Agjencitë rregullatore e kanë bërë më të lehtë shitjen e ekspozimeve pas bllokimit të tregut nga sanksionet
Bankat europiane i janë bashkuar Wall Street-it për t’i lejuar klientët që të tregtojnë përsëri obligacionet ruse, pasi Thesari i SHBA-së dha dritën jeshile muajin e kaluar që investitorët të fillojnë reduktimin e ekspozimit të tyre ndaj borxhit rus.
Tregu global për obligacionet sovrane dhe të korporatave ruse u bllokua në qershor pasi investitorëve amerikanë iu ndalua blerja e letrave me vlerë nga Rusia në tregun dytësor, si pjesë e sanksioneve të Perëndimit kundër Moskës pas pushtimit të Ukrainës.
Por, Zyra e Thesarit për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC) – e cila është përgjegjëse për sigurimin e zbatimit të sanksioneve në SHBA – ofroi një hapësirë tre mujore më 22 korrik që bankat të mund të ndihmojnë investitorët, të cilët zotërojnë bono ruse, për të mbyllur pozicionet e tyre. Agjencitë rregullatore europiane e kanë bërë gjithashtu më të lehtë për bankat që të ndihmojnë klientët e tyre për reduktimin e ekspozimit.
UBS, Barclays dhe Deutsche Bank kanë rifilluar të lejojnë klientët për të shitur obligacionet ruse që ata kanë në zotërim, në përputhje me disa lëvizje të ngjashme që u ndërmorën nga JPMorgan Chase, Bank of America, Jefferies dhe Citigroup. Këto lëvizjeve të bankave në Wall Street u raportuan fillimisht nga Reuters dhe Bloomberg.
Disa banka të tjera, duke përfshirë Credit Suisse dhe HSBC, deri më tani nuk janë rifutur në tregun rus të obligacioneve, për shkak të tolerancës së tyre më të ulët ndaj riskut.
Borxhi sovran i Rusisë ishte pothuajse 40 miliardë dollarë kur Moska filloi pushtimin e Ukrainës në shkurt. Gati gjysma e këtij boshti mbahet nga investitorët e huaj.
Licenca e OFAC i jep mundësi bankave që të kryejnë veprime me obligacionet e blera nga qytetarët amerikanë, në mënyrë që ata të ulin ekspozimin e tyre ndaj borxhit rus, edhe nëse kjo përfshin blerjen e akoma më shumë letrave me vlerë.
Megjithëse ekspozimi i secilës prej këtyre bankave ndaj Rusisë është relativisht i vogël, rifillimi i tregtimit të borxhit është më tepër simbolik, pasi është një nga pak tregjet kryesore ndërkombëtare që është rihapur nga momenti kur Moska u godit me një breshëri sanksionesh nga Perëndimi.
Asnjëra prej bankave nuk dha komente mbi këtë ҫështje, por disa ekspertë thonë se lëvizjet e tyre nuk ishin të motivuara nga përpjekjet për të përfituar nga rihapja e tregut, por synonin të ndihmonin klientët që të mbyllin ekspozimin e tyre ndaj borxhit rus, në përputhje me rregullat e sanksioneve.
“Kjo është kryesisht për klientët që duan të mbyllin ekspozimin e tyre,” tha një punonjës i një banke që ka rifilluar tregtimin e borxhit rus. “Volumet nuk janë kaq të jashtëzakonshme.”
Bankat perëndimore po i ndihmonin klientët e tyre që të reduktonin ekspozimin ndaj Rusisë pas fillimit të luftës, por obligacionet nuk po tregtoheshin aq thjeshtë për shkak të mungesës së blerësve, gjë e cila solli rënien e vlerave të tyre.
Disa banka janë përpjekur gjithashtu që të shesin filialet e tyre në Rusi.
Banka franceze Société Générale mori një goditje prej 3.3 miliardë euro kur u dakordësua në prill që t’ia shiste filialin e saj Rosbank në Rusi kompanisë së investimeve Interros, e cila zotërohet nga oligarku Vladimir Potanin.
HSBC ka rënë dakord që të shesë filialin e saj në Rusi tek Expobank, ndërsa Citi ka qenë në bisedime me disa blerës të mundshëm, duke përfshirë Expobank dhe kompaninë e sigurimeve Reso-Garantia, sipas raportimeve të Financial Times.