Kompania kanadeze Bankers Petroleum që nxjerr dhe eksporton naftë nga Shqipëria, raporton bilanc pozitiv për gjysmën e parë të vitit.
Sipas raportit financiar të kompanisë, për gjashtë muajt në total shitjet e naftës ishin 17.310 fuçi naftë në ditë (me çmim mesatar 84.34 dollarë për fuçi) duke shënuar një rritje prej 26% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, shitjet ishin 13.724 fuçi në ditë (me çmim mesatar 80.57 dollarë për fuçi).
Ky është një lajm i mirë për eksportet shqiptare në kushtet kur Bankers Petroleum po ndikon pozitivisht në bilancin e eksporteve të grupit ‘minerale, lëndë djegëse’. Ky grup zë peshën kryesore të eksporteve shqiptare, me mbi 32% të tyre.
Sipas raportit të Bankers, prodhimi mesatar nga fusha e naftës Patos-Marinzë në Shqipëri për tremujorin e dytë të vitit 2013 ishte 17.800 fuçi naftë në ditë, 5% më i lartë se në tremujorin e pare të vitit, ku prodhimi ishte 16.919 fuçi naftë në ditë.
Shitjet e naftës gjatë tremujorit arritën mesatarisht 18.008 fuçi naftë në ditë, 8% më e lartë se mesatarja e tremujorit të mëparshëm, 16.605 fuçi naftë në ditë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.