Në mes të tetorit Autoriteti Rrugor Shqiptar hapi njëri-pas tjetrit disa tendera për rrugë të tilla si mbikalimi tek TEG, rruga që lidh autostradën Milot-Morinë me Aeroportin e Kukësit dhe rrugën Palasë-Dhërmi.
Të gjithë këto procedura kishin së bashku kosto që kalonte miliarda lekë dhe që vetëm pak ditë nga hapja u pezulluan. Teksa nën zë u argumentua se një pjesë e tyre ishin hapur jashtë afateve që lejon vendimi për disiplinimin e buxhetit ARRSH hoqi pezullimin duke i rihapur sërish ato.
Të pyetur nga “Monitor” mbi pezullimin dhe më pas rihapjen e procedurave ARRSH bëri me dije se kjo ishte bërë për shkak të pretendimeve që kishte pasur nga palë ankimuese dhe se pas sqarimit të kësaj situate ishte parë e arsyeshme që vazhdohej me procedurat. Teksa ka dhënë arsyet për pezullimin e rihapjen Autoriteti Rrugor Shqiptar nuk ka komentuar mbi pyetjen se cili buxhet do të paguajë këto procedura nëse është ai i vitit aktual apo 2021.
Lexo edhe këtë: Teksa vendi ndodhet në emergjencë mjekësore/ ARRSH heq pezullimin e tenderëve për “rrugët elektorale”
Përgjigja e ARRSH për tenderat
“Për sa kërkoni ne lidhje me pezullimin e procedurave ju bëjmë me dije se:
Prokurimi Publik bazohet në ligjin 9643,date 20.11.2006 “Per Prokurimin Publik”, i ndryshuar dhe në Vendimi nr.914, date 29.12.2014 “Rregullat e Prokurimit Publik, Autoriteti Kontraktor sipas fondeve te vena ne dispozicion nga Buxheti i Shtetit ka publikuar procedurat , mbikalimi tek Teg, lidhja e autostradës Milot-Morine me aeroportin apo rruga Palasë-Dhërmi, Bazuar ne VKM 914, datë 29.12.2014, neni Neni 78 “Ankesat në autoritetin kontraktor” 1 .”Çdo person, që ka ose ka pasur interes në një procedurë prokurimi dhe kur është dëmtuar ose rrezikohet të dëmtohet nga një vendim i autoritetit kontraktor, që bie në kundërshtim me LPP, mund ta kundërshtojë këtë vendim.” 2. “Me marrjen e ankesës me shkrim nga ankimuesi, titullari i autoritetit kontraktor urdhëron njësinë e prokurimit dhe komisionin e vlerësimit të ofertave të pezullojnë vazhdimin e procedurës, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar sipas parashikimeve të LPP” si dhe pika 4, “Në rastin e ankesave për dokumentet e tenderit, operatorët ekonomikë mund të ankohen pranë autoritetit kontraktor brenda 7 (shtatë) ditëve nga data e publikimit të njoftimit të kontratës në faqen e internetit të APP-së. Me marrjen e ankesës me shkrim, autoriteti kontraktor pezullon vazhdimin e procedurës së prokurimit, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar sipas parashikimeve të LPP. Autoriteti kontraktor duhet të nxjerrë një vendimi brenda 3 (tri) ditëve nga data e depozitimit të ankesës. Kundër vendimit të autoritetit kontraktor mund të bëhet ankim në Komisionin e Prokurimit Publik, në përputhje me nenin 63, pika 6, të LPP. Autoriteti kontraktor ka pezulluar procedurat deri në shqyrtimin e plotë të ankesave , ka ngritur Komisionin e Shqyrtimit të ankesave i cili ka dalë me vendim dhe i është komunikuar ankimuesit i cili ka të drejtën e ankimit në KPP. Janë pritur edhe afatet e ankimit ne KPP siç parashikon ligji, në përfundim të këtyre afateve duke mos vijuar ankimi në KPP, autoriteti kontraktor ka hequr këto procedura nga pezullimi për vijimin e mëtejshëm te procedurave konform bazës ligjore” sqaron ARRSH.
Rrugët në proces prokurimi
Së fundmi ARRSH kapi procedurën e prokurimit me objekt mbikëqyrjen e punimeve për ndërtimin e rrugës Palasë Dhërmi. Kjo vjen vetëm pak javë pas hapjes së procedurës së ndërtimit të rrugës që ka një fond limit prej 1.6 miliardë lekë. Më herët u çelën edhe procedura të tilla si “Ndërtim rruga mbikalimi TEG dhe rrugët lidhëse të tij”, me fond limit rreth 1.5 miliardë lekë, te tenderi i mbikëqyrjes për këtë projekt me një fond limit 11.6 milionë lekë. Po kështu “Ndërtim i rrugës lidhja e Autostradës Milot – Morinë me Aeroportin e Kukësit”, me një fond limit rreth 600 milionë lekë është një tjetër procedurë, ku dorëzimi i ofertave mund të bëhet deri në 23 nëntor.
Një tjetër procedurë e bërë aktive në sistemin e APP është ajo me objekt “Supervizion punimesh ndërtim rruga Korçë- Ersekë, Loti 2 (pjesa e parë)”. Më herët, nga ana e ARRSH, është bërë edhe prokurimi i kontratës ndërtimi i rrugës Korçë-Ersekë Loti 2 (pjesa e parë) me një fond limit rreth 2.4 miliardë lekë dhe e fituar nga kompania ANK, me ofertë 2.35 miliardë lekë ka përfunduar hallkat e saj dhe duhet të nisë zbatimin./N.Maho
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.