Sipas raportit të Bankës Qendrore rezulton se bankat komerciale në Kosovë kanë shënuar rritje të fitimeve. Fitimi neto i sektorit bankar të Kosovës u rrit në 90.1 milionë euro në nëntë muajt e parë të vitit 2021, nga 57.2 milionë euro të së njëjtës periudhë të një viti më parë.
Banka Qendrore ka bërë të ditur, se portofoli i tepricës së kredive të bankave të Kosovës arriti në 3.6 miliardë euro në fund të shtatorit, me 12% rritje nga viti në vit.
Depozitat u rritën në 4.7 miliardë euro në fund të shtatorit, me 15% rritje.
Nga janari deri në shtator të këtij viti, fitimi neto i bankave në Kosovë ka arritur në 90.1 milionë euro, duke e bërë 2021-n vitin më fitimprurës për sektorin bankar që kur kanë filluar veprimtarinë e tyre në këtë vend.
Sipas raporteve të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), fitimet e pastra të bankave komerciale janë rritur për 32.9 milionë euro sivjet, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Këto institucione gjatë periudhës janar-shtator 2021 kanë raportuar 90.1 milionë euro fitime neto, derisa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kishin raportuar fitime prej 57.2 milionë euro.
Me rritje të jashtëzakonshme të fitimeve në periudhën janar-shtator 2021, është karakterizuar edhe sektori i institucioneve mikrofinanciare. Ky sektor sivjet ka arritur fitime të pastra prej 10.5 milionë euro, derisa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kishte raportuar humbje prej 2.7 milionë euro.
Sipas raportit të fundit të BQK-së, kjo rritje e profitit i atribuohet në masë të madhe të hyrave nga interesat që patën bankat, përkatësisht rritjes së kredidhënies.
Nga 238.1 milionë euro sa ishin të hyrat në total në këtë periudhë të bankave me seli në Kosovë, 166.5 milionë euro ishin të hyra nga interesat.
Kosova, që nga paslufta e këtej është dëshmuar dhe po vazhdon të dëshmohet si një parajsë bankare për shkak të fitimeve enorme të bankave komerciale dhe të institucioneve mikrofinanciare.
Lexo edhe këtë: Bankat refuzuan më pak aplikime për kredi nga bizneset në tremujorin e tretë
Edhe kreditë jo-performuese, ose siç quhen ndryshe kreditë e këqija janë fare të vogla “në Kosovën me risk të madh të sigurisë”. Ato, sipas pohimeve të guvernatorit të BQK-së Fehmi Mehmeti, janë gjithsej 2.5 për qind.
Tash e më shumë se dy vjet disa nga bankat komerciale kanë nisur të reduktojnë numrin e punonjësve në emër të digjitalizimit të shërbimeve.
Kosova është e fundit në rajon për nga numri i degëve bankare dhe infrastrukturës së bankomatëve, e njohur si ATM.
Më së shumti degë bankare ka Mali i Zi, pasuar nga Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.
Aktualisht në tregun e Kosovës operojnë 11 banka komerciale, prej të cilave 9 janë me kapital të huaj. Numri i degëve të tyre 211, kurse këto banka kanë të punësuar 3,391 punëtorë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.