Bordit Ekzekutiv i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës ka dhënë miratimin paraprak të kërkesës nga subjekti “Banka Credins Kosovë” për licencim si bankë në Republikën e Kosovës, tha banka në një njoftim zyrtar. Kërkesa për licencim nga “Banka Credins Kosovë” e dorëzuar në Bankën Qendrore gjatë këtij viti është vlerësuar pozitivisht duke u bazuar në kërkesat e Ligjit për Bankat, Institucionet Mikrofinanciare dhe Institucionet Financiare Jobankare dhe të Rregullores për Licencimin e Bankave dhe Degëve të Bankave të Huaja.
Subjekti “Banka Credins Kosovë” ka paraparë të ofrojë në tregun bankar të vendit tonë një gamë të gjerë të shërbimeve bankare bashkëkohore me kushte konkurruese. Themelues dhe aksionar i vetëm i saj është “Banka Credins Sh.A.” nga Shqipëria, e cila operon nga viti 2003 dhe është një prej bankave më të mëdha.
Gjatë periudhës së ardhshme konform legjislacionit në fuqi, subjekti “Banka Credins Kosovë” duhet t’i plotësojë të gjitha kushtet e përcaktuara ligjore për fillimin e operacioneve të saj. Rrjedhimisht, me përcaktimin afirmativ të Bankës Qendrore rreth plotësimit të këtyre kushteve, subjekti “Banka Credins Kosovë” kualifikohet që potencialisht të marrë licencën për të operuar si bankë e re në vendin tonë, gjë për të cilën, opinioni publik do të informohet me kohë, përfundon njoftimi i bankës qendrore të Kosovës.
Credins është banka e dytë nga Shqipëria që hyn në Kosovë, pas Bankës Kombëtare Tregtare.
Për hapjen e saj në Kosovë kohë më parë kishte folur edhe Maltin Korkuti, drejtor i Përgjithshëm i Bankës, duke thënë se “pas 16 viteve eksperience në tregun shqiptar, Credins Bank ka vendosur të ndërmarrë një tjetër sfidë, duke e shtrirë aktivitetin edhe në Kosovë”.
Në Kosovë sot operojnë 10 banka komerciale dhe përbëjnë 67.5 për qind të aseteve totale të sektorit financiar.
Bankat komerciale në Kosovë kanë strukturë të ndryshme aksionare. Tetë prej tyre janë banka me kapital të huaj dhe dy me kapital vendor
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.