Shtohen rreziqet në ekonomi
Banka e Shqipërisë, në raportin e politikës monetare për tremujorin e tretë të këtij viti, thekson se politika fiskale do të jetë një tjetër faktor i rëndësishëm në ecurinë e ekonomisë, por hapësirat e sektorit publik për politika kundërciklike mbeten të kufizuara. Në këto rrethana, parashikimi për rritjen ekonomike mbetet subjekt i rreziqeve të shtuara në kahun rënës
Nga Laura Çela
Ekonomia shqiptare ka pak gjasa të rimëkëmbet edhe në muajt në vazhdim. Raporti i politikës monetare për tremujorin e tretë të këtij viti i Bankës së Shqipërisë thekson se zhvillimet e deritanishme makroekonomike dhe projeksionet për to tregojnë për një aktivitet të ulët ekonomik dhe për presione të dobëta inflacioniste gjatë vitit 2013.
Të dhënat e BSH-së tregojnë për një rritje ekonomike më të ngadaltë në tremujorin e tretë. Për vitin 2013, rritja ekonomike pritet të mbetet pranë normës së regjistruar një vit më parë. Ecuria e konsumit dhe e investimeve private vijon të frenohet nga pasiguria e lartë, nga paqëndrueshmëria e burimeve të të ardhurave, nga kushtet e shtrënguara të financimit. Në sektorë të veçantë të ekonomisë, ajo reflektohet në një prirje drejt kursimit dhe përpjekje për rregullimin e bilanceve të tyre. Paralelisht me të, rritja e eksporteve vlerësohet të jetë e pamjaftueshme për të siguruar normat e mëparshme të rritjes së ekonomisë, si pasojë e problemeve të partnerëve tanë tregtarë por edhe e bazës së ulët eksportuese të ekonomisë shqiptare. Në tremujorin e fundit të vitit, reduktimi i kontributit të sektorit të jashtëm pritet të kompensohet nga rritja e pritur e stimulit fiskal. Trajektorja e ardhshme e politikës fiskale do të jetë një tjetër faktor i rëndësishëm në ecurinë e ekonomisë, por hapësirat e sektorit publik për politika kundërciklike mbeten të kufizuara. Në këto rrethana, parashikimi për rritjen ekonomike mbetet subjekt i rreziqeve të shtuara në kahun rënës.
Ngadalësimi i rritjes ekonomike në tremujorin e dytë dhe vijimi i kësaj prirjeje edhe në tremujorin e tretë është pasqyruar në dobësimin e presioneve inflacioniste nga kërkesa agregate. Ky zhvillim u reflektua në vijimin e shfrytëzimit të pjesshëm të kapaciteteve prodhuese dhe në dinamika rënëse në kostot e punës e të prodhimit.
Nga ana tjetër, vlerësime të tërthorta sugjerojnë se përmirësimet e mundshme në ofertën vendase të prodhimeve bujqësore kanë luajtur rol të përkohshëm në reduktimin e shpejtë të çmimeve të konsumit gjatë muajve korrik-gusht 2013. Në të njëjtën kohë, ekonomia shqiptare nuk përjetoi rritje të presioneve inflacioniste nga jashtë, si pasojë e inflacionit në rënie në vendet partnere dhe ecurisë së qëndrueshme të kursit të këmbimit.
Gjatë vitit 2013, ambienti makroekonomik është karakterizuar nga rënia e intensitetit të presioneve të përgjithshme inflacioniste. Kjo tendencë u forcua më shumë në tremujorin e tretë. Inflacioni vjetor shënoi një nga vlerat e ulëta historike (1.5%) në këtë periudhë. Krahas faktorëve afatgjatë të lidhur me dobësimin e kërkesës agregate, në reduktimin e vlerave të inflacionit gjatë këtij tremujori ndikuan edhe faktorë me veprim afatshkurtër.
Mbivendosja e veprimit të faktorëve të mësipërm ndikoi në uljen e vlerës së inflacionit poshtë nivelit minimal të objektivit afatmesëm të Bankës së Shqipërisë (2-4%).
Rritja e ekonomisë nën potencial, qëndrueshmëria e kursit të këmbimit dhe e çmimeve në tregjet botërore kanë përcaktuar një profil të ulët inflacioni.
Presionet inflacioniste në të ardhmen do të mbeten të përmbajtura në reflektim të dobësisë së përgjithshme të ekonomisë reale dhe të zgjerimit të ngadaltë monetar. Pritjet inflacioniste afatmesme qëndrojnë të ankoruara dhe në linjë me stabilitetin e çmimeve.
Inflacioni i ulët, shkak i konsumit minimal
Bazuar në vlerësimet mbi vijimin e presioneve inflacioniste të ulëta, kryesisht për shkak të vazhdimit të hendekut negativ të prodhimit, në muajin korrik 2013, Banka e Shqipërisë uli me 0.25 pikë përqindje normën bazë të interesit. Kjo ishte ulja e shtatë radhazi dhe e zbret normën bazë në minimumin historik prej 3.5%.
Ulja e normës bazë të interesit është transmetuar në normat e interesit në tregjet financiare. Si pasojë e reduktimit të kërkesës së qeverisë për huamarrje, ajo është përcjellë me intensitet të lartë në tregun primar të letrave me vlerë të qeverisë. Megjithatë, efikasiteti i përçimit të vendimeve të politikës monetare ka rezultuar i kufizuar mbi aktivitetin kreditues dhe në sektorin real të ekonomisë, për shkak të primeve të larta të rrezikut në tregjet financiare dhe si pasojë e kërkesës së dobët për financim nga agjentët ekonomikë. Paralelisht me uljen e kostos së parasë, Banka e Shqipërisë ka vijuar të mbështesë me likuiditet sistemin bankar, me anë të operacioneve të marrëveshjeve të anasjella të riblerjes me afat 7-ditor dhe 1-mujor.
Pasi u luhat në një interval të ngushtë vlerash të ulëta në harkun kohor të një viti, inflacioni vjetor u reduktua në mënyrë të ndjeshme në muajt korrik e gusht dhe, në muajin shtator, ai rimori rritjen e pritur sezonale.
Zhvillimet në inflacion, gjatë tremujorit të tretë të vitit 2013, u përcaktuan pothuajse tërësisht nga ecuria e çmimeve të produkteve ushqimore, e në veçanti të atyre të papërpunuara. Luhatjet e çmimeve në kategoritë e tjera të shportës kanë dhënë kontribute të ulëta në inflacionin total duke u kompensuar ndërmjet tyre.
Kategoria “Ushqime të papërpunuara” regjistroi një inflacion mesatar vjetor prej 7.4% gjatë tremujorit të tretë, ose rreth 2.6 pikë përqindje më poshtë se në tremujorin paraardhës. Ky zhvillim reduktoi kontributin përkatës në inflacionin total nga 2.0 në 1.5 pikë përqindje në tremujorin e tretë, duke rezultuar edhe kategoria përcaktuese në vlerën e inflacionit tremujor. Inflacioni më i ulët erdhi kryesisht si rezultat i shtimit të prodhimit vendas me produkte të stinës, duke përmbushur kërkesën për këtë
periudhë kohore. Ecuria në rënie e çmimeve të kësaj kategorie është ndikuar edhe nga rënia e çmimeve në dy vendet partnere kryesore, nga të cilat importojmë këto mallra (Italia dhe Greqia).
Kategoria “Ushqime të përpunuara” shënoi kontribut më të ulët në inflacionin total krahasuar me tremujorët e kaluar. Inflacioni vjetor i kësaj kategorie shënoi vlerën 0.5%, duke u ndikuar nga koniunktura e qëndrueshme globale e çmimeve të mallrave të kësaj kategorie, si dhe nga sjellja e favorshme e kursit të këmbimit gjatë këtij tremujori. Këta dy faktorë kanë ndikuar në uljen e kontributit të kësaj kategorie në inflacionin total gjatë dy viteve të fundit.
Në tremujorin në analizë, kontributi i kategorive “Mallra të konsumit joushqimor” dhe “Strehim” ka rezultuar negativ. Norma e inflacionit e kategorisë së parë ka mbetur pothuajse e njëjtë në vlerë negative gjatë muajve të këtij tremujori (-1.8% nga -2.1%), duke reduktuar shifrën totale të inflacionit me rreth -0.2 pikë përqindje. Çmimet në kategorinë “Strehim” patën zhvillim të ri gjatë muajit
shtator 2013. Ndërsa nga shtatori i vitit të kaluar, inflacioni dhe kontributi i kësaj kategorie shënonin vlera negative, ky muaj rezultoi me inflacion pozitiv (1.2%), duke rritur kontributin përkatës në inflacion me 0.1 pikë përqindje. Kategoritë e tjera me peshë më të vogël, në përgjithësi, vazhdojnë të japin një kontribut të ulët dhe të njëjtë me një tremujor më parë në vlerën e inflacionit vjetor.
Konsumi dhe investimet vijojnë të ulëta
Dobësimi i kërkesës agregate në tremujorin e dytë reflektoi kryesisht kontributin negativ të kërkesës së huaj neto, ndërsa kërkesa e brendshme u mbështet nga rritja e stimulit fiskal. Konsumi dhe investimet private mbetën të dobëta, por kontributi i tyre në ngadalësimin e kërkesës agregate ishte më i ulët se në tremujorin e parë. Analiza e zhvillimeve ekonomike, e përditësuar me informacionin e ri të marrë gjatë tremujorit të tretë, tregon se kërkesa e brendshme mbetet e dobët, ndërsa kërkesa e huaj po shfaq shenja ngadalësimi.
Përcaktuesit makroekonomikë të sjelljes konsumatore u përmirësuan disi në gjashtëmujorin e parë të vitit, por kërkesa konsumatore mbeti e ulët. Të dhënat për tremujorin e dytë tregojnë se kërkesa konsumatore ka rënë për mallra afatgjata dhe për shërbime dhe është ngadalësuar për ato afatshkurtra.
Shpenzimet konsumatore u mbështetën nga rritja e të ardhurave reale, nga rritja e besimit konsumator dhe nga zgjerimi i kredisë konsumatore në tremujorin e dytë të vitit. Përmirësimi i këtyre faktorëve është gjykuar i përkohshëm dhe nuk ka gjetur reflektim të plotë tek kërkesa konsumatore. Pasiguria e familjeve shqiptare mbetet e lartë, duke u reflektuar në rritjen e depozitave bankare dhe në rritjen e investimeve në letrat me vlerë të qeverisë. Informacioni i disponuar për tremujorin e tretë të vitit tregon një rritje të kujdesit të konsumatorit kundrejt shpenzimeve. Kjo sjellje pasqyrohet në përkeqësimin e besimit konsumator për tremujorin e tretë. Sipas vlerësimeve tona, ndryshimi vjetor i shpenzimeve konsumatore vazhdon të mbetet në territor negativ. Mungesa e një prirjeje të qëndrueshme të këtij komponenti tregon se konsumi privat vijon të vuajë pasigurinë e lartë dhe kushtet e shtrënguara të financimit.
Ngadalësimi ekonomik i viteve të fundit është reflektuar në shfrytëzim të ulët të kapaciteteve prodhuese, duke kontribuar në rënien e investimeve private të bizneseve. Përtej investimeve në infrastrukturë të lidhura me projektet e sektorit publik, investimet private dhe ato konsumatore kanë mbetur të dobëta edhe gjatë tremujorit të dytë të vitit.
Importi i makinerive e pajisjeve ka vazhduar rënien e nisur që në tremujorin e dytë të vitit 2012, duke shënuar nivelin -11.3%. Në linjë me dobësinë e kërkesës, kredia për qëllime investimi është ngadalësuar (-0.1%), ndërkohë që kredia hipotekore shënoi rritje (0.4%) në tremujorin e dytë pas tkurrjes prej më se 5 tremujorësh. Nga ana tjetër, flukset hyrëse të Investimeve të Huaja Direkte kanë shënuar rritje (30,5%) në tremujorin e dytë.
Ecuria e investimeve private në ekonomi gjatë pjesës së dytë të vitit do të reflektojë normën e lartë të kapaciteteve të pashfrytëzuara, dobësinë e përgjithshme të kërkesës dhe kushtet relativisht të shtrënguara të financimit. Gjallërimi i tyre pritet të jetë më i ngadaltë dhe më i vonuar në kohë se komponentët e tjerë të kërkesës agregate. Të dhënat cilësore nga vrojtimet e besimit të bizneseve, për tremujorin e tretë, tregojnë për norma ende të ulëta të shfrytëzimit të kapaciteteve në sektorët prodhues të ekonomisë. Importi i mallrave kapitale përshpejtoi normën rënëse në këtë tremujor (-12.3%), ndërkohë që kredia me qëllim investimi vazhdoi të tkurret, çka konfirmon dhe vlerësimin e dhënë nga bankat për përkeqësim të kërkesës nga ana e bizneseve. Megjithatë, vlerësimi i bizneseve për investimet e kryera ka ardhur në rritje, i shtyrë kryesisht nga optimizmi i sektorit të ndërtimit.