Ndërkohë që Bashkimi Europian po vuan nga “lodhja e zgjerimit”, aleanca politiko-kulturore Visegrad 4, e katër shteteve të Europës Qendrore, është e vendosur të mbështesë Ballkanin në aspiratat për t’iu bashkuar bllokut. Por a do t’ia dalin ata me sukses kësaj sfide?
Kur Komisioni i ri Europian të fillojë punën, ai do të merret kryesisht me çështje që mund të kërcënojnë Bashkimin Europian, siç janë: Brexit, emigracioni dhe shteti ligjor.
Kjo ka bërë që diplomatët e BE-së të mendojnë se çështja e Ballkanit nuk do të jetë në krye të axhendës së Komisionit. Por në një Europë gjithnjë e më të paqëndrueshme, zyrtarët e shteteve të Aleancës së Visegradit (Republika Çeke, Hungaria, Polonia dhe Sllovakia) thonë se çështja e zgjerimit të BE-së do të jetë ndër të parat që ata do të paraqesin brenda Komisionit të ri.
Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia janë të gjitha vende kandidate në pritje të hapjes së negociatave me BE, ndërsa Komisioni Europian i shikon Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën si dy shtetet kandidate më potenciale për t’u bërë pjesë e saj.
“Polonia është një prej shteteve që e mbështet më shumë politikën e zgjerimit të BE-së, duke e konsideruar atë si një prej politikave më të mira që ajo ka pasur ndonjëherë”, u shpreh për BIRN, Magdalena Czubala, e cila është në krye të departamentit të zgjerimit të Europës Juglindore dhe BE-së në Ministrinë e Jashtme Polake. “Projekti europian do të përfundojë vetëm kur Ballkani Perëndimor të jetë pjesë e saj”, dhe ne do të japim kontributin tonë në këtë drejtim”, tha më tej znj. Czubala.
Ndërkohë që zyrtarët e Visegrad 4 po lobojnë fort për këtë çështje, analistë në vende si Bratislava, Budapesti dhe Praga, argumentojnë se lobimi nuk do të jetë i mjaftueshëm për të përfunduar me sukses një sfidë të përmasave kaq të mëdha. “Edhe sikur ne t’i bashkoheshim Visegrad 4, gjithsesi nuk do të kishin forcën e mjaftueshme për t’ia dalë me sukses sfidës”, u shpreh Istvan Szent-Ivanyi, ish-sekretari i Shtetit në Ministrinë e Jashtme hungareze dhe ish-ambasador i Hungarisë në Slloveni.
“Në Europën Perëndimore, nuk ka interes të vërtetë ekonomik për një zgjerim të mëtejshëm dhe paralel me këtë, e ashtuquajtura “lodhje e zgjerimit” po ndihet gjithnjë e më shumë edhe në rajonin e Ballkanit. Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha në fillim të qershorit se ai do të kundërshtonte çdo lloj sugjerimi mbi çdo zgjerim të mundshëm, përpara se një reformë e thellë e funksionimit institucional të kryhej.
Mbetet një pyetje e hapur ajo nëse shtetet e Visegrad 4, të njohura për euroscepticizmin dhe autoritarizmin do të jenë avokatët e duhur për të mbështetur dhe për të përçuar ashtu siç duhet zërin e shteteve aspiruese për t’u bërë pjesë e BE-së, në Komisionin e ri Europian.
Vitin e kaluar, Parlamenti Europian votoi se do të ndërmerrte masa ligjore kundër Hungarisë, e cila ka shkelur disa prej vlerave kryesore të BE-së. Komisioni Europian ka ndërmarrë veprime juridike kundrejt Polonisë, pasi ajo ka shkelur disa prej rregullave bazë të demokracisë në BE.
Aleatët kundrejt vasalëve
Republika Çeke, e cila këtë vit ka Presidencën e radhës të Visegrad Four (V4), e ka shndërruar çështjen e pranimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në një nga prioritetet e mandatit të saj. Dhe të gjitha vendet V4 kanë lobuar që Komisioni të caktojë datat për fillimin e negociatave të pranimit në BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ata duan që datat të shpallen në tetor. Shumë analistë mendojnë se mbështetja vjen nga interesat personale të shteteve të V4.
Sipas shteteve të V4, pranimi në BE mund të forcojë vendet e Ballkanit, duke bërë që ato të veprojnë si një pengesë ndaj emigrantëve nga Afrika dhe Azia, dhe duke mos i lënë ata të avancojnë më tej drejt vendeve të BE-së. Pranimi i tyre mund të zvogëlojë edhe ndikimin në rritje të Rusisë, Kinës dhe Turqisë, të cilat mendohet se do të përshkallëzojnë tensionet sociale, politike dhe etnike në rajonin e Ballkanit. Pranimi i tyre në BE, do të ndikonte pozitivisht në shkatërrimin e hallkave të zinxhirit të krimit të organizuar në rajonin e Ballkanit, një pjesë e të cilit zhvillohet prej vitesh edhe në shtete të ndryshme europiane.
Hungaria ka qenë së fundmi një nga mbështetëset më të zëshme të pranimit të vendeve të rajonit të Ballkanit në BE. Një pjesë e mbështetjes kaq të fortë vjen edhe nga fakti se ajo ka pasur histori të ngjashme me atë të vendeve që kanë qenë dikur pjesë e Perandorisë Austro-Hungareze.
Ashtu siç edhe shumë zyrtarë të BE-së e prisnin, në pozicionin që do të mbulojë çështjen për zgjerimin e mëtejshëm të Bllokut u kandidua, hungarezi László Trocsányi (ish-ministër Drejtësie), por ende nuk dihet me saktësi nëse ai do të marrë të gjitha votat e mjaftueshme të Parlamentit Europian për t’u vendosur në këtë pozicion.
Me emërimin e një zyrtari hungarez në këtë pozicion, disa vende të BE-së, si Gjermania, duan të qetësojnë Hungarinë dhe partinë e saj qeverisëse nacionaliste-populiste, Fidesz, por në të njëjtën kohë edhe ta ndëshkojnë atë me dhënien e një portofoli që shumë pak vende të tjera do të donin ta merrnin, thanë për BIRN, burime të BE-së.
*Ky artikull është prodhuar nga Reporting Democracy, një platformë e gazetarisë ndërkufitare e drejtuar nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative.