Bankers Petroleum, që shfrytëzon me koncesion fushën më të madhe naftëmbajtëse në vend, atë të Patos Marinzës, e cila u rendit e katërta në vend sipas qarkullimit vjetor, ka deklaruar në bilanc një fitim kontabël përpara taksave prej 896 milionë lekësh, nga humbjet e mëdha prej 10.8 miliardë lekësh të një viti më parë.
Por, burime nga kompania thanë se ky quhet fitim i izoluar dhe është hera e dytë kur Bankers deklaron fitim të tillë (rasti tjetër ishte në vitin 2014, kur çmimet e naftës kaluan mbi 100 dollarë për fuçi), por ajo nuk paguan tatim fitimi, pasi sipas deklarimeve të vetë kompanisë, nuk janë rikuperuar ende shpenzimet kapitale.
Që prej fillimit të aktivitetit, kompania nuk ka dalë asnjëherë me fitim sipas konceptit fiskal të aplikuar për kompanitë komerciale që kanë përfituar koncesione për shfrytëzimin e burimeve të naftës e gazit, që sipas marrëveshjes koncesionare do të duhet të tatohej me 50%. Rezultati tatimor i shoqërisë nuk llogaritet sipas ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” por, bazuar në Marrëveshjen e Hidrokarbureve lidhur midis Albpetrol sh.a. dhe Bankers miratuar në 2004-n, sipas së cilës, rezultati llogaritet pasi nga të gjitha të ardhurat të zbriten të gjitha shpenzimet operative, por edhe ato kapitale të bëra nga subjekti përfitues i koncesionit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.