Bie çmimi i arit, ndërsa tkurren blerjet nga Azia
Kërkesa botërore për ar po shënon rënie të theksuar, ndërsa konsumatorët më të mëdhenj, India e Kina, ulën blerjet me dobësimin e rritjes ekonomike, duke ndalur papritmas bumin e konsumit që filloi pesë vite më parë, kur nisi kriza financiare.
Rënia e konsumit po sjell ulje të çmimeve, duke dëmtuar të ardhurat e minierave të arit si “Barrick Gold” në Kanada dhe “Newmont” e listuar në bursën e Nju Jorkut, duke dëmtuar njëkohësisht edhe investimet e menaxherëve të mëdhenj si John Paulson e George Soros.
Këshilli Botëror i Arit, një grup që lobon për minierat e arit, bëri të ditur në mes të javës së kaluar se kërkesa për metalin e verdhë ra në 990 tonë në tremujorin e dytë, më i ulëti që nga tremujori i parë i 2010-s dhe 7% më pak se viti i kaluar.
“India e Kina përfaqësojnë gjysmën e konsumit global të arit dhe po shikojmë rënie të qartë në të dyja tregjet”, thotë Marcus Grubb, drejtor i menaxhimit për investimet në kompaninë WGC me bazë në Londër.
Çmimi i arit ka rënë në rreth 1,600 dollarë për një troy onz, duke u tkurrur me 17% nga niveli më i lartë i çmimit i shënuar ndonjëherë prej 1,920.30 dollarësh në shtator 2011. Por çmimet mbeten dukshëm më të larta se pesë vite më parë, kur metali u tregtua rreth 650 dollarë për onz. Që nga shfaqja fillestare e shenjave të krizës financiare në mes të vitit 2007, drithërat, ari dhe karburantet kanë qenë asetet që kanë performuar më mirë në treg.
India, që tradicionalisht ka qenë konsumatori më i madh në botë i arit, por që mund të kalohet nga Kina, ka vërejtur kërkesën më të ulët në treg së fundi për shkak të një kombinimi të rritjes së ulët ekonomike dhe çmimeve të larta në monedhën vendase. Rupi indian ka rënë të paktën 25% kundrejt dollarit amerikan gjatë vitit të fundit. India bleu 181.3 tonë ar në tremujorin e dytë, në nivelin më të ulët prej dy vitesh dhe industria beson se blerjet do të mbeten të dobëta edhe gjatë pjesës tjetër të vitit.