Indeksi i Çmimeve të Konsumit, tetor 2014
Muaji tetor ka shënuar një nivel inflacioni 1. 4%, relativisht i ulët në krahasim me objektivin e Bankës së Shqipërisë 2-4 për qind.
Një vit më parë ky ndryshim ishte 1,7 %.
Inflacioni po vijon të ndikohet nga kërkesa e dobët.
Gjatë tetorit dha ndikim të ndjeshëm në rritjen e inflacionit, paketa e re fiskale. Çmimi i cigareve është rritur mbi 7 për qind për shkak të rritjes së akcizës.
Sipas INSTAT, rritja vjetore në muajin tetor është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0,63 pikë përqindje.
Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” kanë kontribuar me +0,27 pikë përqindje në ndryshimin vjetor.
Çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me +0,18 pikë përqindje.
Çmimet e grupit “Qira ujë lëndë djegëse dhe energji” dhe “Shërbimi arsimor” kanë kontribuar me +0,16 pikë përqindje.
Çmimet e grupit “Shëndeti” kanë kontribuar me – 0,20 pikë përqindje në ndryshimin vjetor.
Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore:
Krahasuar me muajin Tetor 2013, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shërbimi arsimor” me 11,2 %, pasuar nga grupi “Pije alkoolike dhe duhan” .me 7,4 %. Brenda këtij grupi çmimi i duhanit u rrit me 12,4 %.
Çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” dhe “Komunikimi” u rriten respektivisht me 3,8 % dhe 2,7 %.
Çmimet e grupit “Hotele kafene e restorante” u rriten me 1,9 %.
Çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u rriten me 1,6 %. Brenda këtij grupi çmimet e nëngrupit “fruta” janë rritur me 9,2 %, pasuar nga nëngrupi “zarzavate përfshirë patatet me 7,3 %, nëngrupi “qumësht, djathë e vezë” me 2,1 %, etj.
Çmimet e nëngrupit “vajra dhe yndyrna” u ulën me 7,5 %, pasuar nga nëngrupi “sheqer e ëmbëlsira” me 2,7 %, “kafe, çaj e kakao” me 3,4 %, etj.
Ndërsa ulja me e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shëndeti” me 5,7 %.
Ndryshimi mujor i indeksit është 0,1 %.
Krahasuar me muajin Shtator 2014, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shërbimi arsimor” me 9,6 % ku mund të veçojmë rritjen e tarifave për studime universitare me 22,2 %. pasuar nga grupi “Veshje dhe këpucë” me 2,4 %. Ulja mujore më e madhe vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 0,6 %.
Burimi: INSTAT