Raiffeisen Bank ka prezantuar fondin e investimeve të quajtur Raiffeisen Invest, e cila është e para dhe e vetmja shoqëri administruese,
e licencuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) për Administrimin e Fondeve të Investimeve. A ju leverdis të investoni në bono thesari përmes tij…
Nëse deri tani, për të investuar në blerjen e letrave me vlerë të qeverisë, një individ duhet të kishte minimumi 300 mijë lekë, tashmë mund ta bëjë këtë, edhe duke pasur në dispozicion një shumë disa herë më të ulët.
Më 1 shkurt 2012 është hedhur për herë të parë në tregun shqiptar fondi i investimeve i quajtur Raiffeisen Prestigj dhe është një fond i hapur publik, me shumë fillestare investimi prej vetëm 5,000 lekësh.
Fondi do të ofrohet/shpërndahet nëpërmjet rrjetit të degëve të Raiffeisen Bank, i cili do të veprojë si agjent i Raiffeisen Invest. Raiffeisen Prestigj do të investojë në letra me vlerë të qeverisë shqiptare.
Shuma minimale, vetëm 5,000 lekë
Deri tani, Individët mund të merrnin pjesë në ankandet për blerjen e Bonove të Thesarit, nëpërmjet bankave tregtare të licencuara për tregtimin e letrave me vlerë nga AMF,
si dhe nëpërmjet sporteleve të Bankës së Shqipërisë në Tiranë, Shkodër, Elbasan, Korçë, Lushnjë dhe Gjirokastër.
Shuma minimale e nevojshme për të marrë pjesë në blerjen e bonove të thesarit është 300,000 lekë. Kjo shumë mund të rritet me shumëfisha të 10,000 lekëve.
Nëse duan të blejnë obligacione (letra me vlerë, me afat maturimi më shumë se 1 vit) shuma minimale është 1 milion lekë.
Pikërisht shuma minimale prej 5,000 lekësh përbën avantazhin e parë, që ofron Raiffeisen Prestigj, kundrejt investimit që çdo individ mund të bëjë duke blerë bono thesari direkt në Bankën e Shqipërisë, apo përmes bankave të nivelit të dytë.
“Individët, edhe ata që kanë shuma të vogla financiare në dispozicion, e kanë më komode dhe më të thjeshtë që t’i drejtohen fondit për të investuar kursimet e tyre”,
pohon Majlinda Gjata, administratore e përgjithshme e Raiffeisen Invest. “Individët nuk do të duhet të shpenzojnë më kohë, duke ndjekur ecurinë e ankandeve, maturitetet e titujve që zotërojnë”, pohon ajo.
Edhe shtimi i investimit mund të bëhet kundrejt një shume minimale prej 1,000 lekësh[1].
Interesi më i lartë se depozitat
Bonot e thesarit ofrojnë interes më të lartë se depozitat. Në ankandin e fundit të zhvilluar nga Banka e Shqipërisë, yield-i mesatar i bonove njëvjeçare ishte rreth 7%,
ndërsa norma mesatare që ofrojnë bankat për depozitat njëvjeçare është 5-6%.
Edhe përmes investimit në bono në shuma të vogla, shpjegon Gjata, individët mund të arrijnë të përfitojnë interesa të larta,
për shkak se individi nuk bëhet direkt pronar i bonove, por ai ble kuota në Fond (çdo investitor që dëshiron të blejë kuota në fond do të nënshkruajë një kërkesë blerjeje
dhe do të bëhet pronar i një numri të caktuar në momentin që kryen pagesën në favor të llogarisë së fondit. Individët, në momentin që blejnë kuota në fond, mund të kërkojnë lëshimin e një certifikate që vërteton pronësinë mbi kuotat).
Është Fondi që ofron më pas kuotat në treg nëpërmjet rrjetit të shpërndarjes së Bankës Raiffeisen, duke arritur kështu të përfitojë një interes më të lartë në ankandet që zhvillohen nga Banka e Shqipërisë.
Individët, sqaron Gjata, do të paguajnë pranë fondit një komision administrimi prej 1% në vit mbi vlerën neto të aktiveve, ndërsa tatimi mbi të ardhurat (fitimet) është 10%, i njëjtë si për depozitat.
Rishiten brenda 7 ditëve pa humbur interesat
Nëse i vendos paratë në depozitë, sqaron Majlinda Gjata, duhet të jesh i vëmendshëm për datën e maturimit të depozitës, për më tepër që nëse i tërheq paratë para afatit të maturimit humbet interesin.
Ndërsa, mbajtësit e kuotave në fond mund të kërkojnë në çdo moment që fondi të riblejë kuotat e tyre dhe shoqëria administruese ka detyrimin që të përmbushë këtë kërkesë maksimumi 7 ditë nga marrja e kërkesës.
Individët mund të qëndrojnë në investim, të rrisin ose zvogëlojnë shumën e investimit, pa humbur asnjë ditë interes.
Raiffeisen Invest
Raiffeisen Bank ka prezantuar javën e kaluar fondin e investimeve të quajtur Raiffeisen Invest, e cila është e para
dhe e vetmja shoqëri administruese e licencuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare për Administrimin e Fondeve të Investimeve.
“Po prezantoj Raiffeisen Invest, kompaninë e parë në Shqipëri për menaxhimin e aseteve, të licencuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare,
si dhe hedhjen në treg të Fondit të Parë të Investimeve, që quhet Raiffeisen Prestigj. Fondi Raiffeisen Prestigj i jep mundësinë të gjithë klientëve të investojnë në letrat me vlerë të qeverisë shqiptare.
Vetë fondi përfshin investime në bono thesari, obligacione dhe depozita. Raiffeisen Prestigj është i përshtatshëm, i përballueshëm dhe është një mundësi e mirë investimi, duke filluar me një shumë prej vetëm 5,000 lekësh.
Ai synon të arrijë një kthyeshmëri përfitimi të lartë, fleksibilitet dhe komoditet”, tha z. Christian Canacaris, drejtor ekzekutiv i Raiffeisen Bank.
“Ne kemi besim të plotë që këto produkte financiare do të kontribuojnë për të dalluar Raiffeisen nga konkurrentët e saj. Në të njëjtën kohë nëpërmjet ofrimit të tyre, ne synojmë të rrisim kthimin nga investimi për investitorët tanë,
ndërkohë që kontribuojmë në zhvillimin e Shqipërisë”, shtoi z. Canacaris.
Më 13 dhjetor 2011, filiali Raiffeisen Pensions sh.a u licencua për të kryer një aktivitet shtesë: Administrimin e Sipërmarrjeve të Investimeve Kolektive. Për të pasqyruar më mirë aktivitetin e ri,
u vendos që të ndryshohet emri nga Raiffeisen Pensions në Raiffeisen Invest. Raiffeisen Bank do të vazhdojë të zotërojë 100% të aksioneve të Raiffeisen Invest, e cila do të vazhdojë të menaxhojë fondet private të pensionit,
krahas aktivitetit të ri të fondeve të investimeve.
Çfarë është një Fond Investimesh?
Një Fond Investimesh është një grup asetesh që mbledh kursimet e një numri investitorësh, të cilët ndajnë një qëllim të përbashkët financiar.
Paratë e mbledhura në këtë mënyrë investohen më pas në instrumente të tregut të kapitalit, të tilla si aksionet, obligacionet dhe letra me vlerë.
Të ardhurat e fituara përmes këtyre investimeve dhe vlerësimit të kapitalit të realizuar ndahen midis zotëruesve të kuotave në proporcion me numrin e kuotave në pronësi të secilit prej tyre.
Kështu që një Fond Investimi është investimi më i përshtatshëm për individët e zakonshëm, pasi ofron një mundësi për të investuar në një shportë të letrave me vlerë, që është e larmishme,
e menaxhuar në mënyrë profesionale dhe me një kosto relativisht të ulët.
Bonot e thesarit
Bonoja e Thesarit e qeverisë shqiptare është një instrument i negociueshëm borxhi me maturim deri në një vit, që emetohet dhe garantohet nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë.
Bonot e Thesarit emetohen në monedhë kombëtare (Lek) dhe kanë afate maturimi 3, 6 dhe 12-mujore.
Bonot e thesarit emetohen (nxirren për shitje) nga qeveria nëpërmjet ankandit. Kjo formë nënkupton që investitorët duhet të konkurrojnë për blerjen e këtij instrumenti.
Konkurrenca realizohet nëpërmjet vendosjes së normës së interesit që quhet yield i bonove të thesarit. Interesi i përfituar nga investimi në bono thesari llogaritet si diferencë e çmimit të blerjes së bonos me vlerën nominale të saj.
Raporti i kësaj diference me çmimin e blerjes i llogaritur në bazë vjetore, shpreh normën e kthimit të përfituar nga investimi.
Burimi: Banka e Shqipërisë
[1] Gjatë periudhës së ofertës fillestare, çmimi i kuotës është 1,000 lekë. Pas kësaj periudhe, e cila mbaron më 29 shkurt 2012, çmimi i kuotës është i njëjtë për të gjithë dhe e barabartë me vlerën neto të aseteve, ndarë për numrin e kuotave, e kalkuluar në bazë të vlerës së tregut të titujve që përbëjnë portofolin e fondit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.