Rruga drejt eficiencës
Shqipëria është ende në hapat e parë të eficiencës së energjisë me një agjenci të dedikuar, relativisht të re dhe një kuadër ligjor në plotësim. Në kushtet e krizës energjetike vëmendja tek eficienca e energjisë po merr rëndësi të veçantë. Bizneset e lidhur direkt me këto produkte dhe bankat e nivelit të dytë raportojnë për një rritje të interesit, si nga familjarët dhe nga bizneset për investime që u sjellin kursim. Kthimi i investimit sipas llojit të ndërhyrjes varion mes 3-7 vitesh dhe pavarësisht se janë rritur kostot leverdishmëria mbetet e lartë. Agjencia për Eficiencën e Energjisë ka certifikuar tashmë 100 auditues energjie dhe 44 menaxherë, që shtrojnë rrugën drejt zbatimit të standardeve, që kërkon ligji ndërkohë që po vijohet me modelimin e skemave nxitëse.
Nertila Maho
Krizat gjithmonë nxisin debat dhe sjellin në vëmendje çfarë mund të ishte bërë më mirë apo çfarë mund të bëhet në të ardhmen, që ndikimi të jetë sa më i ulët.
Kështu po ndodh edhe tani me krizën e energjisë. Vendet anekënd globit, “të gjunjëzuara” para çmimeve rekord por edhe me mungesë të disponueshmërisë në disa raste, janë detyruar të rrisin çmimet, të japin mbështetje buxhetore për kompanitë publike, por edhe të rishikojnë planet e tyre mbi zhvillimin e sektorit.
E mes shumë aspekteve, eficienca e energjisë është cilësuar si alternativa më e mirë, që në një krizë energjie, sot apo në të ardhmen, të përballohej më mirë. Në Shqipëri kuadri për eficiencën e energjisë dhe ngritja e një institucioni të dedikuar si Agjencia për Eficiencën e Energjisë, mbeten ende të reja, teksa aplikimi i skemave nxitëse është në proces modelimi, duke i bërë hapat të ngadaltë.
Shqipëria gjithsesi në skemën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, sipas vlerësimit të fundit të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, rezulton se për vitin 2020 së bashku me Malin e Zi, tejkaloi objektivat për energjitë e rinovueshme (Direktiva e 2009), në aspektin e konceptit të përgjithshëm të eficiencës, Shqipërisë i jep dorë fakti që prodhimin e kemi kryesisht nga hidrocentralet, por elementët e tjerë përbërës kanë nevojë për më shumë nxitje.
Por si ta kuptojmë në fakt çfarë është eficienca në energji? Koncepti i përgjithshëm ka të bëjë me përdorimin e një sasie më të ulët energjie për të kryer të njëjtën punë apo proces.
Eficienca lidhet ngushtë me përfitime të tilla si ulja e emetimit të gazrave, ulja e kërkesës për energji nga importet, ulja e kostove të energjisë për familjet apo ekonominë në tërësi kur shihet në një prizëm më të gjerë. Arritja e këtyre objektivave bazohet tek teknologjia e prodhimit të energjisë nga burimet e rinovueshme por përmirësimet që mund të bëhen në funksion të eficiencës janë nga më të ndryshmit dhe lidhen me disa sektorë.
Kështu mund të flasim për eficiencë në ndërtesa, në transport, në industri apo në prodhimin e energjisë. E në gjithë këtë hapësirë mundësish, Shqipëria ndodhet në fillim të rrugëtimit por kriza mund të përshpejtojë hapat.
Kriza e energjisë rrit interesin e bizneseve dhe familjeve për eficiencën e energjisë
Kur çmimet e energjisë në bursa prekën nivele rekord prej 350-500 euro MW, tronditja e parë ishte ajo e bizneseve në tregun e lirë, që e sigurojnë vetë atë përmes kontratave private. Sigurisht edhe për kompanitë publike, që menaxhojnë hallkat për furnizimin e konsumatorëve në tregun e rregulluar, situata financiare mori “tatëpjetën” duke kërkuar ndërhyrjen e qeverisë, e cila dha mbështetjen e saj përmes garancive.
Nën panik, bizneset nisën investime të shpejta në impiante fotovolatike, duke e parë këtë si një zgjidhje të mirë për të ulur kostot. Bankat e nivelit të dytë, që ofrojnë prej vitesh produkte të dedikuara për kursimin e energjisë, e lidhin interesin e rritur në mënyrë më dinamike pikërisht me krizën.
“Vlen të thuhet që në kushtet e krizës aktuale ndërkombëtare energjetike dhe rritjes së pritshme të çmimeve të kësaj energjie, vëmendja drejt këtyre investimeve është shtuar. Këtu kanë ndikuar tashmë edhe zhvillimet teknologjike (e shoqëruar me ulje të kostove të investimit).
Mendoj se vëmendja e ulët e deritanishme, lidhet me mungesën e ndërgjegjësimit për avantazhet e prekshme financiare që këto lloj investimesh siguronin” pohon Alban Velo nga Drejtor i Departamentit SME në Intesa Sanpaolo Bank Albania.
Sektori bankar ka konsoliduar ndër vite produkte të dedikuara, që lidhen si me bizneset edhe me individët, duke dhënë kështu hapësira financiare për ata që duan të investojnë. Loreta Gogaj, Drejtore e Departamentit të Biznesit SME, Union Bank nënvizon se pritshmëritë janë që interesi mbetet në rritje.
“Vitin e fundit, presioni i rritjes së çmimit të energjisë elektrike, si dhe miratimet e akteve nënligjore, kanë aktivizuar kompanitë që ofrojnë këto produkte eficiente dhe kanë shtuar interesin e bizneseve për të bërë investime në drejtim të energjisë së rinovueshme.
Interesimi u ndie edhe në kërkesën për kredinë e paneleve fotovoltaike. Besojmë se kërkesa do të vijë duke u rritur, pasi edhe kredia e ofruar është e thjeshtë dhe me kushte të favorshme për bizneset dhe investimi është me vlerë afatgjatë për bizneset” nënvizon znj. Gogaj.
Edhe kompanitë që prodhojnë materiale që janë në funksion të eficiencës së energjisë po shohin më shumë interes këto kohë.
Neritan Malo, administrator i ALBA ROAD Sh.a shprehet se janë familjarët por edhe bizneset, kryesisht kompanitë e ndërtimit, ato që janë më aktive. Kompanitë e ndërtimit jo rastësisht janë të interesuara pasi me kuadrin e ri ligjor ndërtimet e reja duhet të përmbushin kritere mbi eficiencën dhe që kontrollohen tashmë nga trupa të certifikuara.
Agjencia për Eficicencën e Energjisë, certifikimi i audituesve dhe menaxherëve
Subjektet private që kanë konsum mbi 1 milionë kWh në vit, janë të detyruar që të kenë pranë tyre një menaxher energjie, i cili do t’i këshillojë rreth alternativave sesi mund të përmirësohet eficienca e energjisë në aktivitetin e tyre. Aktualisht të certifikuar si menaxherë janë vetëm 44 profesionistë raporton Agjencia e Eficiencës së Energjisë çka e bën pak të vështirë procesin.
Eltar Deda Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë për Eficiencën e Energjisë (AEE), nënvizon se plotësimi i një numri të përshtatshëm me menaxherë në treg është një proces në vijim
ndërkohë që ecuria e proceseve të punës për audituesit e energjisë ka qenë më e mirë.
“Në vendin tonë operojnë 100 auditues energjetikë dhe 44 menaxherë energjie. Ndërkohë që audituesit kanë filluar të ushtrojnë aktivitetin, nuk mund të themi të njëjtën gjë për menaxherët, pasi figura e tyre ende nuk njihet nga pjesa më e madhe e palëve të interesuara.
Realizimi i procesit ka qenë i vështirë, për shkak se ekzistojnë mbi 250 konsumatorë të mëdhenj energjie, ndërkohë që aktualisht kemi vetëm 44 Menaxherë të certifikuar. Megjithatë, AEE ka marrë masat e duhura, për të eliminuar edhe këtë vështirësi, përmes shtimit të numrit të menaxherëve të certifikuar, gjë që parashikojmë ta realizojmë brenda shkurtit të këtij viti” pohoi Deda.
Aplikimi i skemave nxitëse, mund të rrisë interesin për eficiencë
Eficienca në energji ka nevojë për investime shtesë dhe alternativat apo teknologjitë, që mund të aplikohen janë nga më të ndryshmet. Kthimi i shpejtë, gjithsesi, nuk arrin të bindë në shumë raste individët apo bizneset, që e shohin si një kosto shtesë apo të papërballueshme edhe pse në shumë raste thellimi në llogaritje mungon.
Shumë vende e kanë zgjidhur këtë përmes skemave nxitëse, duke ofruar lehtësi në taksa apo subvencione direkte për klientët që investojnë në eficiencë. Në vendin tonë këto skema aktualisht janë ende në modelim nga autoritetet shtetërore dhe mbetet i pafinalizuar modeli që do aplikohet.
“Agjencia për Eficiencën e Energjisë është duke përgatitur një sërë skemash për të nxitur investimet në eficiencë me fokus në ndërtesat publike dhe private. Bazuar në praktikat më të mira europiane po ndërtohet legjislacioni përkatës, i cili parashikohet dhe nga ndryshimet e fundit që iu bënë ligjit për eficiencën e energjisë vitin e kaluar.
Dy mekanizmat që parashikon ligji janë marrëveshjet vullnetare, si dhe shoqëritë e shërbimeve energjetike. Për këto dy lloj instrumentesh është përgatitur tashmë draft kontrata, e cila do të shërbejë si bazë për pikënisjen e tyre.
Nëpërmjet buxhetit të shtetit, AEE do të mbështesë financiarisht projektet, që synojnë zbatimin e masave të ndryshme për rritjen e eficiencës energjetike, të cilat kanë një kthim të shpejtë investimi me kushte të favorshme” nënvizon Eltar Deda nga Agjencia për Eficiencën e Energjisë.
Edhe bankat e nivelit të dytë shprehen se skemat nxitëse, janë modeli që funksionon për të nxitur investime e këtij profili.
“Ka disa mënyra apo masa që mund të nxisin këto investime: rregullimi dhe miratimi i marrëveshjeve për prodhimin e energjisë, kundrejt konsumit nga ana e biznesit, për një periudhë më afatgjatë, ofrimi i fondeve të garancive sovrane, apo stimuj të tjerë që mund të ofrohen nga sektori publik në drejtim të përjashtimeve nga taksat, etj” pohon znj. Gogaj nga Union Bank.
Për z.Alban Velo nga Intesa Sanpaolo Bank Albania janë një sërë masash që mund të merren dhe këto mund të përfshijnë aspektet rregullative por edhe instrumente fiskale, që mund të përdoren për të rritur avantazhet ekonomike nga këto lloj investimesh.
“Duhet të mbajmë parasysh se jemi një vend që, nga njëra anë kemi rrezatim diellor dhe erë të shfrytëzuar ende në minimum, dhe në anën tjetër, ndërtime që ende i kushtojnë pak vëmendje eficiencës energjetike.
Avantazhi ekonomik mendoj se është argumenti më i fortë që na prek dhe na shtyn për veprim të gjithëve, duke filluar nga ne si individë e për të përfunduar në ndërmarrje private, apo publike” nënvizon z.Velo.