Kroaci, kthimi i turistëve të verës përgjatë bregdetit Adriatik
Turistët po mbushin bregdetin përgjatë Detit Adriatik të Kroacisë, ndërsa klientët janë dyndur në restorante dhe hotele. Udhëtimet gjatë verës me sa duket tejkaluan edhe parashikimet më optimiste në Kroaci, për vitin 2021.
“Është pothuajse sikur viti 2020 të mos ketë ndodhur kurrë,” sipas guidës turistike me qendër në Dubrovnik, Josip Crncevic. Përpara krizës COVID-19, Kroacia ishte një vend mjaft popullor për turistët nga Europa dhe SHBA, falë qyteteve të vogla piktoreske dhe ishujve të shumtë.
Sezoni veror ka qenë një stimulues për ekonominë kroate, e cila pësoi një nga goditjet më të mëdha nga vendet e BE-së. Turizmi përbënte 20% të PBB-së së vendit dhe shpenzimet turistike konsiderohen vendimtare për të ardhurat e banorëve që japin me qira hapësira ose operojnë biznese të lidhura me turizmin.
Edhe pse kroatët parashikonin që viti 2021 do të ishte shumë më pozitiv, ministrja e Turizmit, Nikolina Brnjac, e cilësoi fluksin e turistëve si diçka të jashtëzakonshme. Që nga 10 gushti, prenotimet në hotele arritën në 69% të nivelit më të lartë të regjistruar gjatë sezonit të turizmit dy vite më parë, sipas Brnjac.