(qe endrra te behet realitet)
Ishte i merituar vendimi i javës së fundit, kur Komisioni Europian miratoi zyrtarisht propozimin e Kolegjit të Komisionerëve Europianë për heqjen e vizave me Shqipërinë. Ishte e merituar jo vetëm për shkak të afërsisë gjeografike, vlerave historike, kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve. Vendimi për liberalizimin e vizave me Shqipërinë ishte edhe për meritë të institucioneve shqiptare dhe shtetit që shqiptaret kanë ndërtuar në këto 20 vjet demokraci, paçka se ne qytetarët e këtij vendi e dimë mirë se këto institucione mbeten të pakonsoliduara, pa imunitet ndaj politikës me probleme të mprehta ndaj korrupsionit, mënyrën si respektojnë ligjin dhe të drejtat.
Që në nisje të procesit kur Shqipëria intensivisht dhe seriozisht hyri në procedurat konkrete për liberalizimin e vizave, BE ishte shprehur se kushtet për Shqipërinë ishin teknike duke bërë të qartë se suksesi i procesit do të varej se me çfarë cilësie dhe sa shpejt do t’i përqaseshin procesit autoritetet shqiptare. Komisionerja e Bashkimit Europian për çështjet e Sigurisë dhe Vizave, Cecilia Malmstrom, kur dha lajmin për vendimin e KE cilësoi se qeveria shqiptare ka bërë një punë shumë serioze në plotësimin e kërkesave të bashkimit europian. “Propozimi është rezultat i punës së madhe dhe intensive të autoriteteve dhe popujve të këtyre vendeve për plotësimin e kushteve”, deklaroi Malmstrom. (përfshihet edhe vendimi për Bosnje-Hercegovinën).
Endrra për lëvizjen e lirë për shqiptaret nisi që në hyrje të viteve ‘90. Por vetëm në vitin 2003 në Samitin ballkanik në Selanik të Greqisë, BE i premtoi Shqipërisë së bashku me vendet e tjera të Ballkanit, diskutim për nevojën e reformave që duhen kryer për përfitimin e liberalizimit të vizave. Por nuk pasoi asnjë zhvillim për vite me radhë. Në vitin 2006, BE iu ofroi vendeve të Ballkanit perëndimor fillimisht lehtësimin e procedurave për marrjen e vizës Shengen në këmbim të marrëveshjeve të ripranimit. Por vetëm në janar të vitit 2008 nisi dialogu aktual konkret dhe intensiv. Gjatë kësaj kohe edhe autoritetet shqiptare ndërmorën reforma që do të ndihmonin mbrojtjen e tyre por edhe të vetë BE-së nga krimi i organizuar dhe imigrimi ilegal, reforma të tilla si pajisja e shtetasve me pasaporta biometrike, modernizimi i vendkalimeve kufitare, qendra pranimi për azil kërkuesit, bashkëpunim i afërt me agjencitë europiane si Europoli, dhe luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjatë kësaj periudhe, në fakt të shkurtër (vetëm 2 vjeçare) Shqipëria u mundua të plotësonte me sukses plot 50 kushte. Nisur nga vendimi i fundit duket se ia ka rritur t’i përmbushë me sukses. Për këto arsye jo vetëm shqiptarët por edhe institucionet tij e kanë merituar vendimin e javës së fundit për heqjen e vizave edhe pse europianët kërkojnë të shikojnë në vijim plotësimin e tri kritereve të fundit e për të cilat ka marrë sipas tyre garancitë e qeverisë. Megjithatë rruga e Shqipërisë është ende e gjatë. “Liberalizimi i vizave është një gur themeli për politikën integruese të BE-së ndaj vendeve të Ballkanit”, – tha Malmstrom. Por ngrehina europiane e demorkacisë dhe shtetit shqiptar do ende punë. Procesi i integrimit drejt BE – së sa ka hyrë në fazën e tij intensive por deri në finale duhen plotësuar shumë kushte edhe më të vështira për fazën në të cilën ndodhet vendi ynë. Janë çështje të mprehta. Ato prekin të gjitha fushat. Shqipëria duhet të japë një përgjigje konkrete sipas KE për luftën kundër korrupsionit, pavarësisë së pushteteve, si zbaton dhe respekton liritë dhe të drejtat e qytetarëve. Plotësimi i këtyre detyrimeve nuk duhet parë si kusht por si funksione jetike të një sistemi demokracie të cilët shqiptarët po punojnë për ta krijuar çdo ditë. Duke mos neglizhuar edhe krizën aktuale ku ndodhet politika shqiptare, jo vetëm lëvizja e lirë por integrim në BE kërkon kontributin e të gjithëve. Qëllimisht titullin e këtij editoriali (që ëndrra të realizohet) ne nuk e vendosëm në shqip për të thënë se mesazhi që vjen nga BE pas liberalizimit të vizave është se këtej e tutje Shqipëria me të gjithë aktorët dhe faktorët e saj duhet të kuptohet në gjuhën e Europës. Ambasadori i delegacionit të Bashkimit Europian, Helmut Lohan, i cili ndoqi konferencën për shtyp të komisioneres Malmstrom në kohë reale, në prani të gazetarëve, në fund të saj tha: “Nuk kam asnjë dyshim se mesazhi i dërguar nga Bashkimi Europian është kuptuar plotësisht nga klasa politike shqiptare”.