Mesazhet e renditjes së 200 bizneseve më të mëdha në vend
Renditja e 200 bizneseve më të mëdha në vend, e publikuar së fundmi nga “Monitor”, indirekt pasqyron strukturën e ekonomisë dhe “modelin ekonomik”, duke ndikuar në formësimin e ekosistemit të biznesit.
Ajo që vihet re në këtë renditje, duke u konsoliduar më tepër me kalimin e viteve, është mbizotërimi i kompanive që tregtojnë hidrokarbure, energji, minerale, apo që ushtrojnë veprimtari në sektorin e ndërtimit.
Dominojnë kompani të cilat veprojnë në fushën e shfrytëzimit të burimeve natyrore dhe territorit, me pak fjalë lëndëve të para bruto, që angazhojnë krah pune relativisht më pak të kualifikuar dhe gjenerojnë të ardhura, duke luajtur kryesisht me faktorin e çmimit.
Debatet për modelin ekonomik të vendit kanë qenë të shumta dhe tashmë, pyetjet e natyrës, nëse modeli ekonomik i Shqipërisë ka arritur apo jo që, në mënyrë të qëndrueshme të reduktojë varfërinë dhe të krijojë mirëqenie të përhapur, apo nëse modeli ekonomik që kemi synuar është ai i cili pasqyrohet në strukturën e bizneseve më të mëdha, duket sikur e marrin përgjigjen çdo vit te kjo renditje e “thjeshtë”.
Thënë ndryshe, ekonomia jo vetëm që nuk po zhvendoset drejt produktivitetit apo konkurrueshmërisë, por është duke sjellë më tepër përqendrim, si në tregje, asete, por dhe në nivel gjeografik.
Eksportet e vendit vijojnë të dominohen nga sektorë me vlerë të shtuar të ulët si fasoni, apo lëndë minerare, të cilat janë të brishta edhe ndaj goditjes më të vogël, për shkak të nivelit të ulët të konkurrueshmërisë.
Një model ekonomik i tillë nuk ka si krijon mirëqenie të qëndrueshme për popullatën, por duke shkuar më tej, jemi para një strukture ekonomie, e cila po ndikon negativisht në demografinë e krahut të kualifikuar të punës, duke përshpejtuar shpopullimin e vendit nga pjesa më e kualifikuar, që përbën faktorin kryesor konsumator dhe kursimtar të ekonomisë.
Problemi më i madh tashmë është bërë përgjigjja që një student i sapodiplomuar, brenda apo jashtë vendit, duhet t’i japë pyetjes që i bën vetes:
Cila është zgjedhja e duhur për të nisur rrugëtimin e karrierës profesionale, që të ofrojë mundësi zhvillimi profesional, rritje të qëndrueshme financiare dhe në karrierë?
Vendi mund të ketë një listë kompanish shumë të mëdha dhe një numër të lartë kompanish të mesme e më të vogla.
Por numri i tyre shndërrohet në të pamjaftueshëm për të plotësuar nevojat për punësim dhe karrierë profesionale të qëndrueshme për brezat e rinj, sa kohë që aktiviteti ekonomik i tyre përqendrohet në pak sektorë, me pak vlerë të shtuar të kufizuar, me minimumin e investimeve zhvillimore apo përsosjes së proceseve produktive.
Kjo vetvetiu shton nxitjen për emigrim, pasi jo vetëm aspekti financiar kënaq në mënyrë të kufizuar kërkesën, por edhe zhvillimi profesional mbetet i mangët. Prandaj, këta të rinj përherë e më tepër e shohin të ardhmen jashtë kufijve të vendit dhe këtë hemorragji nuk po arrin ta frenojë as rritja e vazhdueshme e pagave.
Në këto situata, qeveritë e përgjegjshme ndërmarrin reforma të rëndësishme të harmonizuara dhe nuk e konceptojnë problemin si një marrëdhënie të thjeshtë kontraktuale, si në rastin e studentëve të mjekësisë.
Mekanizmat e vënë në veprim nga qeveria marrin më tepër natyrë konflikti, duke u fokusuar në rritjen e vazhdueshme të tatimeve dhe taksave, pa kthyer mbrapsht në mënyrë të ndjeshme shërbime të cilat ndikojnë në përmirësimin e mjedisit ku jetohet.
Mjafton të shqyrtohen mekanizmat arbitrarë të përcaktimit të taksave të drejtpërdrejta apo të tërthorta mbi pronësinë (rastet e projektligjeve të hedhura për diskutim për taksat mbi pronësinë apo sigurimin e detyrueshëm të banesave) për të kuptuar që, në afat të gjatë, po sulmohet dhe aftësia për të krijuar e për të shtuar pronësinë e patundshme.
Ndërkohë, modeli i shpenzimeve publike, që duhet të kishte dhënë një frymëmarrje për ekonominë, ka prodhuar kosto financiare dhe morale, pasi 43% e fondeve të dhëna për koncesionet nga buxheti i shtetit janë nën hetim.
I rikthehemi pyetjes së studentit të sapodiplomuar! Për momentin nuk japim dot një përgjigje, por vetë studentët duket se e kanë gjetur rrugën e tyre. Mjafton të përmendim se hoteleria nuk kishte as studentë për të shërbyer në bregdetin shqiptar këtë vit!