Shërbimi / Tatimet ofrojnë online “Certifikatën e Rezidencës Tatimore”
Tatimpaguesit mund të përfitojnë edhe një tjetër shërbim online. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka njoftuar se tashmë, tatimpaguesit mund të pajisen nëpërmjet portalit e-Albania me certifikatën e rezidencës tatimore.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në kuadër të reformës së Derregulimit, si një nga nismat më të rëndësishme të Qeverisë Shqiptare, për lehtësimin dhe modernizimin e shërbimeve publike, njofton se “Certifikata e Rezidencës Tatimore”, tashmë mund të merret përmes platformës elektronike e-Albania, në çdo kohë dhe pa asnjë kosto.
Ky shërbim i ri online ofron dokumentin me vlerë ligjore, i cili vërteton pagesën e tatimeve për të ardhurat globale në Shqipëri, nga ana e subjektit kërkues. Kjo Certifikatë me vulë dixhitale, njihet nga të gjitha shtetet me të cilat Shqipëria ka Marrëveshje për shmangien e taksimit të dyfishtë dhe parandalimin e Evazionit Fiskal”.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve mbetet e angazhuar maksimalisht në lehtësimin e procedurave, për të ofruar në çdo kohë dhe me sa më pak kosto, shërbim cilësor për të gjithë tatimpaguesit.