtohen shteteve të tjera në kërkim të një fuqie punëtorë me kosto më të ulët.
Në janar të këtij viti, 13,000 punëtorët e fabrikës së Audi-t në qytetin hungarez të Gyorit morën një rritje page me 18%, e cila është edhe rritja më e lartë e negociuar ndonjëherë nga sindikatat hungareze. Sipas një studimi të fundit nga WIIW, shumica e vendeve të rajonit do të arrijnë një pikë në të cilën mungesa e fuqisë punëtore do të fillojë të kufizojë rritjen ekonomike brenda pesë viteve të ardhshme.
Fatkeqësisht, situata mund të përshpejtohet dhe mund të ndodhë edhe brenda një periudhe dyvjeçare në vende si Polonia dhe Republika Çeke. Disa industri, si ndërtimi mund të kenë arritur tashmë atë.
Politikëbërësit e Visegradit kanë propozuar disa politika për t’i dhënë zgjidhje plagës së madhe të mungesës së fuqisë punëtore. Njëra prej tyre është ajo e stimujve financiarë, por kjo politikë është me kosto të lartë dhe nuk ka qenë efikase në vende si Polonia dhe Hungaria. Një tjetër është krijimi i kushteve të nevojshme që një numër i madh grash të rikthehen në punë, nëpërmjet ofrimit të përkujdesjeve falas për fëmijët e tyre ose subvencioneve të kujdesit të fëmijëve. Polonia dhe Sllovakia janë duke e tentuar një gjë të tillë, edhe pse kanë pasur sukses të kufizuar.
Riatdhesimi i emigrantëve që janë larguar jashtë vendit dhe tërheqja e banorëve nga shtete të tjera, do të ishte një zgjidhje e mirë për ta lehtësuar pak barrën e rëndë që krijon mungesa e fuqisë punëtore në vend, por qeveritë e V4 nuk po tregohen të kujdesshme aq sa duhet në këtë drejtim.
Në të vërtetë, punëtorët ukrainas të Polonisë, të cilët e kanë të vështirë të marrin nënshtetësinë, gjithnjë e më shumë po i kthejnë sytë nga Gjermania, e cila është më mikpritëse. Sa i takon katër shteteve të V4, mendohet se 15 vitet e ardhshme mund të jenë më të vështira se 15 vitet e kaluara.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.