Interesi për obligacionet referencë 5-vjeçare me kupon fiks shënoi rënie në ankandin e fundit të datës 11 nëntor kur qeveria kërkoi 4 miliardë lekë. Rezultatet zyrtare treguan se yeldi mesatar i ponderuar zbriti në 3.24 për qind teksa në ankandin e mëparshëm për të njëjtin obligacion te mbajtur në muajin shtator ishte 3.54 për qind. Interesi i blerjes së borxhit të qeverisë ka rezultuar në nivele të kënaqshme nëse i referohemi faktit që në ankand u ofruan 4.9 miliardë lekë pra një raport mbulimi prej 1.24. Duke pasur parasysh interesat qeveria në fund ka pranuar që të marrë një borxh prej 3.5 miliardë lekësh.
Ky është ankandi i gjashtë për këtë vit i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë duke pasur në bazë emetimin e obligacionit referencë 5 vjeçar. Lidhur me këtë instrument interesi më i lartë është paguar në fillim të vitit kur në muajin janar ankandi i parë rezultoi me një yeld mesatar të ponderuar prej3.74 për qind teksa edhe interesi i bankave të nivelit te dytë për të mbuluar këtë kërkesë ishte i lartë me një raport mbulimi gati 3 herë sa kërkesa.
Ankandi me interesin më të ulët për këtë instrument ishte ai i marsit kur yeldi mesatar i ponderuar shënoi 2.73 për qind ndërsa raporti i mbulimit 1.56.
Qeveria siguron një pjesë të nevojës së saj për fonde nga tregu brendshëm duke emetuar instrumente si obligacionet dhe bonot. Të dhënat zyrtare tregojnë se borxhi total deri në shtator ishte1.1 trilion lekë ndërsa vetëm në tremujorin e tretë janë marrë në tregun e brendshëm 10 miliardë lekë përmes instrumenteve si bono thesari dhe obligacione ku 90 për qind e përbëjnë të dytët.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.