Autostrada Tiranë-Elbasan është duke ecur me ritmet e parashikuara. Ministri i Transportit dhe Punëve Publike, Sokol Olldashi gjatë inspektimit të punimeve ndoqi trajektoren e autostradës së re ku punon bashkimi i kompanive “Copri” dhe “Actor”. Rreth 650m3 beton, 36,000m3 gërmime dhe 38,000m3 mbushje në ditë është ritmi ditor i punës në kantierin që qëndron i hapur 20 orë në trase dhe 24 orë në tunel. Ministri Olldashi u shpreh se me këtë ritëm, autostrada Tiranë – Elbasan po shënon progres drejt objektivit përfundimtar që është hapja e rrugës për trafikun në fundin e pranverës së vitit 2013.
Deri tani traseja e rrugës është prekur në rreth 90% të gjatësisë së saj, ndërkohë që janë në ndërtim e sipër shumica e veprave inxhinierike kryesore.
Në segmentin e parë punohet në urën e Erzenit, ndërsa në segmentin e dytë punohet në katër nga pesë ura që ka ky segment.
Për sa u përket veprave të vogla të artit, janë kryer deri tani 16% e tombinove të vogla, 40% e tombinove të mëdha dhe 32% e nënkalimeve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.