Bankat kanë vijuar aktivitetin gjatë ditës së sotme, ndonëse me personel të reduktuar dhe disa me orare të kufizuara.
Shërbimi ndaj klientëve është kryer nën masat e rekomanduara të sigurisë, ku klientët e mbajnë radhën në distancë njëri nga tjetri jashtë ambienteve të bankës. Kur hyjnë në bankë u kërkohet të dezinfektojnë duart, ndërsa qëndrojnë në distancë më shumë se një metër nga punonjësi i bankës gjatë kryerjes së shërbimit.
Burime nga Banka e Shqipërisë konfirmuan për Monitor se aktiviteti bankar ka vijuar normalisht dhe nuk është raportuar asnjë problem. Më herët, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka deklaruar në media se nuk do të ketë problem me pagesat cash dhe janë marrë të gjitha masat që ATM-të (makinat e tërheqjes së parave) të jenë gjithnjë të furnizuara me likuiditet. Të gjitha bankat, nga ana e tyre, i kanë shtuar njoftimet dhe reklamat ku u bëjnë thirrje klientëve që të përdorin sa më shumë kartat e kreditit, sidomos ato pa kontakt (që nuk kanë nevojë për PIN) dhe shërbimet bankare online.
Në njoftimet e tyre, bankat kanë garantuar vijueshmëri të aktivitetit. Intesa Sanpaolo njofton se degët e saj do të vazhdojnë të jenë të hapura për publikun, nga e hëna në të premte nga ora 08:30 – 15:30, “por do të operojnë me staf të reduktuar për shkak të masave të marra për të mbrojtur stafin tonë dhe për të siguruar vazhdimësinë e ofrimit të shërbimit te klientët tanë”. Banka thotë se janë në fuqi të gjitha masat e tjera parandaluese siç janë distanca prej 1.5 m nga punonjësi i Bankës dhe klientët e tjerë dhe numri i kufizuar i klientëve në ambientet e Degës.
Raiffeisen Bank njofton se do të punojë vetëm në 60 degët kryesore të saj. Në këto degë do të mund të kryhen shërbimet kryesore bankare.
Banka Kombëtare Tregtare i rekomandon klientët që të shmangin vizitat në degët e bankës. “Të gjitha transaksionet bankare ju mund t’i kryeni pa qenë e nevojshme të lëvizni nga shtëpia”. Banka rekomandon përdorimin e kartave dhe bankomateve për të tërhequr para cash. “Nëse do të paraqiteni në degët e BKT do të ndiqni disa rregulla jo të zakonshme, për sigurinë tuaj dhe të stafit të Bankës. Qëndroni minimalisht 1.5 m larg punonjësit të Bankës. Nëse paraqiteni në degët e BKT përveç distancës së sigurisë mos qëndroni gjatë, kërkoni vetëm sqarime se si mund ta kryeni të njëjtin veprim nëpërmjet kanaleve online”.
Credins Bank ka njoftuar se punon me orar të reduktuar deri në 14.30. Union Bank gjithashtu thotë se punon me orar të reduktuar deri në 13.30.
OTP i rekomandon klientët që të shmangin kontaktet fizike sa më shumë të munden dhe njofton se ka rritur limitin e pagesave me kartat pa kontakt në 4500 lekë.
Në një deklaratë të publikuar në faqen e internetit, drejtori i përgjithshëm i Alpha Bank, Georgios A. Papanastasiou, thotë: “Që prej ditës së mërkurë, datë 18 mars 2020, një pjesë e punonjësve të Zyrave Qendrore do të punojnë nga shtëpia, si një masë mbrojtëse paraprake ndërkohë që pjesa tjetër e Zyrave Qendrore dhe degët do të vazhdojnë të punojnë sipas të gjitha kushteve të sigurisë së shëndetit të rekomanduara. Për të shmangur lëvizjen e punonjësve dhe grumbullimin e shumë personave në një ambient, ne do të përdorim midis të tjerash edhe video konferenca”. Ai fton klientët që të përdorin “kanalet tona alternative si terminalet për pagesa me kartë POS, e-Banking falas si edhe tërheqje nga ATM, për të cilat sigurohemi çdo ditë që të kenë mjaftueshmëri kartëmonedhash”.
Edhe ABi Bank rekomandon shërbimin e-banking për kryerjen e veprimeve bankare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.