Stacioni televiziv hungarez TV2 nuk arrin dot deri në Serbi…të paktën tani për tani
Televizioni hungarez, TV2, ende nuk ka folur zyrtarisht për faktin se nuk arriti të fitojë një licencë për transmetimin dixhital tokësor në Serbi, megjithëse po rriten spekulimet se vendimi i rregullatorit serb të medias për të shtyrë dhënien e një licence të pestë, mund të ketë qenë me qëllim për t’i lejuar kompanisë hungareze më shumë kohë për të mbledhur fondet e nevojshme për të financuar një sipërmarrje të tillë.
Mospërfshirja e TV2 (stacionit televiziv privat më të madh në Hungari, i cili mban haptazi anën e qeverisë së Viktor Orbanit) në listën e të licencuarve, ishte një surprizë për shumë veta, duke pasur parasysh marrëdhëniet e ngrohta midis kryeministrit hungarez dhe homologut të tij serb Aleksandër Vuçiç, si dhe dyshimet për ndikim politik në tender, pasi rregullatori i medias në Serbi u dha licenca katër stacioneve televizive proqeveritare.
Për më tepër, interesat e biznesit hungarez të lidhur me qeverinë e Fidesz, në media dhe sektorë të tjerë, kanë qenë aktive gjatë viteve të fundit, duke investuar në vendet e Ballkanit, si Sllovenia dhe Mali i Zi, dhe shumë presin zgjerime të tjera të tilla në rajon.
Megjithatë, Organi Rregullator i Serbisë për Mediat Elektronike, REM, njoftoi se kishte dhënë licenca televizive kombëtare për transmetim dixhital tokësor për katër stacione televizive që tashmë i kishin ato: Pink, Happy, Prva dhe B92.
Këshilli REM tha se, “për shkak të interesit të madh për marrjen e licencës për transmetim televiziv… Këshilli REM mori vendim për dhënien e një licence tjetër për të ashtuquajturën ‘frekuenca e pestë’”… Në tender kanë konkurruar gjithsej katërmbëdhjetë stacione televizive.
Presidentja e Këshillit REM, Olivera Zekic, tha për mediat se transmetuesit duhet të aplikojnë sërish për frekuencën e pestë dhe se ajo pret që procesi të përfundojë deri në fund të vjeshtës.
Mediat aleate të qeverisë hungareze nuk raportuan për dështimin e TV2 në Serbi, por disa po spekulojnë se vonesa në dhënien e frekuencës së pestë, ndoshta nuk është rastësi. Ekonomia e Hungarisë po vuan nga lufta në Ukrainë, inflacioni është i lartë dhe monedha në rënie, ndërsa TV2 do të përballet me taksa të reja, duke filluar nga viti i ardhshëm, çka do të thotë se aktualisht, mund t’i mungojnë mjetet financiare për të nisur një sipërmarrje të tillë të huaj.
TV2 është në pronësi të mikut të fëmijërisë së Orbanit, Lorinc Meszaros, ngritja stratosferike e të cilit nga një montues i thjeshtë gazi, në njeriun më të pasur të Hungarisë, është e pashembullt në botën demokratike. Prandaj besohej se ai me siguri do të arrinte të depërtonte në Serbi.
Miklos Vaszily, president i TV2, tha në një intervistë në qershor, se stacioni i tij ka një “interes strategjik për t’u zgjeruar në Adriatik ose në rajonin e Ballkanit”. Ai shprehu optimizëm për fitimin e një prej licencave të ofruara në Serbi, pasi stacioni kishte bërë një aplikim të fortë dhe profesional dhe ai besonte se “aktorët e rinj ishin të mirëpritur në autoritetin e medias serbe”.
Sipas faqes së lajmeve Media 1, TV2 themeloi një kompani lokale TV2 RS Broadcasting në Serbi, me kapital fillestar prej 100,000 eurosh. Kompania serbe e TV2 – e kryesuar nga franko-bullgari Pavel Stanchev, CEO i TV2 Group dhe Slloven Planet TV, si dhe Spela Pirnat, drejtoresha sllovene e Planet TV – pritej të ndërtohej duke u mbështetur në përvojat dhe modelin e biznesit të transmetuesit slloven.
Planet TV, stacioni i tretë më i madh slloven, u ble nga TV2 në vitin 2020. Duke pasur parasysh propagandën famëkeqe pro-qeveritare të televizionit, ku gazetarët u zotuan publikisht për besnikëri ndaj Orbanit gjatë fushatës zgjedhore të pranverës, nuk ishte befasi për vëzhguesit që Planet TV u bë zëdhënës për qeverinë nacionaliste-populiste të ish-kryeministrit Janez Jansa, aleati ideologjik i Orbanit në Slloveni, derisa ai u largua nga posti në pranverë.
TV2 gjithashtu planifikonte të blinte RTL Croatia, por kjo marrëveshje nuk u realizua.