Gjallërimi i aktivitetit të Bankers Petroleum, një ndër kompanitë më të mëdha në vend dhe eksportuesi kryesor, i cili shfrytëzon me koncesion burimin e naftës në Patos-Marinëz, u dha hov eksporteve në 2018-n, ndryshe nga vitet e kaluara, kur kompania kishte rezultuar me tkurrje. Sipas të dhënave zyrtare nga Bankers, për periudhën janar-nëntor 2018, janë eksportuar gjithsej 3.3 milionë fuçi naftë, me rritje 27% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për vitin 2018, janë shpuar rreth 40 puse të reja, pothuajse dyfishi në krahasim me vitin 2017, me një investim prej rreth 90 milionë dollarësh dhe prodhim rreth 800 mijë tonësh naftë.
Dy janë arsyet kryesore të ecurisë në rritje. Së pari ndërprerja e aktivitetit të ARMO-s në dhjetor 2017 bëri që Bankers të eksportonte të gjithë sasinë e prodhuar. Së dyti, koniunktura më e favorshme e çmimeve në bursa, ku nafta arriti deri në 80 dollarë për fuçi në tetor, për të rënë më pas ndjeshëm muajt e fundit, duke e mbyllur 2018-n në nivelet e rreth 50 dollarëve për fuçi.
Pikërisht, rënia e naftës në bursa mund të dekurajojë planet ambicioze që Bankers ka për këtë vit. Planet fillestare të kompanisë janë për shpimin e rreth 88 puseve të reja nafte në 2019-n dhe investime rreth 150 milionë dollarë. Por që të zbatohet ky plan kërkohet likuiditet i qëndrueshëm dhe me çmime të qëndrueshme të Brent-it mbi 75-80 dollarë për fuçi.
Përndryshe, kompania pohon se do të jetë e detyruar të ulë shpenzimet kapitale, për t’u përshtatur me situatën e çmimeve, duke mbajtur kështu një program të balancuar, bazuar në paranë në qarkullim që ka në dispozicion.
Gjithsesi, burime nga Bankers pohojnë se kinezët e Geo Jade Petroleum, që e blenë Bankers në fund të 2016-s, u qëndrojnë planeve ambicioze për të rritur investimet dhe prodhimin e naftës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.