Fabula e Boris Johnson.
Dhe çfarë mësimi nxjerr ajo për Britaninë, shkruan The Economist
Festat e panumërta dëshmojnë se zoti Johnson është një njeri që mendon se ka gjithnjë të drejtë, çka do të thotë se ai beson se ekziston një rregull i posaçëm për të dhe njerëzit e tij dhe një tjetër për të gjithë të tjerët. Këto standarde të dyfishta mund të korruptojnë të gjithë jetën publike.
Në fillim të shtatorit, Boris Johnson shpalosi vizionin ambicioz për të thyer rekordin 11-vjeçar të Margaret Thatcher dhe për t’u bërë kryeministri britanik më jetëgjatë i kohëve moderne. Ashtu si një çunak shkolle mburravec, ai e mbivlerësoi shumë veten.
Në ditët apo javët në vijim, ai mund të shkarkohet nga detyra nga vetë deputetët e partisë së tij. Me shumë gjasa, Johnson do të tentojë të mbërthehet sa më fort pas postit, duke qenë nën kërcënimin e vazhdueshëm të dëbimit. Sido që të jetë, e vërteta është se Boris Johnson nuk e ka më nën kontroll fatin e Kryeministrisë së tij.
Shkaku më i dukshëm i rënies së popullaritetit të zotit Johnson, në pamje të parë, është vërtet qesharak. U zbulua se deputetët e Downing Street, po mbanin rregullisht festa deri natën vonë, duke u kënaqur dhe duke pirë, ndërsa pjesa tjetër e vendit ishte nën karantinë të rreptë. Përpjekjet e pasinqerta të kryeministrit për t’u shfajësuar, nuk rezultuan aspak të dobishme, por vetëm sa nxorën në pah edhe më tepër sjelljen e pahijshme të tij dhe të bashkëshortes.
Deputetët konservatorë do të peshojnë këto shkelje të vazhdueshme nga ana e tij, kundrejt arritjeve si një mazhorancë prej 87 vendesh në Parlament, suksesi në realizimin e Brexit, një program vaksinimi i klasit botëror dhe një dhunti për të krijuar humor në politikë. Donald Trump ende e dominon Partinë Republikane, pavarësisht se kishte gisht në sulmin në Capitol Hill, një vit më parë. A mund të jenë rrotullat e sallamit dhe sauvignon blanc, një arsye e denjë për shkarkim nga puna?
Për hir të Britanisë, ato duhet të jenë. Një arsye është se festat e panumërta dëshmojnë se zoti Johnson është një njeri që mendon se ka gjithnjë të drejtë, çka do të thotë se ai beson se ekziston një rregull i posaçëm për të dhe njerëzit e tij dhe një tjetër për të gjithë të tjerët.
Këto standarde të dyfishta mund të korruptojnë të gjithë jetën publike. Më e rëndësishmja, ato nxjerrin në pah dy tipare të tjera të zotit Johnson që po e mundojnë Britaninë pas Brexit. Këto janë tipare që vendi duhet t’i eliminojë, nëse dëshiron të lulëzojë.
Mungesa e seriozitetit
I pari është mungesa e seriozitetit për qeverinë. Në përpjekje për të shpërqendruar nga skandalet e njëpasnjëshme, së fundmi Downing Street nisi të ashtuquajturin “Operation Red Meat”, duke shpallur një sërë premtimesh dhe zotimesh që dihej se do të tërhiqnin votuesit konservatorë, si propozimi për të hequr tarifën e licencës për BBC dhe për të ndaluar azilkërkuesit që vijnë në Britani nga Kanali Anglez.
Qeveria tha se do të dërgojë Marinën Mbretërore për të kontrolluar detet dhe për të larguar azilkërkuesit, duke pretenduar se aplikimet e tyre do të përpunohen në vende si Gana ose Ruanda. Por asnjë nga këto shpërqendrime nuk i mbijetoi realitetit.
Kjo mungesë serioziteti ka infektuar të gjithë qeverinë. Konservatorët morën meritën për faktin se Britania ka normën më të shpejtë të rritjes vjetore nga vendet e G7-ës dhe se prodhimi arriti nivelin para pandemik në nëntor, përpara parashikimeve.
Por ata nuk kanë thënë asgjë në lidhje me goditjen afatgjatë prej 4% të PBB-së që mund të shkaktojë Brexit. Gjatë pesë viteve, shkalla e rritjes së Britanisë ka qenë e dobët. Inflacioni, i cili arriti në 5.4% në 12 muajt deri në dhjetor, niveli më i lartë në 30 vjet, ka bërë që paga mesatare reale javore të jetë më e ulët se në vitin 2007. Investimet e biznesit janë më të ulëta se përpara referendumit.
Qeveria e zotit Johnson ka shpalosur shumë ide të mëdha për nxitjen e ekonomisë, duke përfshirë rritjen e prosperitetit në të gjithë Britaninë, eliminimin e kufizimeve të planifikimit dhe kthimin e Britanisë në një superfuqi shkencore. Por kjo qeveri është shumë më e interesuar për të bërë bujë, sesa për të përmbushur premtime. Idetë e mëdha kanë mbetur thjesht slogane, ose janë braktisur në heshtje.
Në të njëjtën kohë, konservatorët kanë vazhduar me projektligje joliberale për publikun, që shkelin liritë civile dhe kufizojnë të drejtat e qytetarëve. Kjo është shenjë e mungesës së seriozitetit të zotit Johnson, që tregon se ai i flak tutje besimet e tij liberale aq të lavdëruara, ashtu siç flaket një shishe bosh alkooli.
Banalizimi i qeverisjes
Ky banalizim i qeverisjes mund të vihet re që nga periudha e referendumit. Për të realizuar Brexit, Johnson pranoi që të vendosej një kufi doganor në Detin Irlandez dhe më pas u shtir sikur nuk kishte rënë dakord për një gjë të tillë. Ai pretendoi se Britania do t’u shpëtonte kufizimeve rregullatore të Bashkimit Europian, por nuk ka marrë asnjë masë konkrete për ta siguruar këtë.
Për të përparuar, Britania ka nevojë për marrëdhënie të mira me BE-në, fqinjin e saj më të afërt dhe partnerin më të madh tregtar. Por zotit Johnson i pëlqen më shumë të nisë mosmarrëveshje të kota, sepse ato tërheqin titujt e lajmeve.
Johnson i trajton votuesit si njerëz mendjelehtë që mund të gënjehen me një gjuhë bombastike, dhe ky ka qenë një tipar kyç i demagogjisë që e ka ngjitur atë në pushtet. Ai është një shembull i përbuzjes me të cilën udhëheqësit populistë i trajtojnë njerëzit që qeverisin. I tillë është edhe tipari tjetër që e ka infektuar Britaninë pas Brexit: gënjeshtrat në politikë.
Zoti Johnson ndodhet në këtë pozitë të keqe sepse çdo herë, ai nuk ka pranuar t’i tregojë të vërtetën Parlamentit dhe kombit në lidhje me ahengjet e Downing Street. Në fillim, ai deklaroi se stafi i tij nuk mbante festa. Kur kjo u hodh poshtë, ai tha se nuk ishte në dijeni të këtyre festave. Kur doli se ai kishte qenë në njërën prej tyre, tha se nuk e kishte kuptuar se ndodhej në një festë.
Dhe kur u zbulua se ishte paralajmëruar për festën, ai pretendoi se i kishte keqkuptuar rregullat që ishin hartuar nga vetë qeveria e tij. Ky nuk është aspak një zakon i ri, por mund të vihet re që në kohën kur punonte si gazetar, kur gënjeu redaktorët e tij; kur ishte redaktor, gënjeu pronarin e tij; dhe kur ishte zëvendësministër, gënjeu udhëheqësin e partisë së tij.
Këto gënjeshtra nuk reflektojnë thjesht një njeri mendjemadh dhe arrogant. Aty ku populizmi lulëzon, ai infekton çdo gjë përreth. Sipas një sondazhi nga Opinium të publikuar më 17 janar, pothuajse gjysma e anëtarëve të Partisë Konservatore, ende besojnë se pretendimi i zotit Johnson për festat në “Downing Street” është i vërtetë, krahasuar me vetëm 13% të votuesve.
Kjo sjellje mashtruese mund të vihet re edhe përpara Brexit, kur aktivistë që e dinin se po gënjenin, thanë se Turqia ishte gati për t’u bashkuar me BE-në, se BE-ja do të humbiste më tepër se Britania, në rast të një konflikti tregtar midis tyre, dhe se largimi nga BE-ja do ta lironte Britaninë nga 350 milionë paund (480 milionë dollarë) shpenzime në javë, të cilat mund t’i shfrytëzonte në të mirë të Shërbimit Shëndetësor Kombëtar. Nuk është rastësi që, pas votimit, këshillat e përfaqësuesve që kishin votuar për të qëndruar në BE, u refuzuan vetëm për shkak të votës së tyre.
Politika Demokratike ka pasur gjithnjë qëllim kënaqjen e turmës. Përkrahësit e Brexit kishin të drejtë kur thoshin se një sërë qeverish teknokrate britanike kishin humbur lidhjen me votuesit. Por skandalet Partygate kanë treguar se edhe Partia Konservatore pas Brexit, e ka humbur lidhjen me realitetin.
Falë sistemit parlamentar britanik, deputetët mund të ndryshojnë me shpejtësi drejtimin. Nëse Partia Konservatore dëshiron të gjejë rrugën e saj, ajo do të ketë nevojë për një lider të ri. Që reformat të zënë rrënjë, ato do të kenë nevojë për një planifikim të detajuar dhe zbatim të qëndrueshëm. Nëse Britania dëshiron të përfitojë sa më shumë nga mundësitë e ofruara nga Brexit, ajo duhet të përballet me zgjedhjet e vështira që e presin.
Çfarë po ndodh
Politika Demokratike ka pasur gjithnjë qëllim kënaqjen e turmës. Përkrahësit e Brexit kishin të drejtë kur thoshin se një sërë qeverish teknokrate britanike kishin humbur lidhjen me votuesit. Por skandalet Partygate kanë treguar se edhe Partia Konservatore pas Brexit, e ka humbur lidhjen me realitetin.