Qytetarët e Kosovës, kanë edhe dy muaj kohë që të legalizojnë armët. Pas kësaj përudhe, armët e paligjshme do të konfiskohen dhe dënimi për posedimin ilegal mund të jetë me gjobë, por edhe me burgim. Aktualisht sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme mbi 250 mijë armë ilegale janë në duart e shtetasve të Kosovës.
Ministria e Punëve të Brendshme, përmes një videoje ka paraqitur mënyrën e legalizimit të armëve.
Periudha e legalizimit është e hapur edhe për dy muaj, pas kësaj periudhe armët e paligjshme do të konfiskohen dhe dënimi për posedim ilegal të armëve mund të dënohet me gjobë deri në 7.500 euro, ose me burgim deri në 10 vjet.
“Ju lutemi të shfrytëzoni këtë periudhë për t’i legalizuar armët tuaja”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
https://www.facebook.com/legalizoje/videos/2324245587806046/
MPB ka treguar se që kur ka nisur procesi legalizimit të armëve, mbi 700 qytetarë e kanë shfrytëzuar mundësinë e parashtrimit të kërkesave për legalizim, ndërsa afër 300 prej tyre kanë marrë pëlqimin për legalizim.
“Në katër muajt e fundit, 723 qytetarë e kanë shfrytëzuar këtë mundësi dhe kanë parashtruar kërkesa për legalizim. 291 kanë marrë pëlqimin në MPB dhe sot unë do të dorëzoj mbi 10 pëlqime në fund të këtij takimi”.
Në këtë institucion kanë treguar se që nga nisja e zbatimit të ligjit për armëve, ka rënë numri i incidenteve me armë me posedim legal.
“Qëllimi i kësaj iniciative është që tu japë mundësi qytetarëve që zotërojnë ligjërisht një armë sipas kushteve të ligjit për armë i cili është i harmonizuar me direktivat e armëve të zjarrit të BE-së. Që kur nisi zbatimi i ligjit për armët, pak incidente kanë ndodhur me armë me posedim të ligjshëm. Shumica e tyre kanë ndodhur me armë posedim të armëve në mënyrë të paligjshme dhe mbi 20 perona kanë humbur jetën”.
Ndërsa në cilësinë e drejtorit të Divizionit për Siguri Publike pranë Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka treguar se kampanja për legalizimin e armëve deri tani është e suksesshme dhe se numri i aplikacioneve nuk është i kënaqshëm.
“Numri i qytetarëve që kanë aplikuar për legalizimin e armëve nuk është për t’u injoruar. Deri tani kemi 659 aplikacione të qytetarëve gjithandej Kosovës. Prej regjionit të Prishtinës 179 aplikacione, regjioni i Gjilanit 109 aplikacione, dhe Prizreni me 106 të tjerët janë në numër pak më të vogël. Gjithsejtë prej këtyre 289 aplikacione për pistoleta, 228 aplikacione për punë gjuetie , dhe 132 për pushkë të tipit karibin. Ndërsa pushkë të tjera automatike dhe gjysmëautomatike janë 4 dhe 6 aplikacione të tjera janë të kombinuara pushkë ajrore dhe pushkë tjera”, tha Hoxha.
Më 31 mars 2017 Qeveria e Kosovës miratoi ligjin për legalizimin dhe e dorëzimin e armëve, mjeteve dhe pajisjeve shpërthyese.
Ministria e Punëve të Brendshme ka marrë vendimin për legalizimin e armëve të vogla dhe të lehta, ndërsa periudha e legalizimit pati nisur nga data 17 dhjetor 2018 dhe do të jetë në fuqi për 6 muaj, përkatësisht me datë 17 qershor.
Rreth 300 mijë armë në duart e shtetasve të Kosovës
Aktualisht në tërë Kosovën, janë afro 300 mijë armë që gjenden në duart e qytetarëve, por që vetëm 50 mijë qytetarë kanë leje për përdorimin e tyre.
E, kodi penal i Kosovës parasheh gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose dënim me burgim deri në 5 vjet për armëmbajtje pa leje.
Dënim 2 deri në 10 vjet burgim, parashihet edhe për posedim ilegal të katër ose më shumë armëve dhe më shumë se 400 fishekëve.
Brenda një periudhe prej 30 ditësh, qytetarit i jepet pëlqimi për armëmbajtje në shtëpi. Ndërsa ai ose ajo obligohet që brenda një viti të kryej trajnimin për përdorim të sigurt dhe mirëmbajtje të armës.
Pas ofrimit të dëshmive mbi gjendjen ligjore dhe të drejtën e veprimit ligjor, aplikuesi pajiset me leje për posedim të armës – me arsyetim të përdorimit për rekreacion, shenjëtari ose gjueti, varësisht nga lloji i armës.
Kostoja totale për legalizim, përfshirë kontrollet shëndetësore, vërtetimet, trajnimin dhe lejen, arrin vlerën e rreth 300 eurove.
Por meraklinjtë e armëve nuk e kanë fare të vështirë të pajisen me to në Kosovë. Madje edhe çmimet e tyre nuk është se janë shumë të larta.
Ata që duan të kenë një armë mund ta blejnë atë me një çmim prej 250 euro. Kurse, për armët më të sofistikuara çmimi mund të shkoj edhe deri në 4 mijë euro.
Në Kosovë janë të licencuara disa poligone të cilat shesin armë në mënyrë legale. Importi e armëve kryesisht e bëhet nga Turqia dhe Amerika./Fatos Shala për Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.