Banka e Anglisë (BoE) ka mbajtur në pritje normat e interesit në Mbretërinë e Bashkuar, në 5.25 %, duke e shtyrë sterlinën më poshtë, pasi banka qendrore sinjalizoi se po afrohet më shumë drejt uljes së kostove të huamarrjes.
Guvernatori Andrew Bailey, tha se gjërat po “lëviznin në drejtimin e duhur”, për inflacionin, pasi Komiteti i Politikës Monetare të BoE, mbajti normën bazë në nivelin më të lartë të 16 viteve, për të pestën herë radhazi.
Dy anëtarë, që kishin kërkuar më parë për norma më të larta interesi, rrëzuan kërkesat e tyre, dhe në vend të kësaj, votuan me shumicë për norma të pandryshuara.
Pas njoftimit të së enjtes, stërlina ra kundrejt dollarit, duke u tregtuar me 0.4 % në ditë, në 1.273 dollarë.
Obligacionet dyvjeçare, të ndjeshme ndaj normave të interesit, ranë nga 4.14 % përpara shpalljes në 4.11 %. Indeksi FTSE 100 ishte 1.5 % më i lartë.
Tregtarët në tregjet e kontratave swap, u zhvendosën drejt çmimit të plotë, në tre ulje prej 0.25 pikë përqindjeje këtë vit. Ata vendosin gjasat, që ulja e normave të fillojë në qershor në 75 %, nga rreth 70 % më parë gjatë ditës.
Vendimi i BoE, për të mbajtur normat në 5.25 %, që ishte në përputhje me pritjet e tregut, erdhi një ditë pasi Rezerva Federale e SHBA, gjithashtu mbajti të pandryshuara normat e interesit.
“Javët e fundit, ne kemi parë shenja të mëtejshme inkurajuese, se inflacioni po bie”, tha Bailey. “Ne nuk jemi ende në pikën, ku mund të ulim normat e interesit, por gjërat po ecin në drejtimin e duhur.”
Ndërsa presioni politik për shkurtime, ka të ngjarë të intensifikohet përpara zgjedhjeve të përgjithshme në Mbretërinë e Bashkuar, që priten këtë vit, BoE ka argumentuar, se ka nevojë për më shumë prova, që presionet e çmimeve po lehtësohen, përpara se të ulë normat e interesit.
Banka vuri në dukje se të dhënat zyrtare, kanë treguar se inflacioni ka rënë “relativisht ndjeshëm”, që nga takimi i fundit në shkurt.
Në shifrat e publikuara këtë javë, inflacioni total i çmimeve të konsumit për muajin shkurt, ra më shumë se sa pritej në 3.4 % – norma më e ulët, që nga viti 2021.
Banka e Anglisë, tani pret që inflacioni të bjerë pak nën objektivin e tij, prej 2 %, në tremujorin e dytë të vitit, pasi rritja e pagave ngadalësohet.
Por, paralajmëroi se inflacioni mbetet “i lartë” për çmimet e shërbimeve, të cilat u rritën me një normë vjetore prej 6.1 % muajin e kaluar.
Në mbledhjen e kësaj jave, të gjithë përveç njërit, nga nëntë anëtarët e MPC-së, votuan për të mbajtur normat në pritje, me Jonathan Haskel dhe Catherine Mann, që hoqën dorë nga thirrjet e tyre të mëparshme, për rritje me çerek pikë. Një anëtar, Swati Dhingra, vazhdoi të votojë për një shkurtim të menjëhershëm. / FT