Ne, preja e parajsës së të tjerëve
Parajsat fiskale nuk janë një gjë e paditur për njerëzit e pushtetshëm e aq më pak për menaxherët dhe avokatët. Ato u krijuan dhe ekzistojnë prej shumë vitesh për të pasur diskrecion të thellë kundrejt agjencive publike fiskale, për zotëruesit e aksioneve dhe origjinën e kapitalit. Ndaj nuk na çudit fakti që pas shpërthimit të “Panama Papers” ka aktivitete të tilla.
Ndjeshmëritë publike për çështjen lidhen me atë se pushteti lind dhe vepron i diktuar nga përftimet që vijnë prej parajsave fiskale dhe cili është ndikimi dhe fijet e tij në ekonomitë kombëtare.
Megjithëse përmasat e “Panama Papers” janë globale, secili shtet ka vendin e tij.
Islanda rrëzoi kryeministrin se ai kishte krijuar një kompani offshore që në kulmin e krizës ekonomike të vendit të tij, kërkonte të ardhura të pretenduara nga buxheti. Edhe David Cameron, kryeministri i Anglisë, është shënjestruar sepse ka përfituar nga fondi i të atit, i krijuar në këto parajsa fiskale.
Flitet për një konspiracion të madh, i cili ka pasur një dirigjent, që siç duket me zbardhjen e dokumenteve sekrete të “Mossack Fonseca” kërkon të vendosë ekuilibra të rinj politikë dhe ekonomikë, në rendin botëror që po tregohet i paaftë për të menaxhuar luftërat dhe krizat ekonomike. Por, kjo nuk e përjashton sërish ekzistencën e parajsave fiskale, thjesht zbulimi i të vërtetave të tyre, rikompozon pushtetin dhe marrëdhëniet. Ndoshta, skandali i Panamasë është një përpjekje e koordinuar e disa qeverive për të nisur luftën kundër këtyre parajsave që iu kanë tretur buxhetet publike. Të gjitha këto janë hamendësime dhe vetëm fillimi i një historie që sa ka nisur të lexohet.
Por, cili është halli i Shqipërisë? A është ajo e ekspozuar dhe deri në çfarë mase? Sa mund të jetë dëmi, nëse ka një të tillë? Dhe, a mundet qeveria të rregullojë diçka?
Përpara se t’i hyjmë këtij diskutimi, duhen faktet. Revista “Monitor”, pa pasur nevojën e letrave nga Panamaja, zbulon se kompanitë shqiptare me aksionerë shqiptarë, në pjesën dërrmuese (me pak përjashtime), nuk kanë origjinë dhe lidhje me ishujt ekzotikë të parasë. Ndoshta, zbardhja e mëtejshme e “Panama Papers” do të ndryshojë raportet.
Megjithatë, ne kemi konstatuar një fakt të pamohueshëm, që 45% e kompanive që kanë marrë koncesione nafte në Shqipëri janë me origjinë nga parajsat fiskale. Mbërritja në Shqipëri e kompanive me vende regjistrimi në parajsat fiskale, transferimi i aksioneve nga njëra kompani në tjetrën me profile të dobëta dhe të dyshimta është bërë i shpeshtë dhe me përmasa më të mëdha. Dhe, kjo shpjegohet vetëm me një mënyrë: se këtu kanë gjetur një mjedis favorizues për të vepruar.
Për shkak të përvojës së pakët dhe mjedisit ekonomik të varfër, Shqipëria kishte nevojë për kapitale, duke mbyllur njërin sy kundrejt profilit të kompanive, por duke u përqendruar më shumë te paratë likuide. Nëse në fillim kjo mund të ishte edhe e “kuptueshme”, tani është e pajustifikueshme që kjo mënyrë nga një rast është kthyer në një metodë.
Analiza të çon te logjika se ka disa faktorë që janë shtuar. Shqipëria nuk është më si në fillim dhe ka përvojën e nevojshme ligjore dhe institucionale.
Gjatë dy qeverisjeve të fundit ka pasur një aksion politik për të rritur, dhe për të transferuar të drejta, pasuri publike të djathtët – përmes koncesioneve, ndërsa të majtët – përmes Partneritetit Publik Privat (që në fakt është një formulë e ngjashme me koncesionet). Intensiteti ishte dhe është i lartë, se shpesh u shkelën kriteret bazë që ndalin hyrjen e kompanive të dyshimta, në jo pak raste u bënë kërcënim edhe kombëtar. Arsyet e këtij fluksi mund të lidhen edhe me trafiqet, politikën, evazionin… Por emëruesi i përbashkët i çdo dyshimi për arsyet, është mungesa e ofertës nga investitorët e huaj seriozë në mjedisin shqiptar.
Qeveritë në botë dhe pushtetet e llojeve të tjera, satelite të tyre, i kanë lejuar parajsat fiskale, por duket se as nuk duan t’i mbyllin, përderisa janë kaq të përfshira në to. Aq më pak, qeveria jonë. Në Shqipëri, gjithçka me këto parajsa është e lidhur me blerjen e zotërimit të pronës dhe së drejtës publike, aq sa nuk po kuptohet më se kush i zotëron pasuritë e shqiptarëve.
Por çfarë duhet bërë që efektet negative që vijnë prej tyre të mund të minimizohen? Qeveria nuk mund të pengojë e as të krijojë barriera në lëvizjen e lirë të kapitalit, por kur ajo transferon të drejta publike t’u qëndrojë kritereve bazë, në mos t’i forcojë ato, që investimi të japë kompani me profil të lartë, të cilin e vlerëson jo vetëm fuqia e kapitalit dhe cilësia e menaxhimit, por edhe biografia e saj. Kjo ka ndodhur në Shqipëri, megjithëse rastet janë të pakta, por kriteret janë anashkaluar rrugës??? Arsyet???
Së dyti, miratimi i kontratave të tilla nuk duhet bërë vetëm me vendime qeverie, por duhet të kalojnë mes përmes Kuvendit si pushteti më i lartë.
Së treti, planet e investimeve dhe kontrolli duhet të jetë rigoroz dhe ndëshkues kur të mos zbatohet.
Së katërti, vendosja e pengesave që në kriteret e dhënies së të drejtave, ku të përjashtohen kompanitë me origjinë nga parajsat fiskale.
Së pesti, të krijohet mekanizmi i ndërhyrjes shtetërore kur transaksionet e kapitalit janë të dyshimta.
Së fundi, gjetja e mënyrave që do të kufizonin daljen nga vendi të parave të destinuara për parajsat fiskale: një mënyrë mund të jetë lehtësimi fiskal në rast riinvestimi. Ka edhe mënyra të tjera.
Ky debat dhe vendimet rreth kësaj çështjeje ia vlejnë të bëhen në Shqipëri. Sepse ne ende nuk kemi krijuar këtu parajsën tonë që mirëpret paranë e krijuar me punë dhe jo skema. Sepse ne ende nuk e kemi këtë mjedis të sigurt ndaj, mbetemi gjithnjë preja.