Kosto abuzive e kontratës së skanimit t’i kalojë me detyrim ligjor Doganës
Është e detyrueshme dhe pozitive që qeveria të kthejë një pjesë të kredibilitetit të saj të dëmtuar nga kjo kontratë, por jo vetëm nga kjo
Flet Arben Malaj, President i Institutit për Politikat Publike dhe Qeverisjen e Mirë (IPPM)
Hyrja në fuqi e marrëveshjes së rishikuar të skanimit të kontejnerëve në Dogana në fillim të shtatorit të këtij viti, hasi në pakënaqësi të shumta nga biznesi, që u detyrua të paguante edhe kur nuk e merrte shërbimin. Për më tepër, disa lloje biznesesh u përballën me pagesa të dyfishta, problem që u pranua dhe nga Doganat dhe po rishikohet tashmë.
Prof. Arben Malaj, President i Institutit për Politikat Publike dhe Qeverisjen e Mirë (IPPM) rekomandon, në një intervistë për “Monitor”, që kostot abuzive të një kontrate që mund të ketë bazë ligjore por nuk ka bazë të logjikës ekonomike dhe për më tepër që shkel ligjin duke faturuar shërbime të pakryera, apo fatura të shumëfishta mbi të njëjtin mjet transporti, (por në varësi nga numri i faturave), duhet me ligj t’i kalojnë në detyrim Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave për t’ia paguar kontraktuesit të koncesionit.
Ai shkon edhe më tej kur thotë që qeveria “të ndalë përkohësisht koncesionet duke rishikuar ligjin, duke qartësuar përgjegjësitë individuale në çdo hallkë të administratës publike, duke përcaktuar përgjegjësinë individuale të ministrit propozues, që askush të mos përfshihet pas përgjegjësisë kolektive. Duhet vepruar sa më shpejt, nesër do të jetë shumë vonë”.
Si e vlerësoni marrëveshjen e rishikuar të skanimit të kontejnerëve. A arriti qeveria ta negociojë më mirë atë?
Rinegociatat janë gjithnjë të vështira. Efekti që konstatohet në zbatimin e këtij koncesioni në doganat e vendit tonë edhe pas rinegocimit, shqetësimet konkrete të biznesit, qartësojnë përgjigjen e pyetjes tuaj bazuar në një situatë reale.
Marrëveshja, si e vjetra ashtu dhe e reja, parashikojnë pagesën për çdo deklaratë doganore, pavarësisht faktit nëse kryhet apo jo shërbimi, përndryshe tarifa për biznesin, që skanohet, do të ishte shumë e lartë. Ministri i Financave e ka krahasuar këtë me sigurimet, ku ai që paguan mund edhe të mos e marrë ndonjëherë shërbimin. Si e vlerësoni ju këtë?
Duke respektuar angazhimin e qeverisë për të qartësuar disa nga problemet aktuale të zbatimit të kësaj kontrate, vlerësoj se duhet të dallojmë taksat nga tarifat dhe destinacionin e përdorimit të tyre.
Qeveria duhet të qartësojë objektin e këtij koncesioni, nëse ai ka të bëjë me një të mirë publike siç është rritja e sigurisë, ai duhet ta financojë nga taksat, por jo duke shtuar edhe ndonjë taksë të re – taksë për koncesionet.
Ne kemi aplikuar taksë të përkohshme për situatë apo projekte të jashtëzakonshëm, siç ka qenë taksa e solidaritetit për të mbështetur rritjen e pagave dhe shpërblimeve të policisë në kohën kur pasiguria pengonte rikthimin në normalitet të jetës sociale dhe ekonomike në vend. Është aplikuar edhe taksa e Rrugës së Kombit, apo taksa ‘Majko’, duke e konsideruar këtë rrugë prioritet kombëtar. Synohej që rruga të mos financohej duke rritur borxhin, pasi mund të sillte krizë buxhetore, siç edhe ndodhi.
Në doganat e vendeve europiane skanimi Është pjesë e shërbimit të saj dhe aplikohet me zgjedhje. Biznesi nuk paguan tarifë të veçantë dhe nuk pengohet që të kalojë sa më shpejt dhe me kosto sa më të vogël në dhe nga çdo pikë doganore.
N.q.s rasti konkret i Shqipërisë është koncesion për të përmirësuar shërbimin ndaj biznesit, për të eliminuar vonesat dhe kostot e rënda të kontrolleve rutinë, koncesioni parimisht duhet të shlyejë vetveten nga të ardhurat që gjeneron nga shërbimi që i ofron biznesit.
N.q.s ky koncesion i ka të dyja këto objektiva, atëherë për çdo objektiv duhet një skemë e veçantë financimi. Biznesi paguan vetëm për shërbim të kryer, ndërsa diferenca e shumës vjetore, që biznesi parashikon për shlyerjen e investimit të tij financohet nga të ardhurat buxhetore, siç financohet Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për të gjitha kostot e funksionimit dhe për çdo investim të saj.
Si çdo investim privat, koncesionari do të duhet të ketë të ardhura të mjaftueshme për të mbuluar kostot dhe për të marrë një fitim të arsyeshëm.
Për të garantuar realizimin e objektivave të dhënies së një koncesioni, përfitimet duhet të jenë minimalisht tre: (i) rritje e cilësisë së shërbimit; (ii) ulje të kostos së shërbimit dhe (iii) ulje të kostove të shërbimit e investimeve të parashikuara në marrëveshje, si dhe për të reduktuar dhe për të eliminuar çdo risk për fryrje jo realiste të shpenzimeve apo të fitimeve abuzive. Për çdo koncesion ka një strukturë që kontrollon arritjen e objektivave që në këtë rast duhet të ishin reduktimi i vonesave dhe kostove të rritura direkte dhe indirekte nga kontrollet rutinë. Për kostot e shërbimeve të pakryera dhe të rritura në mënyrë “novatore” nga qeveria e PD-së që e dha këtë koncesion nuk duhet të rëndohet biznesi.
Në marrëveshjen e rishikuar, qeveria merr përsipër të kompensojë koncesionarin, sidomos në vitet e para. Edhe pas rishikimit të pritshëm të kontratës, ku disa kategori biznesi do të lehtësohen nga pagesat e dyfishta, serish kjo e ardhur e munguar për koncesionarin do të kompensohet nga shteti. Si e vlerësoni?
Është një zgjidhje e detyruar pas një kontrate ku koncesionari ka arritur të ketë mbështetje ligjore për pretendimet e tij. Këto janë kosto të koncesioneve që në kushte normale kur rrisin përfitimet e koncesionarit nëpërmjet pagesave jo ligjore dhe abuzive, që i rëndohen biznesit dhe taksapaguesve, klasifikohen si korruptive deri në kapje shteti.
Por midis opsionit që këto kosto t’i ngarkohen biznesit apo të përballohen nga taksat, do të parapëlqeja të dytën. Sepse administrimi fiskal është një funksion publik si shumë funksione dhe shërbime të tjera dhe ai përballohet nga taksat. N.q.s koncesioni do të ishte negociuar si një shërbim që i garantonte biznesit, shpejtësi, kosto më të ulët dhe cilësi më të lartë, n.q.s i ulte çdo kosto direkte dhe indirekte, biznesi mund të paguante një fee/tarifë shërbimi, shuma e së cilës duhet të ishte më e vogël se përfitimi i tij financiar nga modernizimi i kontrollit. Në rast të kundërt, krijimi i disa tarifave shërbimi, në kurriz të biznesit, të cilat nuk kanë logjikë ligjore siç është pagesa për shërbim të pakryer dhe të cilat nuk kanë logjikë ekonomike dhe janë në kundërshtim me praktikat bashkëkohore të miradministrimit doganor siç janë pagimi i skanimit, sipas numrit të faturave në një mjet kur kostoja e shërbimit nuk kushtëzohet nga numri i faturave, apo pagimi disa herë i një tarife skanimi aty ku ai nuk ekziston dhe nuk kryhet, siç është detyrimi i pagimit në disa hallka të tij, i kanë krijuar biznesit kosto më të rënda, pra kanë rënë arsyet kryesore dhe parakushtet e rëndësishme të aplikimit të një koncesioni.
Sipas mendimit tuaj, çfarë mund të ishte bërë ndryshe në rishikimin e kontratës dhe a ka akoma një zgjidhje dhe cila është?
Të gjitha këto kosto abuzive të një kontrate që mund të ketë bazë ligjore, por nuk ka bazë të logjikës ekonomike dhe për më tepër, që shkel ligjin duke faturuar shërbime të pakryera, apo fatura të shumëfishta mbi të njëjtin mjet transporti, (por në varësi nga numri i faturave), duhet me ligj t’i kalojnë në detyrim Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave për t’ia paguar kontraktuesit të koncesionit.
Kjo ndërhyrje ligjore duhet të bëhet me ligj të veçantë, ligji miratohet me shumicë të thjeshtë siç është edhe ligji i miratimit të kontratës.
Ligji duhet bërë me akt normativ, sepse është e detyrueshme të eliminohet çdo shkelje ligji për pagesa për shërbime të pakryera.
Është e detyrueshme dhe pozitive që qeveria të kthejë një pjesë të kredibilitetit të saj të dëmtuar nga kjo kontratë, por jo vetëm nga kjo.
Shuma e detyrimeve që ligjërisht nuk duhet t’i ngarkohen biznesit, bëhet publike çdo muaj për të treguar koston e rëndë të paaftësisë dhe korruptimit në rastet e marrëveshjeve koncesionare me elemente të qarta të përfitimeve abuzive.
Rishikimi i kontratës
Rishikimi i kontratës për koncesionin e skanimit të kontejnerëve, nga “S2 Albania” një konsorcium amerikano–shqiptar (51% të aksioneve zotërohen nga amerikanët e “Rapiscan Systems” dhe 49% nga kompania shqiptare ICMS), uli tarifën në 22 euro për çdo deklaratë doganore mbi 1000 euro (nga 39 euro që ishte më parë) dhe 5 euro për çdo deklaratë doganore nën 1000 euro (që më parë ishte zero).
Në variantin e ri, buxheti i shtetit merr përsipër kompensimin e kostove të pambuluara me të ardhura në 7 vitet e para të aktivitetit të skanimit. Në total për 15 vite, “Rapiscan” do të marrë sipas kontratës së re 210 milionë euro.