Banka Qendrore Europiane pritet të ngrejë normën e saj standarde më pak, prej 25 pikësh bazë, pasi inflacioni bazë bie dhe të dhënat e sondazhit të saj tregojnë për kushte shumë më të shtrënguara financiare në rajon.
Shifrat e reja ekonomike forcojnë mundësinë, që BQE-ja të rrisë vetëm normat me një sasi më të vogël, dhe ndoshta të shpallë një rritje në ritmin e reduktimit të bilancit të saj.
Shtrëngimi sasior, (Quantitative tightening, QT), ka ndodhur tashmë me tkurrjen e portofolit gjigant të obligacioneve të BQE-së në bilanc, pas shumë viteve blerje të borxheve qeveritare dhe stimujve monetarë. BQE e ka mbajtur interesin zero për vite me rradhë dhe ka nisur programin e blerjes së bonove si Programi i blerjes së aseteve (Asset Purchase Program, APP) dhe Programi i blerjes për emergjencat pandemike (Pandemic Emergency Purchase Program, PEPP), në një përpjekje për të simuluar huadhënien.
APP filloi në mesin e vitit 2014, për t’u marrë me nivelet e vazhdueshme të ulëta të inflacionit. Ai u ngri midis janarit dhe tetorit 2019 dhe zgjati deri në korrik 2022 – por vazhdoi të riinvestonte pagesat nga aktivet, që ishin maturuar. Nga ana tjetër, PEPP ishte një program më fleksibël i blerjes së obligacioneve, i prezantuar gjatë pandemisë së koronavirusit.
Inflacioni në Eurozonë u rrit lehtë, 7% në prill, por inflacioni bazë – i cili përjashton ushqimin, karburantet, duhanin dhe alkoolin – u ngadalësua në 5.6% nga 5.7%, rënia e tij e parë që nga qershori i kaluar dhe më e ulët se sa pritshmëritë e tregut.
“Tendenca e inflacionit po ulet, pasi nxitja e madhe nga çmimet më të larta të ushqimeve po zbehet,” tha Joerg Kraemer, drejtues ekonomik në Commerzbank.
“Është një shenjë pozitive, që inflacioni bazë ka rënë për herë të parë në një kohë të gjatë. Por, për shkak të rregullimeve të pagave mbi 5%, presioni i inflacionit duhet të mbetet i lartë.”
Përveç kësaj, sondazhi i huadhënies bankare të BQE-së, vuri në dukje një rënie jashtëzakonisht të madhe të kërkesës për kredi, mes kritereve më të shtrënguara të kreditimit, duke shtuar mundësinë për rritje më të vogël të normës.
38% e bankave në 20 vendet e Eurozonës, panë rënie të kërkesës për kredi nga kompanitë tre muajt e parë të këtij viti. Kjo ishte rënia më e madhe neto, që nga kriza financiare globale e 2008-09.
Ndërsa Eurozona shmangi një recesion tremujorin e parë, me rritje 0.1%, efektet e ciklit të shtrëngimit monetar po tregojnë shenjat e para të zbutjes së kërkesës.
“Pas majit, ne presim një rritje tjetër të normës, prej 25 pikë bazë në qershor,” tha Kraemer.
“Më pas BQE-ja duhet t’u japë fund normave twë rritjes dhe do të shikojë efektet e politikës së saj më të shtrënguar monetare në ekonominë reale.” / CNBC