Një vendim i pak ditëve më parë i Këshillit të Ministrave përcaktoi tarifat që do të paguhen nga institucionet karshi Operatorit të Blerjeve të Përqendruara për procedurat që do të zhvillojë ky operator për llogari të të tretëve.
Operatori i themeluar sipas një vendimi të shtatorit 2023 në një shkresë drejtuar institucioneve kërkon që për çdo blerje që përcaktohet në kuadrin ligjor ti drejtohen me kërkesë këtij të fundit. Shkresa firmosur nga titullari OBQ nënvizon pikërisht këtë.
“Në zbatim të Ligjit nr. 162/2020 Për Prokurimin Publik” dhe VKM-se nr. 531 datë 7.9.2023 “Për krijimin e shoqërisë aksionare shtetërorë “Operatori i Blerjeve të Përzgjedhura Sh.a për kryerjen e procedurave të veçanta të prokurimit publik, në emër dhe për llogari të Kryeministrisë, Ministrive dhe Institucioneve të Varësisë”, bëjmë me dije se Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, në cilësinë e pronarit me 100% të aksioneve, ka regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit shoqërinë aksionare Operatori i Blerjeve të Përqendruara”, me NIPT M41501042N, me objekt kryerjen e veprimtarive ndihmëse për prokurimin publik, në emër dhe për llogari të Kryeministrisë, Ministrive dhe Institucioneve të varësisë.
Gjithashtu, bëjmë me dije se tarifat për shërbimet e OBP sh.a janë përcaktuar në VKM-në nr. 245, datë 17.4.2024 Për përcaktimin dhe përllogariten e tarifës, për kryerjen e veprimtarive ndihmese, për prokurimin publik nga shoqëria aksionare shtetërore Operatori i Blerjeve të Përzgjedhura” sha”.
Njoftojmë institucionet se kërkesat e tyre që kanë për prokurim objekt i VKM-se nr. 531 datë 7.9.2023 “Për krijimin e shoqërisë aksionare shtetërore Operatori i Blerjeve të Përqendruara Sha për kryerjen e procedurave të veçanta të prokurimit publik, në emër dhe për llogari të Kryeministrisë, Ministrive dhe Institucioneve të Varësisë” tashmë do duhet t’i drejtohen Operatorit të Blerjeve të Përqendruara me adrese Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit “Bulevardi Dëshmoret e Kombit. nr. 3. Tiranë” thuhet në shkresë.
Kostot dhe blerjet
Sipas vendimit të themelimit të Operatorit të miratuar vitin e shkuar përcaktohen disa fusha për procedurat e prokurimit.
“Operatori i Blerjeve të Përqendruara, si organ qendror blerës, do të zhvillojë procedurat në fushën e prokurimit të mallrave, shërbimeve dhe punëve, si: a) blerje automjetesh; b) blerje karburanti, me përjashtim të vajgurit Jet A1 dhe karburantit që prokurohet për përdorim nga fermerët; c) blerje materialesh kancelarie; ç) blerje orendish dhe pajisjesh për mobilim; d) blerje materialesh të ndryshme për pastrim; dh) blerje uniformash dhe elementesh të tjera përbërëse të tyre; e) blerje këpucësh; ë) blerje pjesësh këmbimi për automjete, për shërbimet profilaktike; f) blerje tonerash; g) shërbime në fushën e sigurimeve, si: i. sigurim i automjeteve; ii. sigurim i mjeteve lundruese; iii. sigurim i mjeteve ajrore; iv. sigurim jete dhe shëndeti; v. sigurim i godinave publike; gj) shërbim gatimi dhe shpërndarjeje ushqimi; h) shërbim pastrimi; i) shërbim lavanderie; j) shërbim lyerjeje dhe mirëmbajtjeje të ndërtesave publike; k) riparim dhe mirëmbajtje automjetesh; l) botime, printime dhe materiale shtypshkrimi; ll) blerje materialesh të buta dhe veshmbathjesh; m) riparim e mirëmbajtje sistemesh të ngrohjeftohjeve; n) blerje pajisjesh laboratorike, si dhe mjetesh didaktike, të lidhura me proceset e tyre të punës, me përjashtim të atyre mjekësore; nj) shërbime dezinfektimi, deratizimi dhe dezinsektimi; o) blerje artikujsh ushqimorë; p) blerje pajisjesh kondicionimi; q) shërbim gjelbërimi; r) rikonstruksion objektesh” thuhet në vendim.
Sa i takon kostove institucioneve që duan të përgatisin dhe zhvillojë procedurat e prokurimit deri në 200 milionë lekë pa TVSH, duhet t’i paguajë s 2,5% të vlerës së fondit të kërkuar për t’u prokuruar. Ndërkohë për procedurat mbi 200 milionë lekë, tarifa është 5 milionë lekë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.