Bursa e Energjisë, sllovakët e Sfera.AS ankohen në KPP për kriteret
Tenderi për përzgjedhjen e kompanisë që do të ofrojë “Platformën elektronike të tregtimit për tregun e ditës në avancë dhe atë brenda së njëjtës ditë, infrastrukturën dhe shërbimet e kërkuara për operimin e tregut të organizuar në Shqipëri dhe Kosovë” u hap për herë të tretë vetëm pak ditë më parë.
Por duket se edhe këtë herë, gjërat nuk do të jenë të thjeshta pasi pranë Komisionit të Prokurimit Publik ka mbërritur ankesa nga një operator ekonomik. Bëhet fjalë për kompaninë Sfera AS, me zyra në Sllovaki, e cila ka parashtruar disa problematika në kërkesën e saj.
Por cilat janë problemet që ka ngritur tashmë kompania sllovake në ankesën e saj? Janë disa duke nisur nga pika që lidhet me eksperiencën në Bursë Energjie në vendin e origjinës ose vende të tjera, tek të qenët anëtar i plotë i rajoneve të çmimeve të bashkuara dhe bashkimit shumë rajonal në mënyrë që të jetë i aftë të ofrojë konceptin e Bursës Europiane të Shkëmbimit të Energjisë Elektrike. Po kështu rezerva ka edhe për pikën që lidhet me faktin që operatori ekonomik duhet të ketë autorizim të ndërhyjë në sistemet/ nënsistemet pjesë e platformës DAM dhe IDM.
“Sfera a.s beson se këto kritere të përzgjedhjes të përfshira në pikat e theksuara më sipër (2.3.2, 2.3.4, 2.3.5, 2.3.7 kanë karakter diskriminues dhe efekt të mbylljes së tregut, pasi përjashtojnë pa ndonjë justifikim të arsyeshëm, shumicën e ofertuesve të mundshëm të shërbimeve që kanë kapacitetin e nevojshëm teknik dhe menaxherial dhe mund të menaxhojnë me efikasitet funksionimin e përditshëm të segmenteve të tregut të organizuar njëditor dhe intraday në Shqipëri dhe Kosovë dhe bashkimin e tyre” argumenton kompania në ankesë.
Kjo e fundit nënvizon se pavarësisht se procedura është cilësuar si e “hapur” është e qartë se të gjithë termat e referencës kanë natyre diskriminuese dhe japin përshtypjen se janë të “përshtatura” vetëm për shkëmbimet e energjisë.