Destinacioni ekzotik i naftës
Bankers, i pari që “eksperimentoi” me Ishujt Cayman
E krijuan më 15 prill në Ishujt Cayman, Saxon International Energy (sot Bankers Petroleum) është regjistruar në Shqipëri vetëm disa ditë më vonë, më 22 prill, ndërsa ka lidhur kontratë koncesionare me qeverinë shqiptare të asaj kohe për të shfrytëzuar fushën më të madhe naftëmbajtëse mbi tokë në Europë, atë të Patos Marinzës.
Në vitin 2006, kompania ndryshoi emrin në Bankers Petroleum, por adresa e shoqërisë mbeti e njëjtë. Në të gjitha dokumentet që Bankers ka të depozituara në QKR deri në veprimin e fundit në shkurt të këtij viti, adresa e raportuar e kompanisë mbetet në Ishujt Cayman.
Një grup inxhinierësh në 2004-n eksperimentuan në fushën naftëmbajtëse shqiptare, që nuk kishin pranuar ta merrnin me koncesion kompani të njohura si Shell, që pas analizës u kishte dalë e paleverdishme. Fati u buzëqeshi ideatorëve të Saxon, teksa nga rreth 30 dollarë për fuçi në atë kohë, çmimi arriti deri në 120 dollarë në 2009-n dhe qëndroi në nivele të larta deri në fillim të 2015-n (shih grafikun). Por, fati nuk i buzëqeshi dhe aq shumë qeverisë shqiptare, që nuk arriti t’i marrë tatim fitimi prej 50% kompanisë, që u favorizua nga marrëveshja koncesionare (Rezultati tatimor i shoqërisë nuk llogaritet sipas ligjit ‘Për tatimin mbi të ardhurat’ por, bazuar në Marrëveshjen e Hidrokarbureve lidhur midis Albpetrol sh.a. dhe Bankers miratuar në 2004-n, sipas së cilës rezultati llogaritet pasi nga të gjitha të ardhurat të zbriten të gjitha shpenzimet operative dhe kapitale të bëra nga nënkontraktori). Vetëm në dhjetor, Bankers u detyrua të fillojë të paguajë me këste 53 milionë dollarë tatim fitimi, pasi tatimet nuk i njohën rreth 300 milionë dollarë shpenzime kapitale të vitit 2011.
Së fundmi, Bankers njoftoi se ka hyrë në një marrëveshje definitive me Alberta Ltd. (blerësi) dhe Charter Power Investment Limited për blerjen e të gjitha aksioneve të Bankers (Bankers Shares) me një çmim cash prej 2.20 për aksion (Bankers Share). Blerësi dhe Charter Power janë degë të Geo-Jade Petroleum Corporation (Geo-Jade), një nga kompanitë më të mëdha të eksplorimit dhe prodhimit të naftës në Kinë. Marrëveshja e vlerëson Bankers në rreth 575 milionë dollarë kanadezë (C$) përpara vlerësimit të borxheve të papaguara të Bankers. Kjo shumë është e barabartë me 407 milionë dollarë.
Edhe Stream Oil, “xhiro” nga offshore në offshore
Ish-Stream Oil (sot Transatlantic Petroleum), një tjetër kompani që shfrytëzon me koncesion 4 vendburime nafte dhe gazi në Shqipëri, Ballsh-Hekal, Gorisht-Kocul dhe Cakran-Mollajt në naftë, si dhe fushën gazmbajtëse të Delvinës, që ka hyrë në Shqipëri në vitin 2007, ka dhe ajo origjinë nga Ishujt Cayman, sipas dokumenteve fillestare të dorëzuara tek autoritetet shqiptare. Njësoj si në rastin e Saxon, Stream është krijuar në ishujt Cayman më 11 qershor 2007, ndërsa ka hyrë në Shqipëri pak muaj më vonë, në tetor 2007. Ndërsa në rastin e Bankers gjetja e një investitori serioz dukej e vështirë, pasi çmimet e naftës ishin rreth 30 dollarë, në 2007-n i kishte kaluar 70 dollarë për të nisur me pas ngjitjen që u ndal në 2015.
Në fund të vitit 2014, kompania u ble nga Transatlantic Petroleum, me seli në Bermuda (destinacion i njohur offshore), që pas një viti e ka nxjerrë në shitje. Autoriteti i Konkurrencës ka bërë të ditur së fundmi se ka marrë ka marrë njoftimin e transaksionit të realizuar në bazë të “Memorandumit të Mirëkuptimit” i nënshkruar midis Continental Oil & Gas (Blerësi) dhe Transatlantic Petroleium Ltd. (Shitësi), më datë 14 janar 2016, me objekt përftimin e kontrollit të plotë dhe të vetëm, nga Continental Oil & Gas të Stream Oil & Gas Ltd. (Targeti), me anë të përftimit të të gjithë kapitalit aksioner në këtë të fundit. Continental Oil & Gas, sipas AK, është një shoqëri e aksionere e Delaware, me seli në 16192 CoastalHighway, Lewes, Delaware, USA. Edhe Delaware është i njohur si destinacion offshore.
Blerësi i ri ka shkaktuar konfuzion. Në faqen e vet zyrtare, Transatlantik njoftoi në fillim të marsit të këtij viti shitjen e operacioneve në Shqipëri tek GBC Oil Company Ltd (një kompani fantazmë për të cilën nuk mund të gjesh info në internet, por mësohet se inicialet i përkojnë me Gorisht-Ballsh-Cakran). Ndërsa te konkurrenca, blerësi është paraqitur si Continental Oil & Gas nga SHBA e sipërpërmendur), në një përpjekje për të humbur gjurmët (mësohet se pas qëndron e njëjta kompani, Phoenix Petroelum që ka tashmë 9 vendburime me koncesion dhe po synon të marrë dhe 4 të tjera, duke zotëruar 13 vendburime, nga 16, që ka gjithsej Albpetrol, kompania shtetërore, që menaxhon këto burime).
Sherwood
Në nëntor të vitit 2007 ka hyrë në fuqi Licencë-Marrëveshja e akorduar nga Ministria dhe Marrëveshja Hidrokarbure për vendburimin e Kuçovës mes Albpetrolit dhe kompanisë Sherwood. Dhe kjo kompani rezulton e regjistruar në Ishujt Cayman.
Kompania kishte të ardhura 10 milionë lekë në 2014-n dhe raportoi humbje 1.2 miliardë lekë. Sipas marrëveshjes koncesionare, për periudhën e kërkimit dhe zhvillimit, rezultati llogaritet pasi nga të gjitha të ardhurat të zbriten të gjitha shpenzimet operative dhe kapitale të bëra nga nënkontraktori.
Visoka në Ishujt britanikë Virgin
Një tjetër destinacion offshore i kompanive të naftës është IEC VISOKA, e regjistruar në Ishujt Virgin, që në gusht të vitit 2008 ka marrë me koncesion nga Qeveria Shqiptare fushën e naftës Visoka për kërkim, nxjerrje, përpunim dhe import-eksport i saj dhe nënprodukteve të saj. Kompania rezulton se nuk ka pasur interes të zhvillojë këtë fushë, pasi ka pezulluar aktivitetin që në vitin 2012.
Edhe nënkontraktorët e naftës nga parajsat e Qipros
PHOENIX TECHNOLOGY SERVICES ALBANIA, një sipërmarrje e krijuar në vitin 2008 dhe që punon si nënkontraktor i shoqërive të naftës (kryesisht Bankers) përmes ofrimit të shërbimeve Horizontale dhe Direksionale për Naftën dhe Gazin Natyror në Shqipëri, është e regjistruar në parajsat e Qipros. Kompania është ndër më fitimprurëse në Shqipëri, me fitime 1.5 miliardë lekë në 2014-n (duke u renditur e teta në 100 kompanitë më të mëdha sipas fitimeve), me një marzh tepër të lartë prej rreth 50%.
Koncesionarët e naftës
-Bankers Petroleum, me seli në Ishujt Cayman
-Transatlantic Petroleum (ish-Stream), fillimisht në Ishujt Cayman
-Sherwood është sërish me seli në ishujt Cayman
-IEC Visoka në Ishujt Britanikë Virgin
-Transoil Group është me seli në Zvicër
-Capricon (Orion Albania Limited) rezulton me seli në Britaninë e Madhe
-San Leon Energy me zyra në Holandë
-Petromanas-Shell, me seli në Zvicër
-Phoenix Petroleum, me seli në Shqipëri
Situata aktuale e licencimit të kompanive hidrokarbure
Aktualisht, sipas faqes zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN) për kërkimin e naftës dhe gazit në Shqipëri, janë të lidhura disa Marrëveshje Hidrokarbure, në bazë të të cilave zhvillojnë aktivitetin e tyre një sërë kompanish, si më poshtë:
Për kërkimin e naftës dhe gazit në det:
- Marrëveshja me Ndarje Prodhimi për bllokun e Durrësit me kompaninë San Leon Energy, e cila ka hyrë në fuqi në gusht të vitit 2004;
- Marrëveshja me Ndarje Prodhimi për bllokun Joni 5 me kompaninë Capricorn Albania, e cila ka hyrë në fuqi në shtator të vitit 2007.
Për kërkimin e naftës dhe gazit në tokë:
- Marrëveshja me Ndarje Prodhimi për blloqet A + B me kompaninë Petromanas Albania GmbH, e cila ka hyrë në fuqi në dhjetor të vitit 2007;
- Marrëveshja me Ndarje Prodhimi për bllokun D + E me kompaninë Petromanas Albania GmbH, e cila ka hyrë në fuqi në dhjetor të vitit 2007;
- Marrëveshja me Ndarje Prodhimi për bllokun 2 + 3 me kompaninë Petromanas Albania GmbH, e cila ka hyrë në fuqi në korrik të vitit 2009;
- Marrëveshja me Ndarje Prodhimi për bllokun F me kompaninë Bankers Petroleum Albania, e cila ka hyrë në fuqi në nëntor të vitit 2010;
Në fushën e zhvillimit të vendburimeve dhe prodhimit të naftës dhe gazit;
- Licencë-Marrëveshja e lëshuar nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe Marrëveshja Hidrokarbure për vendburimin e Patos-Marinzës mes Albpetrolit dhe kompanisë Bankers Petroleum Albania, e cila ka hyrë në fuqi në korrik të vitit 2004;
- Licencë-Marrëveshja e lëshuar nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe Marrëveshja Hidrokarbure për vendburimin e Ballsh – Hekalit mes Albpetrolit dhe kompanisë Stream Oil & Gas, e cila ka hyrë në fuqi në gusht të vitit 2007;
- Licencë-Marrëveshja e lëshuar nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe Marrëveshja Hidrokarbure për vendburimin e Cakran – Mollajt mes Albpetrolit dhe kompanisë Stream Oil & Gas, e cila ka hyrë në fuqi në gusht të vitit 2007;
- Licencë-Marrëveshja e lëshuar nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe Marrëveshja Hidrokarbure për vendburimin e Gorisht – Koculit mes Albpetrolit dhe kompanisë Stream Oil & Gas, e cila ka hyrë në fuqi në gusht të vitit 2007;
- Licencë-Marrëveshja e lëshuar nga Ministria dhe Marrëveshja Hidrokarbure për vendburimin e Ballsh – Hekalit mes Albpetrolit dhe kompanisë Stream Oil & Gas, e cila ka hyrë në fuqi në gusht të vitit 2007;
- Licencë-Marrëveshja e akorduar nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe Marrëveshja Hidrokarbure, për vlerësimin dhe zhvillimin e zbulimit të bërë në bllokun e Delvinës dhe prodhimin e hidrokarbureve në të, mes Albpetrolit dhe kompanisë Stream Oil & Gas, e cila ka hyrë në fuqi në gusht të vitit 2007;
- Licencë-Marrëveshja e akorduar nga Ministria dhe Marrëveshja Hidrokarbure për vendburimin e Kuçovës mes Albpetrolit dhe kompanisë Sherwood, e cila ka hyrë në fuqi në nëntor të vitit 2007;
- Licencë-Marrëveshja e akorduar nga Ministria dhe Marrëveshja Hidrokarbure për vendburimin e Visokës mes Albpetrolit dhe kompanisë IEC Visoka, e cila ka hyrë në fuqi në shkurt të vitit 2009;
-Phoenix Petroleum sh.a. Albpetrol sh.a & Phoenix Petroleum sh.a. Miratuar nga Këshilli i Ministrave në datë 16.08.2013
Nga këto marrëveshje:
- Marrëveshja Hidrokarbure me Bankers Petroleum Albania për zhvillimin e vendburimit dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin e Patos – Marinëz është në fazën e zhvillimit;
- Marrëveshja Hidrokarbure me Sherwood për zhvillimin e vendburimit dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin e Kuçovës është në fazën e zhvillimit;
- Marrëveshjet Hidrokarbure me Stream Oil & Gas për zhvillimin e vendburimeve dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimet Ballësh-Hekal, Cakran-Mollaj, Gorisht- Kocul dhe Delvinë, ndodhen në fazën e zhvillimit;
- Marrëveshja Hidrokarbure me Transoilgroup, për zhvillimin e vendburimit dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin e Visokës, është në fazën e vlerësimit.
Burimi: AKBN, Albpetrol